Me rastin e arritjes së marrëveshjes ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, për kushtet e përfaqësimit të Republikës së Kosovës në nismat rajonale, Lidhja Demokratike e Kosovës rikonfirmon qëndrimin e vet se, Republika e Kosovës duhet të përfaqësohet në të gjitha nismat rajonale si vend sovran e i pavarur, me emrin e vet kushtetues- thuhet në një deklaratë të kësaj partie.
“Duke ritheksuar përkushtimin e vet të përhershëm për perspektivën e Republikës së Kosovës në BE dhe në strukturat euroatlantike, si dhe duke ritheksuar përkushtimin e thellë për miqësi të përhershme me SHBA-të, LDK-ja vlerëson se aspirata historike e popullit të Kosovës për integrime mund të arrihet vetëm duke i forcuar institucionet e pavarura të vendit, demokracinë dhe pavarësinë e vendit brenda dhe në raportet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.