Hoxhaj dhe Çitaku kërkojnë udhërrëfyesin

Hoxhaj dhe Çitaku: Është koha e fundit që Republika e Kosovës të marrë udhërrëfyesin, marrëdhëniet kontraktuale dhe marrëveshjen për Stabilizim Asociim

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, kanë zhvilluar në Bruksel një takim me zëvendëskancelarin dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger.
Në këtë takim është kërkuar përkrahja e Austrisë për procesin e integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj ka thënë se është e papranueshme që edhe më tutje kosovarët të jenë qytetarët e vetëm të cilët nuk gëzojnë lëvizjen pa viza në zonën Shengen.
Sipas tij dhe Çitakut, është koha e fundit që Republika e Kosovës të marrë udhërrëfyesin, të nënshkruhen marrëdhëniet kontraktuale dhe të fillojë studimi i fizibilitetit për marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkim Evropian.
Ata kanë pasur një takim edhe me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Janos Martonyi, nga i cili kanë kërkuar mbështetjen e Hungarisë për ofrimin e përvojës në procesin e integrimeve evropiane.
Ndërsa, në takimin e punës me ministër e Jashtëm të Bullgarisë, Nickolay Mladenov, ministrat kosovarë kanë thënë se Kosova është e gatshme për rrugën e saj Evropiane.
Hoxhaj dhe Çitaku janë siguruar nga ministri britanik për Çështje Evropiane, David Lidington, se Mbretëria e Bashkuar do ta mbështesë Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë ditës, ministrat nga Kosova do të zhvillojnë takime me shumicën e ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nga të cilët do të kërkojnë mbështetjen e këtyre shteteve për agjendën evropiane të Kosovës.