Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të hënën pas mbledhjes së Kryesisë duke folur për pranimin e fusnotës nga Qeveria e Kosovës ka thënë se i takon Gjykata Kushtetuese të Kosovës për të sqaruar nëse kjo është bërë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës apo jo.
Kreu i legjislativit nuk ka përcaktuar se a është humbëse Kosova nga kjo fusnotë, por ka thënë jo gjithherë zhvillimet në shoqëri kanë ecje pozitive.
“Unë nuk jam ai që e përcaktoi, por atë e përcakton marrëveshja dhe tekstet e marrëveshjes. Por një gjë duhet të dimë. Zhvillimet në shoqëri, jo gjithherë kanë ecjen pozitive, zhvillimet në shoqëri mund të kenë edhe kthesa dhe në kthesa gjithnjë jo krejt pozitive do të ketë përfundime pozitive”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, se a duhet të ratifikohet kjo marrëveshje në Kuvend, kryeparlamentari ka thënë se deri tash këto marrëveshje kanë pas emrin konkluzione dhe ende nuk ka një dokument zyrtar që përcakton, nëse ato janë marrëveshje apo jo.
Krasniqi ka potencuar se Qeveria nuk është dashur të ngutet në arritjen e kësaj marrëveshje, pasi, sipas tij arritja e një kohezioni politik me subjektet do të ishte edhe më e favorshme edhe për qeverinë edhe për institucionet e Kosovës.