Reali mund ta fitojë La Ligan, LK-në dhe Pichichin

Ish-mesfushori i Real Madridit, Guti, beson se Los Blancos këtë sezon mund ta fitojnë Kampionatin spanjoll, Ligën e Kampionëve dhe titullin e golashënuesit më të mirë në Spanjë.
Mbretërit aktualisht kryesojnë në La Liga me shtatë pikë më shumë se Barcelona dhe thuajse e kanë të sigurt titullin e Spanjës.
Të mërkurën mbrëma ata zhvillojnë ndeshjen e kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut në Santiago Bernabeu, pas humbjes prej 2-1 në Allianz Arena.
Dhe, Cristiano Ronaldo ka shënuar 42 gola në Primera Division, një më shumë se Lionel Messi i Barcës.
“Lojtarët e Bayernit e dinë se finalja do të luhet në fushën e tyre dhe kjo ndeshje do të jetë mjaft konkurruese”, ka thënë spanjolli duke e bërë të qartë se Reali do ta ketë të vështirë që ta eliminojë Bayern Munichun.

Botoksi prish bukurinë e Carla Brunit

Carla Bruni-Sarkozy është për katër vite Zonja e Parë e Francës, ndërsa kjo duket se ia ka marrë freskinë fytyrës së saj.
Të dielën mbrëma, 44-vjeçarja është fotografuar në njërin nga vendvotimet së bashku me Nicolas Sarkozy, i cili po kandidon sërish për postin e të parit të Francës.
Bruni ka qenë një manekine e njohur dhe këngëtare, si dhe është konsideruar si njëra nga gratë më të bukura në botë ndër personalitetet e njohura, mirëpo siç duket ajo me vështirësi po përballet me pleqërinë.
Mediat kanë spekuluar se Carla përdor shumë botoks dhe se iu është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjike, të cilat ia kanë humbur bukurinë.

Blero së shpejti me këngë të re

Këngëtari kosovar Blero së shpejti pritet të vijë me një projekt të ri muzikor - një këngë të titulluar “Ajo apo ti”.
Kënga është realizuar nga Zap dhe Chirs ndërsa për tekst është përkujdesur Bubulina Krasniqi. Kjo këngë pritet të jetë një ndër hitet e radhës të këngëtarit Blero.
“Ajo apo ti” do të shoqërohet edhe me videoklip, i cili është punuar nga produksioni ‘Asha’.
Përveç kësaj adhuruesit e Bleros mund ta shohin atë edhe ne Twitter saktësisht në ‘@BleroMuharremi’.

Cozman "Cozy" në BABASTARS

Labelit BABASTARS i është bashkuar edhe një anëtar i ri. Ai është reperi kosovar Cozman “Cozy”.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se pas Stresit dhe Ronela Hajatit, BABASTARS është shtuar edhe me një artist. Bëhet fjalë për Cozman "Cozy" nga Prishtina i cili jeton në Londër.
Reperi tash e disa vite ka miqësi me anëtarët e labelit, dhe tashmë ka filluar karrierën krahas labelit BABASTARS. 
Cozman “Cozy” së shpejti do të paraqitet në një bashkëpunim me anëtarët tjerë të labelit.

Mashkulli ideal që dëshirojnë femrat

Femrat dëshirojnë mashkullin i cili ka rrogë të mirë, vozit Audi, pi birrë, ka trup të shkëlqyeshëm, nuk është vegjetarian, ka ndjenjë të mprehtë të modës, ndërsa familjen e ka në rend të parë.
Femrat dëshirojnë mashkullin i cili nuk frikësohet të qajë, është në formë të mirë, ka qëndrim, ka ndjenjë të mprehtë të modës dhe në mënyrë të shkëlqyeshme gjendet në riparimet shtëpiake.
Mashkulli i përkryer ka rrogë të mirë, vozit Audi dhe pi birrë, ka treguar hulumtimi i zinxhirit tregtar britanik, Austin Reed në 2000 britanikë. Ky mashkull ka edhe ndjenjë të theksuar për modë, trup të shkëlqyeshëm, flokët e zinj të shkurtër dhe fytyrë të rruar, nuk është vegjetarian dhe di të gjendet mirë me riparimet në shtëpi, shkruan Huffington Post. Di të vozisë biçikletën dhe di të notojë, ka rrogë të mirë, ndërsa familjen e ka në rend të parë.
Gati 86 për qind e femrave dëshiron një mashkull i cili rregullisht dëgjohet me nënën dhe nuk frikësohet të lëshojë ca pika loti gjatë një filmi të prekshëm, derisa 43 për qind e tyre më shumë pëlqejnë ata që dinë të bëjnë shaka.
“Femrat kanë pritje të mëdha nga mashkulli i përkryer. Më e rëndësishme është mënyra me të cilën mashkulli prezantohet, por edhe pse nuk dëshirojnë një tip shumë të grimosur, për pjesëtarët e gjinisë së bukur është e rëndësishme që t'i përcjellin pak trendet”, thekson zëdhënësi, Austin Reed.

Sheqernat e fshehura në ushqim, të rrezikshme sikurse yndyra dhe kripa e tepërt

Derisa kujdes i madh i kushtohet kripës, yndyrave dhe kalorive në ushqimin të cilin e hamë, neglizhohet sheqeri i cili rrit rrezikun nga diabeti dhe sëmundjet e zemrës, bën të ditur Daily Mail.
Çdo ushqim i cili përmban më shumë se 15 gramë sheqer në produktin prej 100 gramësh përmban sheqerna të tepërta, ndërsa në total nuk duhet të konsumojmë më shumë se 10 kokrra sheqeri në ditë. Sipas rekomandimeve të nutricionistëve, sheqeri i shtuar i cili gjendet në ushqimet, lëngjet dhe shurupin e ëmbëltuar nuk duhet të përbëjë më shumë se 10 për qind të energjisë së përgjithshme, të cilën e marrim nga ushqimi. Kjo gjithsej përbën 50 gramë ose 10 kokrra sheqer, ndërsa kjo dozë sot tejkalohet rregullisht, pohojnë shkencëtarët nga forumi nacional për trashje. Për shembull, vetëm 500 ml e pijes popullore Coca-Cola kalon kufirin prej 50 gramë sheqer në ditë.
Derisa kujdes i madh i kushtohet kripës, yndyrave dhe kalorive në ushqimin të cilin e hamë, neglizhohet sheqeri i cili rrit rrezikun nga diabeti dhe sëmundjet e zemrës; bën të ditur Daily Mail. Dy sheqernat më të pashëndetshme të shtuara janë sukroza ose sheqeri i tavolinës dhe shurupi i fruktozës. Shkencëtarët shpjegojnë që mëngjesi në shikim të parë i shëndetshëm të cilin e përbëjnë drithërat dhe lëngu i blerë kanë me vete rrezikun e fshehur, sasitë e mëdha të sheqerit të cilat shtohen në to gjatë prodhimit.
“Duhet të njihen produktet që përmbajnë për së tepërmi sheqer, ndërsa çdonjëri që përmban më shumë se 15 gramë sheqer në produktin 100 gramësh definitivisht është shumë i ëmbël dhe jo i shëndetshëm", shpjegon udhëheqësja e studimit, Tam Fry.

Intel paraqiti Ivy Bridge

Intel paraqiti procesorët me emër të koduar Ivy Bridge. Linja për momentin përbëhet nga 13 procesor katërbërthamësh Core i5 dhe i7, ndërsa fokusi është tek kompjuterët e tavolinës dhe portativët më të avancuar.
Procesorët ULV Core i3 dhe i5, të dedikuar për kompjuterët ultrabook, dhe modelet më të dobët të dedikuar portativëve, në treg do të paraqiten deri kah fundi i çerekut, publikuan nga Intel.
Procesorët Ivy Bridge prodhohen në procesin prej 22 nanometrave, e në krahasim me procesorët Sandy Bridge sjellin performanca për rreth 20% më të mira, me shpenzim më të ulët të energjisë. Procesorët vijnë me grafikën e integruar HD 2500 dhe HD 4000, e për herë të parë për Intel, sjellin përkrahjen native për USB 3.0.
Portativët e parë të bazuar në procesorët e rinj tashmë kanë filluar të paraqiten, e në javët në vijim pritet freskimi i linjës së portativëve të shumicës së prodhuesve.

Apple punëson në Irlandë

Apple publikoi se gjatë 18 muajve të ardhshëm synon të ris numrin e të punësuarve në Irlandë për 500.
Momentalisht Apple ka 2,800 të punësuar në qendrën e vet evropiane në Cork, qytetin e dytë për nga madhësia në Irlandë. Të punësuarit e rinj pritet ti ndihmojnë kompanisë në afarizmin në rritje në mbarë Evropën. Për të mundësuar vendosjen e punëtorëve të rinj, Apple do të ndërtoj edhe një ndërtesë të re me tre kate në afërsi të zyrave ekzistuese.
Edhe pse nuk është specifikuar se në cilat pozita do të punojnë të punësuarit e rinj, Apple, i cili në Cork ka zyrat për rreth 30 vite, atje kryesisht kishte të vendosur përkrahjen për shitjen dhe zinxhirin furnizues për afarizmin e vet në Evropë. 

Ec në këmbë mbi tel në lartësi prej 1.800 metrash (Video)

Alpinisti amerikan, Dean Potter, duke ecur nëpër një tel në lartësi prej 1.800 metrash ka kaluar kanionin Enshi në Kinë.
Teli ishte i gjerë vetëm dy centimetra, ndërsa ai ka përshkuar në këmbë një gjatësi prej 40 metrash.
Gjatë ecjes, Dean nuk ka përdorur kurrfarë pajisje sigurie, ndërsa i gjithë akti ka zgjatur më pak se dy minuta. 

Largojeni stresin duke shkatërruar gjithçka (Video)

Para katër vitesh, Donna Alexander nga Teksasi gjeti një zgjidhje mjaft origjinale për të gjitha ata që janë përplot zemërim dhe këtë nuk duan ta zbrazin mbi personat e tyre të afërt.
Ajo e shndërroi garazhin e saj në një “dhomë zemërimi”, në të cilën fqinjët kanë mundur të thyejnë mobiliet dhe në këtë mënyrë ta kthejnë qetësinë e brendshme.
Edhe pse në fillim ideja dukej ‘e krisur’, interesimi ishte shtuar aq shumë, saqë në vitin e kaluar Donna është dashur ta zmadhojë hapësirë dhe të krijojë një faqe interneti për rezervimet online.
“Dhoma e zemërimit është vendi ku mund të relaksoheni dhe t’i shkatërroni në tërësi hapësirat e rregulluara si zyra, dhoma dite apo kuzhina. Ndoshta tingëllon si çmenduri, por ju sigurojmë – pasi ta provoni një herë këtë metodë të çlirimit nga zemërimi, asgjë nuk do të mund ta krahasoni me të”, shkruan në faqen angerroom.com. 

Ky Bayern si Reali i vitit 1998

Lojtari i dikurshëm i Real Madridit, Manuel Sanchis, mendon se Jupp Heynckes ka ndërtuar një skuadër te Bayern Munichu, të ngjashme me atë të Los Blancos, e cila në vitin 1998 fitoi Ligën e Kampionëve.
Dy klubet po luftojnë për një vend në finalen e garës më të madhe evropiane për klube, ndërsa bavarezët kanë epërsi prej 2-1 nga takimi i parë gjysmëfinal.
Sanchis, i cili ka luajtur nën drejtimin e Heynckes te Reali në sezonin 1997/1998, ka thënë se performanca e klubit gjerman i ngjan asaj të Mbretërve të dikurshëm.
“Ai ia solli atë kualitet Madridit të vitit 1998 dhe kam vërejtur se Bayerni aktual po luan në një mënyrë shumë të ngjashme”, ka thënë spanjolli për faqen zyrtare të UEFA-s. 

‘Juve ka mesfushën më të mirë në Serie A’

Mesfusha e Juventusit është më e forta në Itali – ka deklaruar Arturo Vidal.
Bianconerët fituan derbin ndaj Romës të dielën mbrëma me rezultat 4-0, në një ndeshje ku realizues ishin tre mesfushorë – Vidal (dy gola), Andrea Pirlo dhe Claudio Marchisio.
“Është kollaj të luash mirë me bashkëlojtarë të tillë. Ne jemi mesfusha më e mirë në Itali”.
“Jam i ngazëllyer që jam te Juve. Kjo është një skuadër spektakolare dhe tifozët janë fantastikë, shumë të pasionuar – pikërisht ashtu si më pëlqen mua”, ka thënë kiliani për La Gazzetta dello Sport. 

Votat e shqiptarëve të Luginës për Zukorlicin!

Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik dhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, ka dalë hapur në mbështetje të kandidaturë së Muamer Zukorlicit për President të Serbisë.
“Ne do të votojmë për Muamer Zukorlicin, si kandidat për President të Serbisë, meqë duket një personalitet interesant dhe kandidat më serioz, i cili ka qenë i interesuar gjithnjë për zgjidhje e problemeve, jo vetëm në Sanxhak, por edhe në Luginën e Preshevës. Angazhim ky i cili dëshmohet edhe në programin e tij”, ka thënë Halimi në një intervistë për agjencinë “Presheva Jonë”.
Ai më tej ka thënë se “Ne jemi të vetëdijshëm se Zukorlic e ka vështirë të fitojë, por ne me votën tonë do të dëshmojmë se përkrahim, mbështesim ato forca progresiste, përkrahim atë personalitet, i cili mendon mirë për Luginën e Preshevës, Përkrahje kjo e cila deri tash na ka munguar dhe do të jetë mësim dhe shembull për liderët tjerë serbë, të cilët vazhdimisht kanë injoruar kërkesat tona apo avancimin e proceseve demokratike, politike dhe ekonomike në Luginën e Preshevës”, ka deklaruar Halimi.

ÇOHU: Kemi fakte për financuesit e PDK-së

Ndaj raportit hulumtues në të cilin Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese dhe Organizata ÇOHU! kanë punuar me muaj të tërë partia në pushtet është përgjigjur me një gjysmë faqe komunikatë, vlerëson “Çohu”. Sipas kësaj organizate, vetë shpejtësia e reagimit të PDK-së, për dhjetëra faqe punë hulumtuese, "tregon se kjo komunikatë është lëshuar pa u lexuar raporti jonë përfundimtar”.
“Për më tepër, kjo komunikatë nuk ka përmbajtur asgjë konkrete, që do të mund të shërbente si përgjigje ndaj fakteve të nxjerra nga hulumtimi ynë. Nuk flet për asgjë konkrete, por komunikata pretendon ta mbrojë demokracinë nga Organizata ÇOHU! duke i dhënë opinionit përgjigjen e vetë instante, të gatuar prej kohe, sipas së cilës, gjithçka që ekspozon lidhjen e PDK-së me shpërndarjen e parasë publike financuesve të fushatave të saja elektorale është shpifje”, thuhet në reagimin e ÇOHU!
Sipas saj, PDK-ja ka pretenduar se po e mbron demokracinë duke dërguar një komunikatë të shkruar shpejt e shpejt si një përgjigje të një hulumtimi që ka përfshirë shikimin e mbi 500 tenderëve publik; leximin e dhjetëra deklaratave të pasurive të zyrtarëve publik; nxjerrjen dhe krahasimin e dhjetëra certifikatave nga biznes-regjistri; leximin e dhjetëra raporteve të auditimit; monitorimin për disa vite të raportimit të medieve dhe krahasimin e gjithë këtij materialit me të dhënat e paraqitura në raportet e auditimit të KQZ-së, ku pasqyrohen subjektet fizike dhe juridike që kanë financuar fushatat elektorale të PDK-së.
“Në këtë mënyrë, me këtë reagim të mjerë, PDK edhe njëherë tregon se jo vetëm është tërësisht jo-kompetente, por është arrogante dhe ka për dëshirë t’ia mbylli gojën çdokujt. Televizioni publik, i kthyer tashmë në një shërbyes të zakonshëm të PDK-së, pa qenë fare në konferencën për shtyp të ÇOHU! dhe QKGH, i ka kushtuar vëmendje më të madhe një gjysmë faqeje reagim të PDK-së, pa asnjë argument të vetëm, sesa raportit hulumtues me qindra fakte e dokumente. Kështu, PDK-ja, bashkë me RTK-në, kanë pretenduar se mund t’i hedhin hi syve opinionit duke nxjerrë reagimin tashmë universal se ‘çka nuk del nga PDK-ja është shpifje, është kundër shtetit dhe kundër demokracisë’”.
Organizata ÇOHU! dhe QKGH-ja, thuhet në reagim, qysh sot do të fillojnë punën që të shpërndajnë raportin hulumtues për mbi 100 milionët e shpërndarë për bizneset e PDK-së, dhe do ta pres PDK-në për të dhënë përgjigje mbi pikat, faktet, e argumentet të cilat përbëjnë shpifje.
“Ne do ta dorëzojmë këtë raport në Prokurorinë Speciale, në Kuvendin e Kosovës, natyrisht në PDK, por edhe tek partitë tjera dhe nga ata do të presim ose një demant përmbajtjesor, por jo të tipit ‘këto janë shpifje’, ose do të presim nga këto institucione që të ndërmarrin diçka për të ndaluar instrumentalizimin e parasë publike në funksion të PDK-së”.
Organizata ÇOHU! Thotë se nuk ka kuptim që një hulumtim që përfshinë 100 milionë euro të shpërndara mes bizneseve të partisë në pushtet, mund të kalohet me një gjysmë faqe reagim të vakët e pa përmbajtje.
“Ne kemi nxjerrë fakte që duhet të japin bazë për dyshime mbi futjen e tërë sistemit të prokurimit publik në një rrjet të krimit të organizuar dhe në korrupsion politik. Kjo natyrisht që kërkon vëmendjen e jo vetëm të gjyqësisë. por edhe të akterëve tjerë shoqëror, edhe të shoqërisë civile, edhe të institucioneve tjera që janë të thirrura për ta kontrolluar pushtetin ekzekutiv dhe menaxhimin e resurseve publike”.

Maltretojnë shqiptarin që goditi serbin me veturë

Një shqiptar nga Mitrovica e ka goditur me makinën e tij një serb, i cili bashkë me serbë të tjerë po bllokonte rrugën e kalimit në barrikadën e vendosur në fshatin Zupc.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti ka konfirmuar për mediat serbe se më pas serbët e kanë maltretuar shqiptarin, të cilit ia kanë dëmtuar makinën.
Siapas Hotit incidenti ka ndodhur kur shoferi që drejtonte veturën ka kaluar nëpër barrikadën në Zupc dhe më pastaj ka provuar që të kthehet mbrapa në jug të Mitrovicës.
“Ai më këtë rast ka goditur një automobil, në të cilin ishte një grua shtatzënë, por e cila nuk është lënduar dhe poashtu ka goditur një të ri serb. Pas kësaj serbët e mbledhur në barrikadë në u Zupc kanë rrahur vozitësin dhe kanë dëmtuar automjetin e tij”, ka thënë Hoti për mediat serbe.
Zëdhënësi Hoti ka thënë për mediat serbe se në automjetin që drejtohej nga shqiptari ishte edhe një grua të cilën serbët nuk e kanë sulmuar.
Serbi i lënduar D.R, 25 vjeç, pas trajtimit mjekësor, është lëshuar në shtëpi.
Shqiptari i përfshirë në incident është dërguar për trajtim mjekësor në ambulancën në Zubin Potok dhe pastaj është shoqëruar për në stacionin policor atje.

Ramires: Barca është favorit

Mesfushori i Chelseat, Ramires, ka deklaruar se skuadra e tij mbetet inferiore kundrejt Barcelonës sa i përket kualifikimit në finale të Ligës së Kampionëve.
Blutë kanë avantazh prej 1-0 nga ndeshja e parë gjysmëfinale, ndërsa të martën mbrëma ata udhëtojnë në Camp Nou për sfidën kthyese.
“Presioni do të jetë mbi Barcelonën. Ata duhet të shënojnë, ndërsa ne mund ta shfrytëzojmë këtë”.
“Ata nuk më frikësojnë. Barca nuk është pamposhtshme. Këtë e kemi dëshmuar në Stamford Bridge”.
“Ne e kemi bërë hapin e parë – mirëpo avantazhi ynë është minimal. Ata janë akoma favoritë”, ka thënën braziliani për Sun on Sunday.

Guardiola: Ndeshja ndaj Chelseat vendos sezonin

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, e ka vënë në pah rëndësinë e sfidës kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve ndaj Chelset.
Blaugranët u mposhtën me rezultat prej 1-0 në ndeshjen e parë që u zhvillua në Stamford Bridge, ndërsa të martën mbrëma ata janë nikoqirë të Bluve në Camp Nou.
Pas humbjes së të shtunës në ‘el Clasico’, Barca nuk është më në garë për titullin e La Ligas, prandaj të gjitha forcat do t’i përqendrojë në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Mbretit.
“Të martën do të shohim nëse mund ta kalojmë testin, por mendoj se lojtarët tanë do të mundohen të gjejnë një mënyrë që gjërat të shkojnë mirë për ne kundër Chelseat”.
“Ajo që do të ndodhë të martën do të shënojë atë që ka mbetur nga sezoni”, ka deklaruar Pep në një konferencë me gazetarë. 

Allegri: Juventusi favorit për titull

Pas barazimit prej 1-1 ndaj Bolognas, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka deklaruar se Juventusi është favorit për titullin e Italisë.
“Jemi të zhgënjyer, sepse nuk mundëm të fitojmë. Ne besuam se mund ta fitonim ndeshjen dhe përkohësisht të ngjiteshim në krye të tabelës”.
“Mirëpo, është e vërtetë se janë edhe pesë ndeshje të mbetura. Nëse Juventusi fiton sonte (e diel), ka gjasa të mëdha që ata ta fitojnë Scudetton, por nëse nuk fitojnë, gjithçka do të mbetet si ka qenë”, ka thënë Allegri për Sky Sport Italia.
Zonja e Vjetër zhvillon kryendeshjen e kësaj jave në Juventus Stadium kundër Romës, dhe me fitore eventuale do të largohet tri pikë nga Milani. 

Derbi i Mançesterit vendos titullin

Me rezultat prej 2-0, Manchester City ka triumfuar në Molineux Stadium kundër Wolverhampton Wanderers për të bërë një hap mjaft të rëndësishëm në garën për titullin e Anglisë.
Në gjysmën e parë (27’), Sergio Aguero shënoi golin e tij të 22-të këtë edicion në Ligën Premier dhe me epërsi të ekipit mysafir skuadrat shkuan në pushim.
‘Pasanikët’ ishin ata që shënuan edhe në fraksionin e dytë, ndërsa realizues ishte Samir Nasri (74’), i cili u asistua nga Carlos Tevez.
Pas kësaj fitoreje, Manchester City gjendet vetëm tri pikë prapa Manchester Unitedit, ashtu që pritet një derbi i zjarrtë mes dy skuadrave nga kreu i tabelës, i cili do të jetë vendimtar se si do të shkojnë gjërat sa i përket titullit.
Nga ana tjetër, Wolverhamptoni përshëndetet nga Liga Premier dhe tashmë është pjesë e ligës Championship.
Ndryshe, Liverpooli ka përjetuar një tjetër dështim. Kësaj radhe është mposhtur me epërsi minimale nga WBA në Anfield. 

Rada kërkon lirimin e serbëve të arrestuar

Deputetja e Listës së Bashkuar Serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic ka apeluar tek bashkësia ndërkombëtare që të ndikojë për t’u liruar nga arrestimi Goran Arsicin – kryetar i të ashtuquajturit Rrethi i Kosovës dhe sekretarin e Kryqit të Kuq në Lipjan, Novica Zivic, të arrestuar një ditë më parë.
Goran Arsic dhe Novica Zivic, janë arrestuar pas akuzave të ngritura nga disa qytetarë serbë në Lipjan, se po u bënin presion për t’i detyruar që të marrin pjesë në zgjedhjet serbe. Ata i kanë kërcënuar bashkëkombësit e tyre, se nëse nuk votojnë, do të arrestohen kur të hynë në territorin e Serbisë.
Në një deklaratë me shkrim, që ua shpërndarë mediave, Trajkovic ka theksuar se arrestimi i dy serbëve është vazhdim i aksionit të arrestimit pa shkak të serbëve në Kosovë, i cili ka për qëllim që të gjithë të tjerëve t’u çojë mesazhin se janë të padëshirueshëm në Kosovë.
"Kjo ndjekje e serbëve është ekskluzivisht e motivuar etnikisht dhe nuk mund t’i arsyetojë as deklaratat e rrejshme të dëshmitarëve dhe as arsyetimet absurde të Policisë së Kosovës”, ka thënë Trajkovic.

Tadic: Pa zgjedhje lokale në Kosovë

Pretenduesi edhe për një mandati të presidentit në Serbi, Boris Tadic ka theksuar se zgjedhjet lokale në Kosovë nuk do të mbahen, sepse është krijuar një situatë e re në të cilën bashkësia ndërkombëtare insiston në rezolutën 1244, sipas së cilës përgjegjës për organizim zgjedhjesh në Kosovë është UNMIK-u.
Tadic ka theksuar se problemi i zgjedhjeve në Kosovë ekziston sepse Serbia nuk ka sovranitet të plotë pas vitit 1999 dhe pas miratimit të rezolutës 1244 në të cilën tekstualisht theksohet se UNMIK-u është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë e jo organet përkatëse në Serbi, njofton B92, citon Koha.net.
"Me Rezolutën 244 mbrojmë pjesën e mbetur të sovranitetit që është i mundur të mbrohet në Kosovë dhe po qe se sillemi në kundërshtim me të, do të shkelnim të drejtën ndërkombëtare dhe do t’iu jepnin të drejtë kundërshtarëve”, ka thënë Tadic, lider i Partisë Demokratike.
Ai ka theksuar se UNMIK-u nuk mund të garantojë zgjedhjet në Kosovë dhe se po zhvillohen bisedime delikate me OSBE-në dhe se Serbia nuk ka potenciale të sigurisë për të mbajtur si duhet zgjedhje lokale në Kosovë.
“Ato mund të mbahen vetëm në bashkëpunim me bashkën ndërkombëtare”, ka thënë Tadic, duke përsëritur se "edhe Kosova edhe Evropa" është politika e vetme e mundshme e që mund ta zhvillojë Serbia. 

Mbëltohen drunj dekorativë në kazermën “Adem Jashari”

Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës, në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së, në Prishtinë, sot simbolikisht u mbëltuan fidanë (drunj dekorativë, bredha, trëndafila dhe lule sezonale).
Në aktivitetin e organizuar në shënimin e kësaj dite ishin të pranishëm ministri i FSK-së Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati me bashkëpunëtorë, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, MBPZHR-së, MASHT-it, Komunës së Prishtinës dhe USAID BEP.
“Mbjellja e këtyre drunjve dekorativ dhe fidanëve, në kazermat tona, është një simbolikë, sepse këta drunj do të jetojnë dhe paraqesin një lidhje mes nesh dhe gjeneratave të ardhshme”, tha ministri i FSK-së, Agim Çeku.
Ai apeloi te të gjithë qytetarët e Kosovës, që të angazhohen maksimalisht për një ambientet më të bukur dhe më të pastër në Kosovë.
Pjesëtarët e FSK-së, në ambientet e kazermës “Adem Jashari” kanë mbjellë qindra drunj dekorativë pishe, kumbulla dekorative, trëndafila dhe lule sezonale.
Dita e Tokës me një aktivitet u shënua edhe në Parkun Nacional në Gërmi. 

Klinikat e QKUK-së pa drejtorë

Klinikat e QKUK-së drejtohen ende nga ushtrues detyre, sepse Ministria e Shëndetësisë dy herë me radhë ka anuluar zgjedhjen e drejtoreve pas miratimit të statusit për këtë qendër sipas të cilit, do të pamundësohen parregullsitë në këtë proces. Por sipas, drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Nijazi Gashi, ky statut lë hapësirë për manipulim.
”Unë mendoj se statuti i ngërthen në vete të gjitha interesat e palëve të përfshira në këtë statut përpos që nuk është mirë i definuar. Statuti i profesorëve që janë të angazhuar në procesin mësimor mund të lë hapësirë për interpretim të dyfishtë”, tha Gashi për RTK-në.
Me këtë statut të mjekëve të angazhuar në QKUK, njëkohësisht u lejohet që të punojnë po ashtu me orar të plotë edhe në procesin mësimor, thotë Gashi.
Ndërsa drejtori i zyrës për informim në Ministrinë e shëndetësisë, Faik Hoti, tha se statuti është punë kryer dhe se ky është udhëzim për QKUK-në. ”Ai është një dokument i vlefshëm në bazë të cilit do të punoj QKUK-ja”.
Sa i përket shpalljes se konkursit për drejtor të Klinikave, Hoti tha se po punohet në këtë drejtim, por pa nxitim. ”MSH-së në bashkëpunim më QKUK-në do të do të përcaktojnë dinamiken për shpalljen e konkursit të drejtorëve të klinikave. Do të jetë një proces i përbashkët nuk do të nxitohet në momentin që do të krijohen kushte të mira atëherë do të shkohet më shpallje të konkursit”.
Edhe drejtues të Grupit të Ekspertëve të Shëndetësisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) kanë deklaruar se gjendja në shëndetësi vazhdon të mbetet e rendë dhe Ministria e Shëndetësisë po vazhdon me politika joefikase në menaxhimin e institucioneve shëndetësore, pasi që sipas tyre për më shumë se dy vite klinikat po udhëhiqen nga ushtrues detyre.
LDK vlerëson se por gjithashtu mungon edhe inspektimi i këtij sektori dhe llogaridhënia e institucioneve private, transmeton Kosovapress.
Në emër të Grupit të Ekspertëve të Shëndetësisë në LDK, Izet Sadiku, gjatë një konference për media, të dielën deklaroi se në një analizë të bërë për gjendjen në Shëndetësinë kosovare ka konstatuar se gjendja në këtë sektor të rëndësishëm për popullsinë vazhdon të mbetet e rendë dhe se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, po vazhdon me politika joefikase në menaxhimin e institucioneve shëndetësore. 

Spahiu, ambasador në Holandë

Ambasadori i deritashëm i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, do të vazhdojë karrierën diplomatike, por në një shtet tjetër. Burime të KosovaTimes kanë thënë se ai do të shërbejë si ambasador i Kosovës në Holandë.
Ambasador i ri i Kosovës në SHBA është caktuar Akan Ismaili, i cili pritet që më 2 maj t’ia dorëzojë letrat kredenciale presidentit Barack Obama, në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo është konfirmuar të mërkurën e kaluar kur presidentja Atifete Jahjaga ka pritur në një takim ambasadorin Ismaili.
Avni Spahiu, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Amerikë, ka shërbyer në Washington rreth katër vjet. Spahiu do të shkojë në Hagë të Holandës në kuadër të rotacionit në shërbimin diplomatik të Kosovës. Para se të marrë këtë detyrë të re, ambasadori Spahiu do të kthehet fillimisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. 

Fakte për krimet serbe në Kosovë

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë për vetëm një vit të funksionimit, ka nxjerr të dhëna e fakte të bollshme për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, me të cilat mund të shërbehen institucionet dhe organet e ndjekjes. Ata kërkojnë përshpejtimin e ligjit dhe buxhet të veçantë për të pasur punë më efektive.
Anëtarët e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë po kërkojnë buxhet më të madh nga qeveria e vendit për të çuar përpara mbledhjen e pjesës më të paprekur të dëshmive të krimeve të luftës, dhunimet.
Ismet Salihu, anëtar i këtij instituti, përgjegjës për pjesën e hulumtimit për krime kundër njerizimit dhe gjenocid thotë se i duhet një ekip më i madh në terren për të mbledhur dhe sistemuar dëshmitë e krimeve, sidomos dhunimet.
“Do të mundohemi të mbledhim të dhënat për vrasjet, vrasjet e fëmijëve, deportimet dhe do të jetë segment i veçantë për herë të parë mbledhja dhe dëshmimi i dhunimeve, sepse dyshohet se janë dhunuar mbi 10 mijë femra shqiptare”, i ka thënë Salihu Radio Kosovës.
Salihu thotë se Instituti për herë të parë do t’u jap formën profesionale dëshmive të mbledhura në terren. “Kemi paraparë që të dhënat e institutit përveç që do t’u shërbejnë të gjitha institucioneve ato do të jenë të gatshme edhe për organet e ndjekjes”, ka thënë Salihu.
Fejaz Drançolli, që kryeson ekipin për hulumtimin e krimeve në trashëgiminë kulturore kosovare thotë se ka mbledhur fakte që do shërbejnë jo vetëm si shifra dëmesh, por edhe si dëshmi për organet e ndjekjes.
“Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore ka qenë një gjenocid. Jemi duke mbledhur dokumentacionin dhe tash shpejt mund të bëhet edhe padia. Ne shpejt gjithashtu mund t'i japim edhe koston sa kushtojnë, por në të shumtën kanë ndodhur dëmtime të pariparueshme”, ka thënë Drançolli.
Bedri Bahtiri, sekretar i përhershëm në Ministrin e Drejtësisë pjesë e së cilës është Instituti ka thënë se presin ligjin për Institutin për të mundur të përcaktohet qartë rregullimi buxhetor i tij.
Anëtarët e Institutit kanë thënë se po hulumtohen edhe krimet e kryera ndaj etniteteve të tjera në Kosovë.
Instituti kosovar për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka marrë për detyrë të mbledh, sistematizoj, përpunoj dhe publikoj të dhënat për krime kundër paqes, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera gjatë viteve 1990 – 1999. 

Nuk precizohen “mjetet kushtetuese”

Edhe pse Beogradi zyrtar ka hequr tashmë dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, disa nga përfaqësuesit e banorëve serbë të pjesës veriore të vendit vazhdojnë të insistojnë që më 6 maj të ketë zgjedhje për kryesitë dhe asambletë komunale të Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Përfaqësues të Qeverisë së vendit janë shprehur në mbështetje të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të shtetit serb në Kosovë, bazuar në parimin e dyshtetësisë, ndërsa kanë paralajmëruar përdorimin e “të gjitha mjeteve kushtetuese” për parandalimin dhe pengimin e zgjedhjeve lokale.
Në Policinë e Kosovës thonë se ekzistojnë plane operative për këtë çështje, por se deri më tani nuk ka një urdhër të prerë për veprimet që parashihet të ndërmerren në ditën e zgjedhjeve, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në pyetjen se çfarë veprimesh parashihet të ndërmerren sipas planeve në fjalë dhe se a hyn konfiskimi i materialit zgjedhor në kuadër të këtyre veprimeve, zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, shprehet: “Veprimet tona nuk duhet gjithmonë të jenë të pavarura, duke marrë parasysh kompetencat ekzekutive të partnerëve ndërkombëtarë të sigurisë - EULEX-it dhe KFOR-it”.
Rëndësinë për veprime të koordinuara me mekanizmat ndërkombëtarë në veri e theksojnë edhe njohësit e rrethanave politike dhe proceseve zgjedhore në Kosovë.
E rëndësishme në këtë aspekt, sipas profesorit Mazllum Baraliu, do të jetë që Beogradi të mos luajë një “lojë të dyfishtë”.
“Besoj dhe shpresoj që kësaj radhe Beogradi është i sinqertë në relacion me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe me vetë serbët e veriut - si qytetarë të Kosovës - që të mos lejojë ose të mos përkrahë të paktën mbajtjen e atyre zgjedhjeve që janë jolegjitime”, vlerëson Baraliu.
Analistët në Beograd thonë se me tërheqjen e Serbisë nga vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, nuk është ndërprerë mbështetja dhënë strukturave paralele të instaluara në pjesën veriore të Kosovës.
Jelena Milic, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euroatlantike në Serbi, thekson rëndësinë për një dialog ndërmjet shtetit serb dhe serbëve lokalë në veri për këtë çështje.
Zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë ishte përmendur disa herë si parakusht për avancimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.Në kuadër të kërkesave të deritashme që disa nga shtetet anëtare të BE-së i kanë bërë qeverisë serbe, ishte dhe mos mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, meqë me këtë, siç thuhet, do t’u vazhdohej mbështetja politike strukturave paralele ekzistuese. 

Klopp: Dortmundi im, ‘i çmendur’

Trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopp, e ka përshkruar ekipin e tij si asgjë tjetër pos të ‘çmendur’, pasi gjermanët me sukses kanë mbrojtur titullin në Bundesliga të shtunën.
“Është vërtet fantastike kjo që ka arritur ekipi im, nuk kam fjalë për të përshkruar triumfin”.
“Nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë kampion meritor, atëherë jemi ne ata. Ekipi im ka karakter të jashtëzakonshëm dhe gjërat që ata po bëjnë janë thjeshtë të çmendura”, ka potencuar Klopp. 

United kërkon Jordi Alban

Manchester United është duke e menduar një ofertë prej 18 milionë eurosh për mbrojtësin e Valencias, Jordi Alba.
Gjiganti anglez është vënë në kërkim të një zëvëndësuesi të Patrice Evras dhe kanë shprehur dëshirën për të dëgjuar ofertat për francezin.
Sipas Goal, Sir Alex Ferguson ka dërguar agjentët e vet për të përcjellë gjendjen e Jordi Albas, teksa në luftë për të e ka konkurrent edhe rivalin lokal, Manchester Cityn. 

Tjetër gabim nga Milani

Milani ka arritur vetëm një barazim ndaj me rezultat 1-1 ndaj Bolonjës në San Siro, duke vështirësuar kështu pozitën në luftën për titull të kampionit në Serie A.
Ishte kjo një sfidë ordinere, ku Milani filloi me dominim, por Rossonerëve u mungoi vizioni për të shënuar.
Këtë e shfrytëzuan më së miri mysafirët, të cilët me anë të Gaston Ramirezit shënuan golin e vetëm të sfidës (26’).
Në vazhdim të takimit Milani bën presion dhe vihet në kërkim të golit. Në pjesën e dytë në një moment Ibrahimovic edhe realizoi, por gjyqtari tregoi për pozicion jashtë loje. Sipas asaj që kemi parë, Ibrahimovic nuk ishte në pozicion jashtë loje dhe goli i shënuar nga ai ishte i rregullt.
Edhe pas këtij momenti Milani bëri presion të madh, por Bolonja mbylli ekipin. Milani mbetet me 10 lojtarë në minutën e 84 kur përjashtohet Bonera me kartonin e dytë të verdhë.
Milani bëri gjithçka në fund por arriti vetëm te golii barazimit të cilin e shënoi Zlatan Ibrahimovic (90’) pas harkimit nga Urby Emmanuelson. Milani kishte dhe një mundësi të mirë të lëshuar nga Nocerino, por kjo ishte gjithçka që Rossonerët bënë, një barazim me rezultat 1-1.
Kështu Milani barazon pikët me Juventusin në krye të tabelës së Serie A, teksa Bianconerët sonte në mbrëmje zhvillojnë derbin ndaj Romës.

Nadal deklason Djokovicin

Rafael Nadal është fituesi i turneut Monte Carlo Masters, pasi deklasoi rivalin e tij serb, Novak Djokovic.
Nadal i dha leksion numrit 1. të botës së tenisit, duke mposhtur atë pa problem me rezultat 6-3 dhe 6-1.
Spanjolli fantastik edhe niher paralajmëroi rivalët e tij se në French Open ai nuk e ka ndërmend të pranojë diçka më pak se sa vendin e parë, teksa dëshoi formën kolosale në terrenet me rërë.