RTK kërkon para për auditim

Në mungesë të fondeve të mjaftueshme, drejtues të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të mbulojë shpenzimet e auditimit të performansës, por nuk e kanë saktësuar shumën.

Komisioni për Buxhet dhe Financa, autorizoi tw hënën grupin punues për Ligjin e RTK-së, që të gjejë një zgjidhje, qoftë duke kërkuar auditim të performansës nga Auditori i përgjithshëm, apo nga ndonjë kompani e licencuar ndërkombëtarisht.
Përvec auditimit të rregullt të pasqyrave financiare, RTK duhet t’i nënshtrohet edhe auditimit të performanës, respektivisht programit, me kërkesë të Kuvendit të Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri, tha se ky medium publik përballet me mungesë mjetesh. Ai kërkoi shpenzimet për këtë auditim t’i mbulojë Kuvendi. “RTK-ja duhet të jetë transparente dhe është e gatshme t’i nënshtrohet në çdo moment cilitdo auditim, të cilin e kërkon themeluesi por edhe ligji. Prandaj ne e kemi bërë këtë kërkesë. Mjete nuk kemi pasur, nuk kemi planifikuar, nuk kemi pasur për atë prandaj u jemi drejtuar me kërkesë për mjete shtesë”, theksoi Shaqiri, duke mos treguar shumën e nevojshme të mjeteve për auditim.
Kryetarja e Komisionit për buxhet dhe financa Safete Hadërgjonaj, theksoi se nevojitet një auditim i jashtëm, me qëllim të kontrollit dhe planifikimit më të mirë të mjeteve. “Ne mirëpresim një auditim të pavarur, në mënyrë që të arrijmë në këtë mënyrë të shohim se si shpenzohen paratë e tatimpaguesve”, u shpreh Hadërgjonaj.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Sali Asllanaj, tha se zyra e Auditorit të përgjithshëm është e obliguar ta bëjë auditimin e RTK-së, sikurse të gjitha agjencive tjera shpenzuese të buxhetit.
Komisioni autorizoi grupin punues të Ligjit për RTK-në, që të shqyrtojë të gjitha mundësitë, dhe më pas rekomandimin t’ia adresojë komisionit.
Ndryshe për financimin e përkohshëm të RTK-së për periudhën tre-vjeçare Kuvendi ka paraparë të ndajë 0.7 për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.