Në ditën kur pritet të mbahet protesta e Lëvizjes Vetëvendosje, që ka për qëllim kundërshtimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel vërehen forca të shtuara të Policisë në kryeqytetet dhe rrethoja mbrojtëse para Qeverisë së Kosovës.
Rrethojat mbrojtëse janë vënë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ndërsa para teatrit Kombëtar lëvizja Vetëvendosje ka kryer përgatitjet për mbajtjen e protestës.
Ndryshe, ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, të hënën nga ora 12, për katër orë me radhë do të jetë e rrethuar nga qytetarët, të cilët janë thirrur në një protestë paqësore nga Lëvizja Vetëvendosje.
Protesta është thënë se ka për qëllim kundërshtimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, ku parashihet që Kosova në forumet dhe nismat rajonale, të përfaqësohet me fusnotë e pa emrin republikë.
Zyrtarë të Vetëvendosjes kanë thënë se nga qendrat e Kosovës është organizuar transporti për qytetarët që janë të interesuar të marrin pjesë në demonstratë.