Bizneset dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thonë se disa komuna nuk po respektojnë ende vendimin për heqjen e lejes së punës, përkatësisht ligjin për tregtinë e brendshme. Mbetet e paqartë ku shkojnë paratë që merren në emër të lëshimit të lejeve të punës.
Isa Krasniqi kishte planifikuar të hapte një depo për mallra ushqimore. Por, në komunën e Gjilanit ai thotë se i ishte dashur të paguante për lejen e punës ndonëse ajo është hequr që nga korriku i vitit të kaluar. “Kam paguar edhe për lejen pa e ditur se nuk është vlefshme rregulla e vjetër”, thotë ai.
Persona si ai që kanë planifikuar të nisin biznese të reja, nuk e kanë pasur aq të lehtë për t’i hapur ato. Përkundër ligjit në fuqi që nuk përfshin lejen e punës në disa komuna ata janë detyruar të paguajnë për to.
Këtë e konfirmon edhe këshilltari i ministres së Tregtisë Bernard Nikaj. “Ka pasur disa raste kur njerëzit janë ankuar tek ne për çështjen e lejeve të punës. Këtë e kemi kuptuar edhe përmes partnerëve në projekte . Ministrja ka pasur takim me shumicën e komunave dhe i ka njoftuar zyrtarët e komunave. Ne prapë është dashur të ndërhyjmë për të hequr këto pengesa”, ka thënë Nikaj.
Drejtori i financave i kësaj komune Nuhi Nuhiu thotë se do ta hetojë këtë çështje. “Do shikoj të hetoj kush çka ka bërë në lidhje me këtë çështje. Por ne e dimë që lejet janë hequr”, tha Nuhiu.
Në fakt komunat kishin kundërshtuar me forcë ligjin për tregti të brendshme me shpjegimin se ky ligj i përjashton ato tërësisht dhe krijon paqartësi. Megjithatë nënkryetari i komunës së Prishtinës Abdulla Hoti mohon që në Prishtinë të ketë mosrespektim ligji për këtë arsye. “Asosacioni i Komunave ka pasur vërejtje të mëdha rreth këtij ligji. Megjithatë nuk ka ndodhur refuzim për të respektuar atë. Pastaj më komunë nuk vjen askush më për leje . Nuk e besoj që ka ndodhur diçka e tillë”, ka thënë ai, raporton Radio Kosova.
Raporti i fundit i Bankës Botërore ka kritikuar pikërisht lejet e punës, si një nga elementet më negativë që radhitnin Kosovën ndër vendet ku më së shumti ka vështirësi në hapjen dhe të bërit biznes.