Vetëvendosje proteston të hënën

Kosovës ia hoqën Republikën dhe ia shtuan fusnotën. Sot, në Bruksel, përfaqësuesit e kryeministrit të Kosovës, u morën vesh me Serbinë edhe për përmbajtjen e fusnotës. Fusnota i ka dy elemente: së pari, Rezolutën 1244 dhe, së dyti, mendimin këshillues të GJND-së. As pavarësia dhe as shpallja e pavarësisë nuk janë elemente të fusnotës. Aty vetëm sa thuhet në mënyrë njoftuese se për çfarë ishte ky mendim këshillues i GJND-së. Kështu ka deklaruar në një konferencë për media lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin, por edhe me bashkëpunimin rajonal. Pra, Republika e Kosovës kësisoj privatizohet. Atë mund t’ia shfaqim vetes sonë por jo edhe të tjerëve. Jemi Republikë vetë-me-veti. Mirëpo, kjo është saktësisht e kundërta e konceptit të Republikës”, ka thënë Kurti duke shtuar se me këtë marrëveshje, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, “Kosovës përsëri po i bëhet statusi i papërcaktuar, përsëri për Kosovën e paqartë po legjitimohen dy palë: vetë Kosova por edhe Serbia”.
Sipas tij, rezultatet e dialogut në Bruksel janë realizim i kërkesave të Serbisë që po i arrin qëllimet “nëpërmjet kryeministrit të Kosovës”.
“Prandaj, të hënën, me 27 shkurt, duke filluar nga ora 12:00, në sheshin ”Nëna Terezë” dhe para Qeverisë së Kosovës, do të mbajmë një demonstratë paqësore. Kjo demonstratë e parë do të zgjasë katër orë. Ajo do ta pezullojë për katër orë punën e kësaj Qeverie që po na e pezullon shtetin dhe pavarësinë”, ka paralajmëruar Kurti.
Ndërkohë, Visar Ymeri nga kjo lëvizje, ka thënë: “Ne kemi kërkuar qysh të hënën takim me dy subjektet politike të opozitës për bashkërendim të hapave në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Ne do të presim edhe sot t’i mbledhim nënshkrimet e nevojshme për seancë të jashtëzakonshme, 40 sosh sa janë të nevojshme. Deri tash kemi arritur t’i sigurojmë nënshkrimet e mjaftueshme. Nëse nuk e arrijmë këtë që nga nesër do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës për ta kërkuar seancën për këtë çështje. Për këtë na nevojiten 10 mijë nënshkrime”.