Guardiola i kënaqur që Chelsea gjeti menaxher

Pep Guardiola është shumë i kënaqur që pronari i Chelseat, Roman Abramovich, nuk e ka kërkuar me ngulm në Stamford Bridge.
Daily Mail shkruan se Guardiola është i interesuar vetëm në një projekt afatgjatë dhe se kjo nuk i përshtatej absolutisht te Chelsea.
Në vend të Chelseat, syrin e Guardiolës e ka zënë Bayerni, që nuk do të ishte befasi nëse do të nënshkruane me Guardiolën për shkak të filozofisë së njëjtë që klubi bavarez ka me ish-klubin e Pep, Barcelonën. 

Zayn Malik: Ja femra ime ideale

Këngëtari i bendit të njohur të djemve “One Direction”, Zayn Malik, ka thënë se atij i pëlqejnë femrat që jetojnë me stil të vjetër të veshjes dhe të vlerave tjera.
Zayn, i cili është në lidhje me Perrie Edwards, thotë se është me rëndësi që një femër të ketë respekt për vetveten dhe më pas edhe për të dashurin e saj.
“Më pëlqen dikush që është me mentalitet të vjetër dhe që është e ftohtë, që nuk i merr gjërat aq afër zemrës. Mendoj se vlerat e vjetra janë me rëndësi, pasi kështu ajo respekton më shumë veten. Vajza ime e përkryer do të ishte thjesht një vajzë e mirë, dikush që mund të flas me orë të tëra pa ndërprerje”, ka theksuar Zayn Malik. 

Del Bosqe lavdëron Gjermaninë dhe trajnerin e saj

Vicente del Bosque ka lavdëruar trajnerin Joachim Low për “elegancën” e tij dhe udhëheqjen e Gjermanisë në mesin e përfaqësueseve elite dhe ka pohuar se ai është i gatshëm ta drejtojë Barcelonën ose Real Madridin.“Ai është një burrë elegant i cili përfaqëson vendin e tij shumë mirë. Ai ka bërë punë në klub dhe nivel ndërkombëtar. Real Madridi dhe Barcelona sigurisht se nuk do të ishin shumë të mëdha për të”, ka thënë Del Bosque për Bild
 
“Gjermania ka luajtur futboll në nivel shumë të lartë. Shpirti i tyre luftarak është unik. Ata janë një skuadër fantastike. Nuk mund të mendoj për ndonjë dobësi. Ata janë shumë të mirë në mbrojtje, derisa Mario Gomez është një gjigant në sulm”, ka shtuar spanjolli. 

Pepe dëshiron finalen e Euro 2012

Mbrojtësi i Portugalisë, Pepe, thotë se fitorja 1-0 ndaj Republikës Çeke tregon se ata kanë kualitete për t’ia dalë mirë në garën evropiane.“Ne siguruam një fitore të rëndësishme, që na çon në gjysmëfinale. Spanja ose Franca? Nuk kam preferenca. Të dyja janë ekipe të shkëlqyeshme. Ne i presim ata. Shpresoj të luajmë mirë në atë ndeshje dhe të arrijmë në finale”.
 
“Kritikat na ndihmojnë neve të zhvillohemi. Gjëja më e rëndësishme është se ne e dimë se kemi kapacitete për t’ia dalë deri në fund. Kjo është mënyra se si ne gjithmonë i qasemi këtij turneu”, ka thënë Pepe. 

Wenger i kënaqur me formën e Podolskit në Euro

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i impresionuar nga forma që lojtari i ri i skuadrës, Lukas Podolski, po e shfaq në Euro 2012.
Wenger është duke punuar si ekspert mediatik gjatë kampionatit evropian dhe është i impresionuar me paraqitjen e Podolskit deri tash.
“Podolski ka bërë një punë të shkëlqyeshme për skuadrën e Gjermanisë, ai po bën një punë të shkëlqyeshme ekipore”.
“Ai luan në mënyrë të kujdesshme ndonjëherë, por ai megjithatë ka shënuar një gol shumë të rëndësishëm kundër Danimarkës në paraqitjen e tij të 100-të.
“Jam shumë i kënaqur me atë çfarë kam parë nga ai”, ka thënë Wenger.

Ronaldo: Euro të më ndihmojë në Topin e Artë

Cristiano Ronaldo mendon se paraqitja e tij në Euro 2012 nuk ia siguron, por mund t’i ndihmojë atij ta fitojë çmimin FIFA Topi i Artë.
27-vjeçari shihet si favorit për ta fituar shpërblimin prestigjioz pasi shënoi 60 gola për Realin në të gjitha garat sezonin e kaluar, përfshirë 46 në La Liga që ndihmuan ekipin ta fitojë titullin e kampionit të Spanjës.
“Nuk mendoj se paraqitjet e mia në Euro do të jetë vendimtare që unë ta fitoj Topin e Artë, por ato mund të ndihmojnë”, ka thënë Ronaldo.
Portugezi mbrëmë ndihmoi Portugalinë të kualifikohet në gjysmëfinale të garës evropiane pasi shënoi golin e vetëm të ndeshjes në fitoren 1-0 ndaj Republikës Çeke, të cilin gol ia dedikoi djalit të tij. 

Hana Cakuli: Ju tregoj mashkullin tim ideal

Këngëtarja nga Ulqini, Hana Cakuli gjatë një interviste ka pohuar se çfarë duhet të ketë mashkulli i saj ideal.
Hana ka rrëfyer se mashkulli ideal për të duhet ta mbush shpirtërisht dhe ta dojë jetën
“Duhet ta dojë jetën, të punojë fort për të, me pasion dhe mbi të gjitha të dijë të më përmbushi shpirtërisht”, ka pohuar Hana.
Përveç kësaj ajo ka pohuar se është duke u përgatitur për disa projekte muzikor, por nuk ka dashur të zbulojë më shumë.
“Janë disa projekte dhe nuk dua ta zbuloj. Por mund t’u them se jam në bisedime për shumë projekte dhe ende nuk kam zgjedhur një të vetme, apo konkrete .Por, mund t’i them disa bashkëpunëtorë, me të cilët po flas për kompozime nga ana e tyre: Rrusta (Petrit Carkaxhiu) – vokalist i grupit Jericho, Shpat Deda, e disa emra të tjerë që dua t’i mbaj sekret”, ka shtuar Hana

Zbogar, i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit të Kosovës për të mbajtur në fuqi nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat zhvlerësojnë lirinë e medias.
Zbogar citohet të ketë thënë nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga zyra e tij se nenet në fjalë janë në kundërthënie me konventat e BE-së që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e të shprehurit.
“Provizionet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negative në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë”, ka thënë Zhbogar, duke rikujtuar se BE mbetet thellësisht e përkushtuar në promovimin dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë së Kosovës.
Ai ka shprehur keqardhjen gjithashtu se ky vendim pason vizitën që një delegacion i Komisionit Evropian ka realizuar në Kosovë për të vlerësuar arritjet e Kosovës dhe aftësitë e saj për t’u angazhuar në bisedimet e Mekanizmit të Stabilizim – Asociimit.
“Mbi të gjitha, ky hap e lë Kosovën prapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë provizionet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre”, citohet të ketë thënë Zbogar. 

UGK: Nenet 37, 38 të papranueshme

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), ka pranuar me shqetësim miratimin e Kodit Penal të Kosovës, nga ana e Kuvendit, së bashku me nenet 37 dhe 38, të cilat e cenojnë lirinë e shprehjes dhe të medieve.
UGK konsideron se miratimi i këtyre dy neneve të Kodit Penal, pa ndryshimin e tyre është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Unioni i Gazetarëve të Kosovës, është pro rregullimit të legjislacionit për mediet në Kosovë, duke përfshirë edhe Kodin Penal, por, kundërshton çdo lloj tendence e cila do ta dëmtonte lirinë e tyre dhe do ta vështirësonte punën e gazetarëve”, thuhet në reagimin e UGK-së. 

Miratohet projektligji për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë

Me 78 vota për, 10 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Ligjvënësit e konsideruan këtë si një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën, ndërkohë që ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ata që e kundërshtuan këtë projektligj.
Janë 21 ligje që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, të cilat pritet të ndryshohen dhe të plotësohen me një ligj të veçantë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha përmes miratimit të këtij projektligji, do të bëhet bartja e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore.
“Që të gjitha këto ligje deri më tani kanë pasur mbikëqyrje të drejtpërdrejt ndërkombëtare dhe këtu do të bëhet bartja e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore. Qeveria e Kosovës synon që me përkushtim të saj të plotë do të punojë në drejtim të arritjes sa më të shpejtë dhe të suksesshme të realizimit të këtij synimi i cili është synim nacional”, tha Kuçi.
Të gjitha grupet parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, i dhanë mbështetje projektligjit. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj lëvizje, Visar Ymeri tha se nenet e propozuara përmes këtij ligji që ndryshon 21 ligje, tregojnë qartë se nuk po përmbyllet mbikëqyrja.
“Krejt çka po ndodhë sot është se na janë propozuar për miratim disa nene përmes të cilave hiqet roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtare, dhe kaq. Ky është një shtrembërim i skajshëm i realitetit politik në Kosovë dhe reduktim i vrazhdët por edhe i pavërtetë i një strukture të tërë e mjaft të gjerë të mbikëqyrjes”, u shpreh Ymeri.
Ligjvënësit u fokusuan në ligje të ndryshme, duke kundërshtuar nene të caktuara, sikur që ishte Ligji për liritë fetare. Duke pasur parasysh këtë, deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti tha duhet të miratohet secili ligj veç e veç, përderisa e vuri në pikëpyetje përfundimin e pavarësisë, derisa do t’i jepet mandat shtesë EULEX-it.
“Nuk është mirë ta bëjmë të padijshmin gjithë Kuvendin, sepse nëse i jepet një mandat shtesë EULEX-it, që do t’i jepet, atëherë mbikëqyrja e pavarësisë do të vazhdojë funksionalisht”, tha Hamiti.
Kryetari i Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami tha se shumica e vërejtjeve të bëra nga ligjvënësit, janë amandamentuar nga komisioni, por nuk mund të prezantohet në këtë fazë.

Kuçi jep dorëheqje nga të dy postet qeveritare

Hajredin Kuçi ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, pasi që deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal, nene këto që cenojnë lirinë e shtypit.
Kuçi ka thënë se e ka ndërmarrë këtë hap për të mbajtur fjalën që e kishte dhënë me parë, se nëse miratohen në Kuvendin e Kosovës dy nenet (37 e 38) të Kodit Penal të kontestuara nga shoqëria civile dhe asociacionet ndërkombëtare, ai do të japë dorëheqje.
Ministria e Drejtësisë është sponsorizuese e Projekt Kodit Penal të Kosovës. Në një takim të zhvilluar me 3 shkurt, në mes të Ministrit Hajredin Kuçi dhe përfaqësuesve të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, palët janë pajtuar që këto dy nene të largohen nga Projekt Kodi Penal.
Kuçi pati paralajmëruar dorëheqjen e tij në rast se nuk do të hiqen nga Kodi i ri Penal, neni 37 dhe 38.
Ai ishte zotuar se do ta amendamentojë Kodin, nëse Jahjaga, nuk ndërmerr asgjë edhe pak kërkesës së tij. “Do të loboj në Kuvendin e Kosovës, që ato dy nene të mos miratohen. Nëse edhe përkundër përpjekjeve të mia, ato dy nene më 1 janar hyjnë në fuqi, hyn në fuqi edhe dorëheqja ime”, pati thënë Kuçi.
Pasi Kodi Penal ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk e pati nënshkruar, duke marrë vendim kështu më 8 maj, që Kodin Penal t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim.
Megjithatë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, sërish të premten votuan kundër heqjes së nenit 37 dhe 38 nga Kodi Penal.
Pas kësaj, Kuçi në një konferencë për media njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë.
Edhe organizatat e huaja janë shprehur kundër nenit 37 dhe 38 të Kodit Penal, pasi cenojnë lirinë e shtypit.

Kodi Penal nuk ndryshon, Kuçi paralajmëron dorëheqje

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) është shprehur e tmerruar me rezultatin e votimit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal.
AGPK konsideron se me këtë vendim, Kuvendi e ka fundosur lirinë e shtypit në Kosovë.
“Votimi i deputetëve tregon për papjekuri politike dhe tendenca diktatoriale ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në Kosovë”, thuhet në kumtesën e AGPK-së.
Ministria e Drejtësisë është sponsorizuese e Projekt Kodit Penal të Kosovës. Në një takim të zhvilluar me 3 shkurt, në mes të ministrit Hajredin Kuçi dhe përfaqësuesve të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, palët janë pajtuar që këto dy nene të largohen nga Projekt Kodi Penal.
Kuçi pati paralajmëruar dorëheqjen e tij në rast se nuk do të hiqen nga Kodi i ri Penal, neni 37 dhe 38.
Ai është zotuar se do ta amendamentojë Kodin, nëse Jahjaga, nuk ndërmerr asgjë edhe pak kërkesës së tij. “Do të loboj në Kuvendin e Kosovës, që ato dy nene të mos miratohen. Nëse edhe përkundër përpjekjeve të mia, ato dy nene më 1 janar hyjnë në fuqi, hyn në fuqi edhe dorëheqja ime”, pati thënë Kuçi.
Ndryshe, të premten pasi deputetë votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal, Ministria e Drejtësisë përmes një kumtese për media ka njoftuar se ministri Kuçi në ora 15.00 do të mbajë një konferencë për media. 

Kuçi: Nuk e larguam Editën

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar të premten se Qeveria e Kosovës nuk e ka larguar nga procesi i bisedimeve shefen e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri.
“Jo nuk është larguar nga procesi” ka thënë Kuçi në një prononcim për “Express”.
Ndërmjetësi, Robert Cooper të enjten ka qëndruar në Prishtinë ku ka takuar kryeministrin Thaçi, por jo edhe kryenegociatoren Tahiri.
Pas kësaj, mediat kanë njoftuar se Tahiri është larguar nga procesi i bisedimeve.

Shënohet Java globale kundër dhunës me armë

Ministria e Punëve të Brendshme i është bashkëngjitur shënimit të Javës Globale Kundër Dhunës me Armë për vitin 2012. Në këtë javë kampanja ndërkombëtare mbahet me qëllim të ndaljes së përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se për sikurse viteve të mëhershme, MPB-ja ka vendosur që t’i bashkohet javës Globale kundër Dhunës me Armë.
“Unë iu bëj thirrje qytetarëve që të përmbahen nga shkrepja e armëve në ajër, për shkak se plumbat të cilët shkrepen lartë kthehen gjithsesi poshtë dhe ata kthehen poshtë me një shpejtësi vdekjeprurëse. Rreziku i lëndimit ose madje edhe vrasjes së dikujt është i pashmangshëm në një ambient urban. Unë në veçanti dua t’u drejtohem organizatorëve të dasmave dhe ahengjeve tjera, që të kërkoni nga mysafirët tuaj që të mos përfshihen në këtë sjellje të rrezikshme dhe pronarëve të restoranteve që të mos e lejojnë një gjë të tillë në lokalet e tyre”, theksoi ministri Rexhepi.
Ministri Rexhepi vuri në dukje se korniza e re ligjore në Kosovë e lejon posedimin legal të armëve në bazë të kritereve shumë të rrepta dhe i përfshinë të gjitha kriteret drejt zvogëlimit të këtij rreziku.
Ndërsa ndihmësdrejtori për Operativë në Policinë e Kosovës, Shefqet Beqaj, tha se në kuadër të planit zhvillimor 2011-2015, njëra ndër objektivat strategjike është ngritja e nivelit të sigurisë publike, e që ndërlidhet direkt me parandalimin dhe luftën kundër dhunës me armë.
“Gjatë sezonit veror kryesisht nëpër ahengje familjare dhe organizime tjera rritet numri i përdoruesve të armëve dhe për këtë Policia e Kosovës ka hartuar plane policore që kanë për qëllim shtimin e patrullimeve dhe vëzhgimeve policore në ato lokacione ku zhvillohen ceremonia dhe manifestime të tilla. Njëkohësisht sjellim në vëmendje tek të gjithë qytetarët se përdorimi i paligjshëm i armëve është veprim i kundërligjshëm dhe ekzistojnë ndëshkime ligjore për këtë veprim joligjor”, theksoi Beqaj.
Ilir Kukaj nga Agjencia Nacionale e Forenzikës theksoi se plumbat bredhës, përpos dëmeve materiale mund të shkaktojnë edhe vdekjen. “Para se të shkrepni me armë në ajër gjithmonë ta keni parasysh se ju mund t’ ia merrni jetën dikujt.”, tha Kukaj.
Në këtë rast, u prezantuan edhe detaje kontrolli simultativ i një veture që barte armë ilegale nga Njësia e Specializuar e Policisë së Kosovës K9, ku në veturë qeni i këtij njësiti gjeti armën ilegale.
Java Globale Kundër Dhunës me Armë ka për qëllim vetëdijesimin e opinionit publik për parandalimin e përdorimit të pakontrolluar të armëve të zjarrit, sidomos në rastet festive. Ky projekt u përkrah nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë ( UNDP), projekti KOSSAC dhe WSSI. 

Maradona: Grekët mund t’i ndalojnë gjermanët

Diego Maradona thotë se nëse 300 grekë kanë qenë në gjendje t’i ndalojnë 10 mijë persianë, ata sigurisht mund ta ndalojnë edhe Gjermaninë në ndeshjen e sotme çerekfinale të Euro 2012.“Fernando Santos (trajneri i Greqisë) e di se ai e ka ndeshjen e jetës në duart e tij, pasi ka përballë një betejë të përpjetë të një madhësie gjigante. Por nëse 300 grekë ishin në gjendje t’i ndalojnë 10 mijë persianë në Thermopylae, atëherë 11 grekë sigurisht se kanë një shans kundër 11 gjermanëve”.
 
“Ai bëri mrekulli duke u mbrojtur ndaj rusëve dhe do të duhet ta dyfishojë shpirtin e skuadrës për mbrëmjen në Gdansk”.
 
“Skuadra gjermane është në formë, e re dhe e fuqishme. Grekët janë të vështirë, të moshuar dhe me përvojë. Ky kampionat ka nxjerrë në pah fuqinë dhe forcën, dhe edhe pse jam i sigurt se grekët do të bëjnë një rezistencë heroike, Gjermania duhet të fitojë”, ka shkruar Maradona në kolumnen e tij për Times of India.

Cech: Ronaldo ndër dy më të mirët në botë

Portieri i Republikës Çeke, Petr Cech, ka lavdëruar Cristiano Ronaldon pas fitores 1-0 të Portugalisë ndaj çekëve.“Nuk është një ndjenjë e mirë për ne sonte. Ne humbëm. Ata ishin më të mirë dhe merituan të fitojnë”.
 
“Ronaldo është një prej dy lojtarëve më të mirë në botë, dhe ai e dëshmoi këtë me atë golin e tij me kokë. Ai vërtet është vështirë të ndalohet”, ka thënë Cech pas disfatës së mbrëmshme.
 
Portugalia në gjysmëfinale të Euro 2012 do të takohet me Spanjën ose Francën, të cilët përballen mes veti të shtunën.

Blanc: Do ta sulmojmë Spanjën

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, do t’i udhëzojë djelmoshat e tij të luajnë lojën e tyre të zakonshme sulmuese gjatë përballjes së të shtunës ndaj Spanjës në çerekfinale të Euro 2012.Blanc ka analizuar paraqitjet e skuadrës së Vicente del Bosque në ndeshjet e fazës grupore dhe ka ardhur në përfundim se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kampionët në fuqi të Evropës dhe Botës është t’i sulmosh ata.
 
“Këtë mëngjes i kam shikuar ndeshjet Kroaci-Spanjë dhe Itali-Spanjë. Këto dy ekipe i shkaktuan probleme Spanjës. Ata kishin mundësi dhe kishin shanse ta fitojnë ndeshjen”.
 
“Duke shikuar dyja ndeshjet, kishte një që preferonte të mbrohej dhe një tjetër që preferonte të luajë lojën e tyre; shpresoj Franca ta zgjedhë të dytën”, ka thënë Blanc. 

Nani krenar me fitoren e Portugalisë

Ylli i Manchester United, Nani, është krenar që ishte pjesë e fitores së Portugalisë në çerekfinale të Euro 2012 ndaj Republikës Çeke.“Kisha disa shanse, Ciristiano pati, dhe Almeida po ashtu. Në fund Ronaldo e shënoi një gol, ne e fituam ndeshjen dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
 
“Çdokush është i lumtur, ne të gjithë jemi të kënaqur me rezultatin. Çdo ndeshje bëhet edhe më e vështirë, por ishte një paraqitje e shkëlqyeshme nga të gjithë lojtarët sot dhe e gjithë skuadra është plot vetëbesim. Tash ne duhet të pushojmë dhe të përgatitemi për ndeshjen e madhe”, ka thënë Nani.

Arsenali me kontratë të re për Oxlade-Chaberlain

Alex Oxlade-Chamberlain do të fitojë kontratë të re nga Arsenali pas përfundimit të kampionatit Evropian.
Daily Mail bën të ditur se Oxlade-Chamberlain është në radhë për një marrëveshje të re me Arsenalin e cila do t’ia rrisë atij dukshëm pagën.
18-vjeçari, i cili aktualisht fiton rreth 15 mijë funte në javë, mund të presë një rritje të majme të pagës kur bisedat të fillojnë më vonë gjatë kësaj vere.
Biseda të ngjashme Topçinjtë do të zhvillojnë edhe me mesfushorin spanjoll Mikel Arteta, i cili ka impresionuar në sezonin e tij të parë me klubin.

Chelsea nuk ka bërë ofertë për Hulk

Presidenti i Portos, Pindo da Costa, thotë se asnjë ofertë nuk ka arritur në adresë të tij për sulmuesin Hulk.
PSG dhe Chelsea, që është favorit për të transferuar Hulk, janë lidhur me angazhimin brazilianit këtë verë. Por në adresë të klubi portugez nuk ka arritur ende asnjë ofertë për lojtarin.
“Sipas gazetave, Hulk do të kishte shkuar që moti, por ajo çfarë unë mund t’ju siguroj sot është se Porto ende nuk ka pranuar asnjë ofertë për të”, ka thënë Da Costa për Antena 1.

Reali rivalizon United për Modric

Real Madridi është duke përgatitur një ofertë në vlerën e 30 milionë eurove për mesfushorin e Tottenhamit, Luka Modric.
Daily Mail shkruan se trajneri i Realit, Jose Mourinho, u ka thënë drejtuesve të klubit të adresojnë një ofertë për kroatin.
Madrilenët janë të bindur se do të mund ta përmbyllin marrëveshjen para rivalit Manchester United, që vazhdimisht lidhet me një transferim të 26-vjeçarit.
Modric dëshiron të largohet nga White Hart Lane për të kaluar në një skuadër që luan në Ligën e Kampionëve. Shtuar këtu edhe problemet e Tottenhamit që tash është edhe pa trajnerin Harry Redknapp, largimi i kroatit duket më se i mundshëm. 

Metzelder: Van der Vaart i përshtatet Schalkes

Christoph Metzelder ka porositur Schalken të transferojë mesfushorin e Tottenhamit, Rafael van der Vaart, derisa klubi gjerman është duke kërkuar një lojtar të profilit të lartë pas largimit të Raul.
Legjenda e Real Madridit pati dy vite të suksesshme në Veltins Arena, para se të largohet për në klubin nga Katari, Al Sadd, këtë verë, për të lënë një zbrazëtirë në sulmin e skuadrës.
“Pas largimit të Rau, Van der Vaart sigurisht se do të ishte zëvendësim i klasit. Por mendoj se ne më shumë duhet të mbështetemi në zgjidhje të brendshme. Julian Draxler është një prej kandidatëve, mendoj”, ka thënë Metzelder për Bild.

Moratti mbron Balotellin

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka dalë në mbrojtje të yllit të Manchester Cityt, Mario Balotelli.
Moratti beson se italiani duhet të pranohet ashtu siç është.
“Unë gjithmonë jam në gjendje të fal gjithçka. E kam idenë se si është Balotelli, pasi e njoh që kur ai ishte djalosh. Ai ka një familje të mahnitshme, që e admirojnë dhe mbrojnë atë dhe ai e shpaguan dashurinë e tyre”.
“Por ka diçka në të që e bën atë mosbesues ndaj çdokujt, edhe ndaj atyre që e respektojnë, siç është rasti me Prandellin, që e ka ftuar atë në ekipin kombëtar”, ka thënë Moratti.

Miami Heat kampion i ri i NBA-së

LeBron James ka arsyetuar titullin MVP i sezonit pasi drejtoi skuadrën e tij Miami Heat drejt titullit të kampionit të NBA-së pas fitores së mbrëmshme 121-106 ndaj Oklahoma City Thunder.
Pasi humbën ndeshjen e parë finale ndaj Thunder, Heat fituan të katër ndeshjet tjera dhe mbrëmë vulosën dilemën duke mbyllur serinë e ndeshjeve me rezultat 4-1.
James bëri një paraqitje brilante, duke realizuar triple-double me 26 pikë, 11 kërcime dhe 13 asistime dhe u emërua MVP i ndeshjeve finale pasi përfundimisht fitoi kurorën e kampionit pas tre pjesëmarrjesh në finale.
Edhe pesë lojtarë të tjerë te Heat shënuan pikë dyshifrore, përfshirë Chris Bosh me 24 pikë dhe rezervën Mike Miller me 23 pikë.
Kampioni i trefishtë i NBA-së, Kevin Durant, udhëhoqi te Thunder me 32 pikë, derisa Russell Westbrook dhe James Harden shënuan secili nga 19 pikë për skuadrën nënkampione të NBA-së.

Ky ishte titulli i dytë për Miamin pas triumfit në vitin 2006 dhe ka fshirë ca kujtimet e hidhura nga disfata nga Dallas Mavericks në finalet e vitit të kaluar.

Interi kërkon Bosingwan

Interi ia ka vënë syrin mbrojtësit të Chelseat, Jose Bosingwa.
Portugezi është pa kontratë që nga fundi i sezonit të kaluar dhe mendohet se i është ofruar Barcelonës.
Por tash në garë për të është edhe Interi, që e sheh portugezin si zëvendësim për brazilianin që pritet të largohet, Douglas Maicon. 

Sampdoria afër angazhimit të Benitez

Sampdoria raportohet se është shumë afër mbylljes së një marrëveshje me ish-trajnerin e Liverpoolit, Rafa Benitez.
Sky Sport 24 bën të ditur se spanjollit i është ofruar marrëveshje trevjeçare nga klubi italian. Paga e tij besohet të jetë rreth 1.5 milionë euro në vitin e parë 2 në vitin e dytë dhe 2.5 në vitin e tretë.
Benitez ka përvojë në kampionatin italian, pasi drejtoi Interin për gjysmë sezoni nga ku u shkarkua në fund të 2010-tës për shkak të rezultateve të dobëta, dhe që atëherë është i papunë.

Guardiola nuk negocion me Bayernin

Agjenti i ish-trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola, ka mohuar negociatat me Bayern Munichun.
Përfaqësuesi i Guardiolës ka thënë se spanjolli është i vendosur të pushojë një vit nga futbolli.
“Është humbje kohe. Pep nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë në pranverën e vitit 2013. Pesë ose gjashtë klube kanë shfaqur interesim, por Pep nuk e dëshiron asnjërin. Ndoshta gjërat do të duken më ndryshe në shkurt dhe mars”.
“Për momentin ai ma ka ndaluar mua të kontaktoj me ndonjë klub, pasi kjo vetëm se ofron më shumë hapësirë për spekulime”, ka thënë Jose Maria Orobitg për Kicker

Bashkohen Seldi dhe Sinani?

Dy këngëtarët Seldi dhe Sinan Hoxha siç duket do të bashkohen sërish.
Pas disa keqkuptimeve mes dy këngëtareve, ata do të jenë të ftuar në një koncert në Kroaci.
Dyshja asnjëherë nuk ka dashur të rrëfejë për mospajtimet e tyre, por që nuk e kanë mohuar mundësinëqë në të ardhmen sërish do të bashkëpunojnë

Anxhela motivohet nga i nxehti

Modelja shqiptare Anxhela Martini, e cila jeton dhe vepron në Nju Jork, tashmë ka hapur kompaninë e saj të bikinive.
Anxhela përveç si modele, tash ka filluar punën edhe në industrinë e modës, duke krijuar linjë të veshjeve të brendshme që mban markën ‘Martini Bikini Collection’.
Në rrjetin social ‘Twitter’, Anxhela ka pohuar se moti i nxehtë është duke e motivuar që të punojë në koleksionin e bikineve.
"Po shijoj kohën e nxehtë në New York, po më motivon edhe më tepër për të punuar në koleksionin Martini Bikini'', ka shkruar modelja në Twitter. 

Shpat Kasapi së shpejti me këngë të re

Këngëtari Shpat Kasapi është duke u përgatitur për projektin e tij të radhës.
Kësaj radhe Shpati do të vijë në bashkëpunim me një artist të ri i quajtur AZ. Dyshja tashmë ka realizuar këngën të titulluar “Mos thuaj”.
Kënga është regjistruar në Shkup dhe është kompozuar nga DJ Suat. Ndërsa videoklipi i kësaj kënge pritet të realizohet së shpejti.