Gjykata e Tenderëve po i sheh si të dyshimta aktivitetet e Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen e segmentit të parë të autostradës Morin - Merdar.
Mirëmbajtja e afro 40 kilometrave të autostradës Morin - Merdar e ka sjellë Ministrinë e Infrastrukturës para dy situatave: e para lidhet me telashet që e përcollën atë në lidhje me tenderin e shpallur për këtë aktivitet dhe pastaj vendimi për “mirëmbajtje të përkohshme” pa procedura tenderuese.
Në një shkresë që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), që ndryshe njihet edhe si Gjykata e Tenderëve, ia ka drejtuar MI-së, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta, shihet qartë që OSHP-ja e ka pritur me habi informatën se Ministria ka bërë “zgjidhje të përkohshme” për mirëmbajtjen e autostradës, derisa ta kontraktojë zyrtarisht firmën që do ta kryejë këtë punë.
“OSHP-ja lidhur me këtë fakt konstaton se Ministria nuk ka ofruar asnjë dëshmi lidhur me atë se cili operator ekonomik e mirëmban këtë segment të autostradës dhe se si është bërë përzgjedhja e tij, pasi që ne dyshojmë se kjo është bërë në mënyrë joligjore”, thuhet në këtë shkresë.
Ditë më parë Ministria i ka kërkuar OSHP-së që të lejohet anulimi i tenderit të shpallur herën e parë për aktivitetin e prokurimit “Shërbimet e mirëmbajtjes së seksionit një deri në pesë të rrugës nr.7 autostrada Morin - Merdar”.
Ministria ia ka drejtuar këtë kërkesë OSHP-së, ndonëse pas ankesave të operatorëve ekonomikë, ky organ ka kërkuar që tenderi për mirëmbajtjen e autostradës të kthehet në rivlerësim, e jo të shkojë si ritender.
Lah Nitaj, këshilltar politik i ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë se “nuk e di që OSHP-ja nuk është njoftuar, dhe nëse është kështu, nuk është mirë që ajo nuk është njoftuar me mënyrën e mirëmbajtjes së autostradës deri më tani nga Departamenti i Prokurimit në Ministri”, shkruan Koha Ditore.
Duke arsyetuar vendimet e MI-së, Nitaj ka pohuar se, meqë 38 kilometrat e parë të autostradës janë në shfrytëzim që nga muaji nëntor e këtej, dhe meqë Ministria nuk ka pasur një operator ekonomik të përzgjedhur për mirëmbajtjen e saj, për të mos e lënë këtë segment të autostradës pa mirëmbajtje, është bërë një zgjidhje e përkohshme.
“E kemi bërë një zgjidhje të përkohshme, e cila na është imponuar dhe me operatorët ekonomikë për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale në Kosovë kemi mbuluar mirëmbajtjen e kësaj autostrade”, është shprehur ai. Dy kompanitë që po e kryejnë mirëmbajtjen e përkohshme janë firmat vendore “Graniti” dhe “Drini”.
“Ata janë kontraktorë të Ministrisë dhe brenda parametrave dhe kontratave që kanë me MI-në, përveç punëve që kanë me asetet e rrugëve magjistrale dhe rajonale, kanë edhe nga një segment të autostradës”, ka vlerësuar Nitaj.