Jay-Z kërkon nga Beyonce t’i kthehet punës

Reperi Jay-Z raportohet se është duke punuar në një rikthim në skenë të bashkëshortes së tij Beyonce pas lindjes së vajzës së tyre, Blue Ivy.
Sipas shtojcës së New York Post, Page Six, Jay i është drejtuar Live Nation për një marrëveshje në vlerën e 150 milionë dollarëve për një turne botëror të Beyonce, menjëherë pas lindjes së saj në janar.
“Vetëm disa javë pas lindjes së Blue Ivy, Jay është takuar me Live Nation për të diskutuar turneun e Beyoncé. Ai dëshironte një marrëveshje në vlerën e 150 milionë dollarëve, por ata kishin ardhur me një ofertë më të ulët”, ka thënë burimi. 

Keira ka problem me lëkurën

Aktorja e Hollywoodit, Keira Knightley, thotë se ajo e urren lëkurën e saj.
“Kurrë nuk e kam parë veten si atraktive në atë mënyrën glamuroze. Jam e vetëdijshme për faktin se kam lëkurë të keqe. Në fakt, jam e vetëdijshme për shumë pjesë të trupit por, ngjashëm, jam e vetëdijshme se kjo funksionon në raste të caktuara dhe për gjëra të caktuara”.
“Nëse e shfrytëzoni fytyrën tuaj, nëse e shitni, atëherë ju bëheni të vetëdijshëm për të metat pasi të tjerët ju tregojnë. Dhe ata e bëjnë këtë aq ashpër. Andaj ju më pas filloni ta shihni”.
“Nuk them se shikoj në pasqyrë gjithë kohën dhe them: ‘Oh Zot, kjo është e tmerrshme!’ Mund ta shikoj veten dhe të them: ‘Oh mirë, sot dukesh mirë’, ose “Oh, shk... Dukesh si m... sot”, ka thënë aktorja britanike. 

Freax feat F-Kay sjellin ‘Freaky’

Grupi i njohur shqiptar Freax, të cilët jetojnë në Zvicër, kanë realizuar projektin e tyre më të ri muzikor.
Kësaj radhe Freax vijnë në bashkëpunim me reperin F-Kay me këngën e tyre ‘Freaky’.
Videoja e kësaj kënge është punuar nga produksioni “EMF Creative”.
Grupi Freax gjithashtu ka bashkëpunuar edhe me këngëtarin Blero dhe Dj Dalool.
Më poshtë mund ta dëgjoni këngën ‘Freaky’.   

Nuk janë fejuar Ledri dhe Dafina

Ishte përfolur këto ditë se këngëtarja Dafina Zeqiri dhe reperit Ledri Vula janë fejuar. Por siç duket e gjithë kjo është veç një thashetheme.
Dafina në faqen e saj zyrtare Facebook, ka shkruar që nuk është e fejuar me Ledrin. Ajo ka pohuar gjithashtu se kënga ‘Tonight’ do të bëhet në version të ri, në bashkëpunim me Ledrin.
Klipi i kësaj kënge është duku u xhiruar në Los Angeles dhe pritet të publikohet së shpejti. 

Pastrimi i shtëpisë pas kthimit nga puna, nuk është i shëndetshëm

Secilën herë që jeni ankuar se punët e shtëpisë pas kthimit nga puna e përditshme u shkaktojnë stres, keni pasur të drejtë.
Sipas hulumtimeve të reja, pastrimi dhe rregullimi i shtëpisë pas punës, është ngjashëm i dëmshëm si për femrat ashtu edhe për meshkujt. Bëhet fjalë për atë se pastrimi pas kthimit nga puna pengon zvogëlimin e nivelit të kortizolit- hormonit përgjegjës për stres.
Të dhënat e grumbulluara nga analizimi i 30 çifteve kanë treguar nivele të ndryshme të kortizolit, varësisht se kush i ka kryer punët e shtëpisë. Nëse punët i ka kryer mashkulli, niveli i kortizolit ka qenë më i ulët te femrat, ndërsa supozohet se kjo ka ndodhur për faktin se ato kanë menduar se gjithçka duhet të bëjnë vet.
Kortizoli te meshkujt ishte më i ulët kur ata nuk kishin pastruar dhe nuk kishin rregulluar, edhe atë jo vetëm që nuk kanë punuar, por edhe për faktin se e kanë ditur se nuk duhet të punojnë.
Niveli i lartë i kortizolit gjatë gjithë ditës ndikon negativisht në rezistencën tonë në sëmundjet fizike, ndërsa sipas disa studimeve tjera, mund të sjellë edhe deri te vdekja e mëhershme

Edhe meshkujt e “përjetojnë” shtatzëninë

Shtatzënia zakonisht emërohet edhe si “gjendje tjetër”, sepse numri i madh i ndryshimeve që përjeton organizmi i femrës është vërtet i jashtëzakonshëm.
Nuk janë vetëm femrat të atakuara nga dëshirat e pazakonta, gulçet dhe shpërthimet e emocioneve, sepse një studim i ri tregon se një e katërta e baballarëve të ardhshëm përjetojnë simptoma të ngjashme me gratë e tyre shtatzëna.
Në kohën e tashme, kur edhe meshkujt, edhe femrat kanë obligime të ngjashme, të dy punojnë dhe sakrifikohen për familje- meshkujt janë gjithnjë më të lidhur me fëmijët. Në të vërtetë, për shkak të kësaj lidhjeje, përgjatë nëntë muajve të shtatzënisë nuk kalojnë vetëm femrat, por edhe burrat e tyre.
Në këtë periudhë mjaft emotive, rreth një e katërta e baballarëve të ardhshëm ndiejnë ndryshime të jashtëzakonshme, të cilat manifestohen nëpërmjet dëshirës së pazakontë për ushqim ose për ushqime të caktuara, emocione të forcuara dhe ndryshime të menjëhershme të disponimit, kurse në raste ekstreme madje ndiejnë edhe dhimbje dhe gulçe në bark. 

Lenovo – vetëm bateri origjinale?

Lenovo planifikon freskimin e linjës së vet ThinkPad Edge. Por, modelet e rinj E430 dhe E530 pritet të sjellin teknologjinë Battery Safeguard e cila nuk do ti pëlqej shumë përdoruesve.
Në të vërtet, siç shkruan The Verge, bëhet fjalë për teknologjinë e cila do të mundësoj përdorimin vetëm të baterive origjinale në portativë. Ngjashëm me ngjyrën tek shtypësit, bateritë origjinale sipas pohimeve do të kenë të integruar çipin për identifikim. Në rast se portativi nuk themelon komunikimin me baterinë në mënyrën e caktuar, bateria nuk do të mund të përdoret.
Portativët do të duhej të jenë të bazuar në gjeneratën e re të procesorëve Ivy Bridge, e do të sjellin konektorët USB 3.0 dhe dizajn paksa më të hollë. Modeli E530 i cili është i bazuar në procesorin Trinity të AMD-së do të paraqitet më së herëti gjatë qershorit, thonë burimet.

Transporti publik

Padyshim që deri më tani gjatë udhëtimit me transport publik keni parë shumë situata dhe udhëtarë të pazakonshëm.
Derisa ka të tillë që kujdesen për higjienën personale, të tjerët lexojnë libra, ka edhe gjysmë të zhveshur apo me veshje të brendshme, por ka edhe njerëz që marrin me vete kafshët.
Më poshtë, përmes fotografive, ju sjellim disa prej situatave të çuditshme në transportin publik.
<

Fëmijët duke kënduar gjatë udhëtimit (Video)

Udhëtimet shpesh mund të jenë të lodhshme dhe të mërzitshme sidomos për fëmijët, të cilët nga natyra janë të padurueshëm.
Për të tërhequr vëmendjen dhe për ta bërë rrugën që të zgjasë më pak, prindërit gjatë vozitjes lëshojnë këngët që u pëlqejnë fëmijëve të tyre.
Ndërsa fëmijët janë gjithmonë të gatshëm për t’i kënduar ato.
“Beat It” - Michael Jackson

“Smells Like Teen Spirit” - Nirvana


“California Girls” – Katy Perry ft. Snoop Dogg


“Baby” – Justin Bieber


“Skyscraper” - Demi Lovato

Merimanga merr automjetin ku gjendej arkivoli me një të vdekur

Për shkak të parkimit të gabuar në qytetin francez Toulouse, ‘merimanga’ e ka marrë nga rruga një automjet në të cilin gjendje arkivoli së bashku me trupin një të vdekuri.
Asistenti i kryebashkiakut të Toulouse ka deklaruar se në automjet nuk ka pasur kurrfarë shenje dhe se “policia komunale nuk ka mundur ta dijë se bëhet fjalë për një automjet arkivolesh e aq më pak se në të gjendet i ndjeri”.
Vozitësi i automjetit kishte udhëtuar nga Lyoni në drejtim të Portugalisë ku do të bëhej varrimi. Ai ishte ndalur për të pushuar në Toulouse, por kur është zgjuar nga gjumi, nuk e ka gjetur automjetin në vendin e parkimit
Pas thirrjes së policisë, ai e kishte marrë vesh që atë e ka marrë merimanga. Vozitësi nuk e ka pasur të vështirë që ta vazhdojë rrugën, por fillimisht është dashur të paguajë 35 euro dënim për parkim të gabuar dhe 90 euro për shpenzimet e kompanisë së automjetit merimangë.

Pi një litër vodka për 15 sekonda (Video)

Një mashkull me nofkën ‘Shoenice22’ ka publikuar një video në YouTube në të cilën brenda 15 sekondash pi një litër vodka Absolut.
Nuk mund të vërtetohet nëse në shishe ka përnjëmend vodka ose diçka tjetër dhe po ashtu nuk dihet se çka ka ndodhur me të pasi e ka pirë gjithë atë sasi alkooli për një kohë aq të shkurtë. 
</

Lugina do autonomi politike

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi kërkon që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të zgjidhet në korrelacion me atë të serbëve të veriut, dhe për këtë çështje ai kërkon ndihmën edhe të Prishtinës por edhe të Tiranës.
Nëse ndërmjet shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe serbëve në veri të Kosovës, krijohen standarde të dyfishta, Kamberi thotë se konfliktet dhe trazirat në Ballkan nuk do të përfundojnë kurrë.
“Pra, nëse aplikohen standardet e dyfishta, atëherë kjo do të jetë një burim i vazhdueshëm i konflikteve në këtë zonë të Ballkanit Perëndimor. Ne mendojmë se vlerat e caktuara të Planit të presidentit Ahtisaari të cilat paraqesin standarde më të larta se ato që i ka Këshilli i Evropës, sa u përket të drejtave të komuniteteve, duhet të jenë të respektueshme edhe në Luginë të Preshevës”, thotë Kamberi në një intervistë për “Zëri”.
Kryetari i Bujanocit dhe ish-anëtari i grupit negociator gjatë konfliktit në Luginë... e ndien veten të izoluar nga marrëveshjet e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Ai thotë se janë shqiptarët e Luginës ata që po e paguajnë “haraçin” e negociatave të Brukselit. Sipas Kamberit, është edhe Qeveria e Kosovës ajo që po i kontribuuan këtij izolimi, sepse me një vendim të veçantë ajo mund t’i heqë tarifat doganore.
Prefekti i Bujanocit gjithashtu i konsideron të panevojshme dhe provokuese zgjedhjet e serbëve në Kosovë, ndërsa e konsideron rrezik permanent që në zgjedhjet lokale shqiptarët të humbasin komunën e Bujanocit.

Kërkojnë largimin e barrikadave

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kërkojnë nga strukturat e sigurisë që të shtojnë presionin për largimin e barrikadave që ende qëndrojnë në rrugët veriut të vendit. Një kërkesë e tillë u shtrua sot në takimin e Komitetit për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se situata në veri mbetet e pandryshueshme. Ai vlerësoi se barrikadat janë duke e mbajtur gjendjen të tensionuar dhe duke krijuar probleme të mëdha për lëvizje të qytetarëve.
“Kërkojmë nga organet e sigurisë që të shtojnë presionin lidhur me largimin e atyre barrikadave që kanë mbetur”, tha ai.
Ai gjithashtu ka shprehur edhe qëndrimin e komunës kundër organizimit të zgjedhjeve nga Serbia në Kosovë. Haziri tha se mbajtja e tyre në veri do të ndikonte në tensionimin e situatës deri në një pikë kritike.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur ndonjë incident serioz që do të reflektohej në situatën e përgjithshme të sigurisë. Si shqetësim të vazhdueshëm përmendi mungesën e lirisë së lëvizjes në veri, sidomos për qytetarët jo serbë.
Ai potencoi se banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviqit vazhdojnë të lëvizin me një minibus që qarkullon nëpërmjet Zveçanit, për shkak të barrikadës në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq, në afërsi të fshatit Kelmend.
“Banorët janë të shqetësuar dhe nuk ndihen të sigurt që të lëvizin nëpër këtë rrugë nëpërmjet Zveçanit”.
Nystret Mehmeti nga policia rajonale, tha se përveç barrikadave problem në veri janë duke paraqitur edhe pengesat që po bëhen për lëvizjen e pjesëtarëve të EULEX-it. “Nuk ka ditë që nuk ka raste të pengimit të lëvizjes së pjesëtarëve të EULEX-it në veri”.
Ai përmendi edhe problemet që janë duke dalur si pasojë e shfrytëzimit të rrugëve ilegale në kufi me Serbinë në veri. “Kemi kërkuar nga KFOR-i që të mbyllin rrugët alternative meqë janë duke shkaktuar mjaft probleme”, tha Mehmeti.

Të zezat e Ibrahimit

Riza Salihu i kundërpërgjigjet Ibrahim Kelmendit, lidhur me vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Të gjitha akuzat në drejtim të tij, ai i quan gënjeshtra. Për këtë arsye, Salihu paralajmëron se të zezat e Kelmendit do t’i nxjerrë në lëndinë.
Riza Salihu ka kundërshtuar ashpër akuzat publike që në drejtim të tij ka hedhur Ibrahim Kelmendi, sipas të cilit, është një nga vrasësit e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.
Para rreth njëzetë vitesh (më 1992), kundër Ibrahim Kelmendit kam ngritur padi në Gjermani, për shpifje. Ajo padi nuk ka mundur të procedohet, për shkak se Ibrahim Kelmendi nuk kishte më vendqëndrim në Gjermani dhe nuk ndodhej në Gjermani. Prandaj tash, pasi u paraqit sërish, është çasti kur duhet t’i përgjigjem me një shprehje të moçme, shumë të njohur ndër ne: „Po ku je o burrë, se po të lypi për qiell, e ti qenke për toke”!”, nis kundër reagimin e tij, Riza Salihu, shkruan Express.
Sipas Salihut, në tetor 1989, Ibrahim Kelmendi ka dhënë në policinë gjermane një deklaratë kundër tij, me akuza që ai i cilëson të sajuara dhe fund e krye të gënjeshtërta, e që nuk kishin kurrfarë baze.
“Ato ishin akuza të natyrës kryesisht të ngjashme si këto që po i publikon tash në mediumet kosovare, me disa dallime në shfaqjen e sajesave, të cilat vetëm sa e komprometojnë atë edhe më shumë”, shkruan Salihu në letrën e tij.
Pasi shpjegon për përplasjet e tij me Ibrahim Kelmendin në Gjermani, gjatë dekadave të shkuara, Salihu pretendon se organizata e themeluar më 1978, Grupi „Zëri i Kosovës“, Ibrahim Kelmendi ishte ai që e lakmonte, atakonte edhe e denonconte te padronët e tij në Beograd.
“Këtë e bënte duke raportuar për gjithfarë fajesh, ndërsa kur i nevojitej për të mashtruar njerëzit, në mjediset ku mendonte se do t’i shiteshin gënjeshtrat, thirrej në emër të “Zërit të Kosovës”, dhe gënjente njerëzit se gjoja ai po i merr urdhrat nga ky grupim për të vepruar, e deri te niveli i lakmisë për ta likuiduar duke emëruar një „organ” të agjenturës së tij pikërisht me këtë emër”.
Sipas tij, në fakt ajo ishte organizata që u themelua pas dështimit që të themelohej Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës në vitet 1974/75, kur u burgosën veprimtarët veteranë që sot janë mosha më e vjetër ndër të gjallët, (gjenerata e Adem Demaçit).
Si përgjigje të dytë ndaj Kelmendit, Salihu thotë se trumbetimet e mercenarit të SDB–së, Ibrahim Kelmendit, se, siç ka shënuar, „eprorët e UDB–së e kanë urdhëruar ta formojë atë grup për të identifikuar të interesuarit për veprimtari patriotike e çlirimtare në Gjermani dhe në Kosovë”, tingëllon qesharake.
“Por e keqja është që nuk mund as të qeshesh për shkak të veprave të shëmtuara të Ibrahim Kelmendit, sepse ai shumë njerëz ka çuar nëpër burgje. Kur u themelua “Zëri i Kosovës”, nuk ka pasur ndonjë organizatë tjetër që të ketë pasur interes UDB–ja ta zbulonte. Përkundrazi. Ishte Ibrahim Kelmendi me ndonjë bashibozuk tjetër që vinin për të nuhatur dhe zbuluar radhët e kësaj lëvizjeje”, thotë Salihu ndër të tjera në letrën e tij të gjatë.
Ai thotë se akuzat ndaj tij, jo vetëm që janë aq absurde, sa e demantojnë vetveten, por me to Ibrahim Kelmendi edhe po e demaskon vetveten.
“Ai vetë po e nxjerr qartë në shesh faqen e zezë të tij. Ai vetë po tregon se çka ka punuar dhe për se e ka rekrutuar UDB–ja. Sepse as logjika nuk e kap, që më parë të krijohet një grup zbulues, për të zbuluar diçka që (akoma) nuk ekziston, që nuk dihet nëse do të ekzistojë, e edhe nëse do të ekzistojë, nuk dihet se si do të jetë“, shkruan Salihu.
Si pikë të tretë, duke kundërshtuar Kelmendin, Salihu përmend se ai meriton edhe një falënderim të sinqertë, sepse e ka krijuar një shkas që tash duhet patjetër të demaskohen edhe historitë e falsifikuara, jo vetëm përkitazi me rastin Gërvalla, por sipas tij, edhe falsifikime të tjera.
Më tej në letrën e tij, Riza Salihu jep edhe shumë të dhëna të tjera, të cilat i quan fakte, e që kanë të bëjnë me organizime të ndryshme.
Në përfundim të letrës së tij, Riza Salihu përveçqë thotë se do të përballet edhe një herë me ato që i quan gënjeshtrat dhe shpifjet e Ibrahim Kelmendit, kësaj radhe thotë se do të veprojë edhe për diçka tjetër.
“Kam për t’ia nxjerrë të gjitha të palarat në lëndinë“, shkruan në letrën e tij Riza Salihu.

Dikovic padit Kandicin

Shefi i Shtabit Suprem të Ushtrisë së Serbisë, Lubisa Dikovic, ka ngre padi kundër drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasa Kandic, e cila e kishte akuzuar gjeneralin serb si përgjegjës për krime të luftës në Kosovë.
Padia është deponuar në Gjykatën e shkallës së Parë në Beograd, në bazë të shtatë pikave të dosjes për Dikovicin, të cilin në fund të janarit të këtij viti e ka publikuar FDH.
Në dosje thuhet se njësiti 37 i motorizuar i ushtrisë së ish-RFJ-së në Kosovë, nën komandën e Dikovicit, të cilën Slobodan Milosevic e kishte dekoruar me Urdhrin e Heroit Kombëtar, ka kryer krime duke vrarë civilë, ka përdhunuar dhe ka torturuar.
Dikovic më parë ka hedhur poshtë akuzat e FDH dhe të Kandicit si të pavërteta, duke i konsideruar si sulme mbi ushtrinë serbe "si një institucion stabil dhe i respektuar dhe një goditje për funksionin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm", shkruan “Danas”.
Edhe ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, ka hedhur poshtë akuzat e FDH, duke thënë se janë bërë verifikime para se Dikovic të emërohej në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe.
Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se një oficer si Dikovic nuk është i denjë të jetë shefi i ushtrisë dhe u kërkoi autoriteteve kompetente që presidentit të Serbisë t’i ofrojnë faktet për veprimet e ish-komandantit të brigadës 37 të motorizuar gjatë luftës, si dëshmitë e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në zonën e përgjegjësisë së komandantit të luftës Dikovic.

Suarez ende i pakënaqur me rastin “Evra”

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, ende është i pakënaqur rreth rezultatit të përplasjes së tij me mbrojtësin e Manchester United, Patrice Evra.
Uruguaiani nuk ia dha dorën francezit kur skuadrat u takuan në shkurt dhe më vonë ai kërkoi falje për këto veprime të tij, por mbetet i zhgënjyer që është shpallur fajtor nga Federata Angleze e Futbollit.
“Ajo çfarë më dhemb është se unë isha në gjykim dhe nuk kishte dëshmi konkrete”.
“Thjesht ishte fjala ime kundër fjalës së një lojtari tjetër dhe ata e besuan atë. Kjo më dhemb shumë”, ka thënë Suarez.

Schuster të drejtojë Villarrealin?

Ish-menaxheri i Real Madridit, Bernd Schuster, është në rrugë për t’u rikthyer në La Ligën spanjolle.
Nëndetësja e Verdhë dje shkarkoi trajnerin Jose Molina dhe është në kërkim të pasardhësit të tij.
Schuster më herët kishte punuar te Besiktas, por është i papunë që nga fundi i sezonit të kaluar, kur u largua nga klubi turk. 

Lescott: Tevez si nënshkrim i ri për Cityn

Joleon Lescott thotë se rikthimi në ekipin e parë i Carlos Tevez, i cili pritet të përfshihet në ndeshjen e të mërkurës kundër Chelseat, është si nënshkrim i ri për Manchester City.
“Ai është si një nënshkrim i ri. Ai nuk ka qenë i lënduar andaj nuk do të vuajë shumë në aspekt të mprehtësisë dhe formës. Të gjithë djelmoshat janë të ngazëllyer dhe mezi presin ai të rikthehet për të luajtur sërish”.
“Gjatë dy viteve të kaluara ai mbase ka luajtur në nivelin më të qartë të qëndrueshmërisë se sa çdokush tjetër, andaj askush nuk e mohon atë çfarë Carlos ka bërë për klubin dhe sigurisht atë që do të vazhdojë ta bëjë”.
“Është e qartë se situata nuk ishte më e mira për klubin dhe kjo dukej keq për secilin, por kjo është e kaluar dhe ana e ndritshme është se tash ne e kemi atë të rikthyer dhe e kemi sërish në skuadër”, ka thënë Lescott .

Dalglish i kënaqur me paraqitje në Kupë

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, është i kënaqur me fitoren 2-1 në Kupën FA ndaj Stoke Cityt.
Liverpooli siguroi edhe një udhëtim tjetër në Wembley duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës FA, më pak se dy muaj pasi po në këtë stadium fitoi trofeun e Kupës Carling.
“Ishte më vështirë se që e prita. Ata filluan vërtet në një tempo të lartë në 20 ose 30 minutat e para dhe ne duhej të përballeshim me ta. Pepe Reina nuk ishte shumë i ngarkuar, por ata gjithmonë janë një kërcënim nga ndalimet dhe harkimet”.
“Mendoj se ishte një paraqitje fantastike në shumë aspekte për ne. Nuk ishte më e mira në aspekt se si e pasojmë topin, por mënyra se si ne e kompletuam dhe rreshtuam veten në vijë, ishte një shembull për secilin”.
“Kjo tregon se sa e rëndësishme ishte ta kalojmë këtë sfidë. Ne shënuam dy gola shumë të mirë nga Luis dhe Stewart që na kaluan më tej”, ka thënë Dalglish.

KEP i shpëton falimentimit

Po të mos ndërhynte Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vitin e kaluar, institucioni mikrofinanciar KEP Trust vështirë që sot do të funksiononte. BQK-së, si rregullator i sistemit financiar në Kosovë, iu desh më shumë se një vit kohë ta mbajë nën administrim këtë institucion, në mënyrë që ta shpëtojë nga falimentimi.
Pas një viti, ky institucion financiar u “këndell” dhe Bordi i BQK-së vendosi ta heqë nga administrimi, duke zgjedhur edhe organet drejtuese. “Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 9 nëntor 2011, mori vendim për përfundimin e procesit të administrimit në institucionin mikrofinanciar KEP Trust”, thuhet në vendimin e BQK-së, shkruan Express.
Gjithçka filloi para një viti, kur KEP Trust u kaplua nga disa probleme të qeverisjes së brendshme dhe nuk arrinte t’iu përgjigjej obligimeve kontraktuale. Masa nën administrim të përkohshëm nga BQK-ja qe vendosur në janar të vitit të kaluar.

Muamba mbetet në gjendje kritike

Mesfushori i Bolton Wanderers, Fabrice Muamba, vazhdon të mbetet në gjendje kritike në Qendrën e Sulmeve në Zemër në Spitalin e Londrës.
Në një deklaratë të klubit anglez të dielën në mbrëmje, u konfirmua se nuk ka pasur ndryshime në shëndetin e Muamba pasi më herët stafi zbuloi se ata kishin punuar dy orë për të rivënë në funksion zemrën e 23-vjeçarit.
“Fabrice Muamba mbetet në gjendje kritike në kujdesin intensiv në Qendrën e Sulmeve në Zemër në Spitalin e Londrës”, shkruhej në deklaratë.
Futbollisti u dërgua në spital të shtunën pasi humbi vetëdijen në White Hart Lane kur pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes çerekfinale të Kupës FA kundër Tottenham Hotspur. 

Ferguson: Chelsea është rikthyer në formë

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i ngazëllyer me fitoren ndaj Wolves dhe ka shfrytëzuar rastin për të provokuar rivalin lokal, Manchester Cityn.
City tash do të ketë dy ndeshje para se United të rikthehet në fushë sërish – së pari kundër Chelseat në derbin e të mërkurës, dhe gjatë vikendit do të vizitojë Stoke Cityn.
“Ata kanë një ndeshje të madhe të mërkurën, sigurisht. Chelsea është rikthyer në formë andaj do të jetë vërtet interesante. E rëndësishme është që ne të bëjmë punën tonë”.
“Ka edhe nëntë ndeshje të mbetura dhe ne duhet të t’i mbajmë ata poshtë. Shpresojmë që ndeshjet të përfundojnë dhe ne ta arrijmë atë që dëshirojmë”, ka thënë Ferguson.

FSK-së i kërkohet ta trajnojë ushtrinë e Libisë!

Komanda e NATO-s në Napoli, pritet që në fillim të muajit tjetër të japë vlerësimin për kapacitete operacionale të FSK-së, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli. Sipas tij, kjo përgjigje e mban peng vendimin për të marrë pjesë në kuadër të ushtrisë britanike në operacionet në Libi.
Ai e vlerëson të arritur të madhe kërkesën që pjesëtarë të FSK-së të trajnojnë ushtrinë e re të Libisë, një kërkesë e bërë nga një ekip i përfaqësuesve të këtij shteti. Ndërkohë, dy grupe të pjesëtarëve të FSK-së, do të trajnohen në Turqi dhe Belgjikë, kryesisht për misione paqeruajtëse jashtë vendit.
Veseli thotë se formalisht, komanda e NATO-s ka miratuar kërkesën që grupi i parë që do të niset në misione paqësore do të jetë në kuadër të Ushtrisë Shqiptare.

Krasniqi: Të ndryshohet ekipi dialogues i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se në asnjë variant nuk është dashur të pranohet fusnota kështu siç është pranuar.
Në një intervistë për “Epokën e Re”, Krasniqi ka thënë se po të kishte biseduar klasa politike në mes vete për këtë çështje do ta kishim një zgjidhje më të mirë.
Krasniqi ka thënë se ekipi dialogues i Kosovës nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për ta udhëhequr këtë dialog.
“Kam pasur edhe kam rezervat e mia se në këtë dialog kemi hyrë të papërgatitur si duhet, pa i planifikuar çështjet që dëshirojmë t’i bisedojmë. Në këtë dialog kemi dërguar një ekip që ka treguar se nuk i ka njohur teknikat e dialogimit. Delegacioni i Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen ose të ndryshohet i tëri”, është shprehur Krasniqi.
Duke folur për veriun, Krasniqi ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. “Çdo dalje përtej kësaj pakoje rrezikon pakon në tërësi”, është shprehur Krasniqi.
Në këtë kontekst, ai u ka bërë thirrje liderëve politikë të kenë një komunikim ndryshe për veriun.
“Liderët politikë duhet ta vendosin një komunikim ndryshe e jo në këtë formë që e kemi hasur deri më tash. Mendoj se konsensusi që lështë arritur për kompromisin në pakon e Ahtisaarit është limiti deri ku ka mundur të shkohet. Pakoja Gjithëpërfshirëse e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. Çdo dalje përtej kësaj pakoje rrezikon pakon në tërësi”, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja t’ia bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të organizojnë zgjedhje në një territor të shtetit të huaj.
“Zgjedhjet e tilla nuk mund të prodhojnë siguri e as stabilitet”, është shprehur Krasniqi.

I mërzitur me politikë, s’kandidon për president

Behgjet Pacolli është lodhur nga skena politike e Kosovës. Lideri i AKR-së thotë se nuk është i interesuar t’i hyjë garës për postin e presidentit të Republikës në këto rrethana të prapaskenave, intrigave dhe ndërskëmsave. Parlamenti i duket një arenë fyerjesh e sharjesh, e ku nuk prodhohet asnjë alternativë.
Në një intervistë për “Express”, Pacolli ripërsërit kërkesën për ta marrë edhe një ministri, derisa konsideron se fusnota do t’i ndihmojë vendit.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli nuk ka vendosur afate të reja për zbatimin e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit.
Por, ai vazhdon të presë nga kryeministri që t’ia ndajë këtë ministri.
Një vit më parë, Behgjet Pacolli kishte vënë si afat shtatorin e kaluar si datë kur duhej të respektohej marrëveshja, por për shkak të zhvillimeve në vend, ai thotë se nuk ka dashur të shkaktojë probleme.
“Marrëveshja është në realizim e sipër. Por, ju e keni parë se me çfarë intensiteti ka punuar Qeveria kohëve të fundit dhe do të ishte shumë jonormale të ndalemi dhe të bëjmë probleme. Megjithëkëtë, marrëveshja do të realizohet. Nuk ka tjetër”, ka thënë Pacolli, në një intervistë për gazetën Express.
“Ne nuk kemi hequr dorë nga kërkesa për edhe një ministri plus dhe disa poste zëvendësministrash”, vazhdon ai.

Reali bie në plus tetë

Real Madridi nuk ka arritur të regjistrojë një tjetër fitore në La Liga për ta ruajtur diferencën prej dhjetë pikësh kundrejt Barcelonës, pasi skuadra e Malagas ka arritur t’ia rrëmbejë një pikë. Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Santiago Bernabeu përfundoi me rezultat 1-1.
Mbretërit ishin ata që sunduan në terren të vet në fraksionin e parë të lojës, ndërsa mysafirët është dashur të jenë të kënaqur pasi pësuan vetëm një herë.
Cristiano Ronaldo bëri një pasim të mrekullueshëm drejt Karim Benzemas, i cili shënoi për epërsinë e vendasve (35’), ndërsa ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë.
Edhe në gjysmën e dytë, lojtarët me fanellat e bardha vazhduan të tregonin lojë të bukur duke krijuar raste të shumta shënimi, mirëpo mungoi finalizimi.
Ajo që thotë rregulli i pashkruar në futboll “nëse nuk shënon, dënohesh”, i ndodhi këtë mbrëmje Realit.
Me një goditje të jashtëzakonshme nga gjuajtja e lirë, Santiago Cazorla e la të pashpresë portierin Casillas (90’+2) për të nxjerrë një pikë të artë për skuadrën e tij.
Pas këtij barazimi, Real Madridi tashmë gjendet tetë pikë përpara Barcelonës, dhe kur kihet parasysh se ‘el Clasico’ i mbetur i këtij edicioni zhvillohet në Camp Nou, atëherë mund të thuhet se gara për titull është ende e hapur. 

‘Neymar, njëri nga pesë më të mirët’

Trajneri i Santosit, Muricy Ramalho, mendon se sulmuesi brazilian, Neymar, është njëri nga pesë lojtarët më të mirë në botë.
20-vjeçari është njëri nga emrat më të kërkuar nga klubet e mëdha evropiane, ndërsa Real Madridi, Barcelona dhe Chelsea janë mes skuadrave që kërkojnë shërbimet e tij.
“Neymar është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai tashmë është njëri nga pesë lojtarët më të mirë në botë, së bashku me Messin, Xavin, Iniestan dhe Cristianon”, ka thënë Ramalho për TV Globo. 

Van Gaal: Benfica mund ta eliminojë Chelsean

Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut, Louis van Gaal, beson se Benfica ka gjasa reale për ta eliminuar Chelsean nga Liga e Kampionëve.
“Benfica ka një skuadër solide dhe ata luajnë me përplot intensitet dhe frymëzim”.
“Madje edhe në mungesë të ndonjërit nga lojtarët kyçë, mendoj se Benfica ka një shans të mirë për ta eliminuar Chelsean, edhe pse do të jetë shumë vështirë”.
“Nganjëherë është më mirë të kesh një grup të fortë lojtarësh sesa vetëm lojtarë të shkëlqyer individualë”, ka thënë Van Gaal për Record.

Torres i lehtësuar pasi shënoi

Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, ndjehet i lehtësuar pas theu ‘tabunë’ duke shënuar pas pesë muajsh.
Spanjolli asistoi dy herë dhe shënoi dy herë në fitoren prej 5-2 në kuadër të FA Cup ndaj Leicester City, ndërsa ishte hera e parë që pas 26 ndeshjesh e gjeti se ku ndodhet rrjeti.
“Më janë dashur këta gola, jam angazhuar aq shumë për t’i shënuar”.
“Në muajin e fundit ekipi ka qenë shumë më i mirë se më parë, jemi më të përkushtuar dhe mendoj se kemi treguar në dy apo tri ndeshjet e fundit se në çfarë drejtimi po shkon sezoni ynë”.
“Unë jam i njëjti, ndjehem shumë më mirë. Kam luajtur mirë, por nuk kam shënuar, mirëpo arrita ta gjej rrjetin sot (e diel), prandaj është ditë e mirë”, ka deklaruar Torres për ESPN. 

Pettifer: Kosova në rrezik

Analisti për çështjet politike të Ballkanit dhe profesor në Universitetin e Oksfordit, James Pettifer, duke analizuar situatën dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, në një intervistë në Top Channel, lëshon alarmin se në Kosovë situata mund të përkeqësohet. Ai ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e zbehin vëmendjen ndaj Kosovës dhe po ia kalojnë përgjegjësinë Bashkimit Evropian.
“Jam i përshirë me çështjet e Kosovës këto 25 vitet e fundit në mënyra të ndryshme. Më duhet të them se situata e tanishme është shqetësuese. Kosova ka bërë disa hapa prapa. Situata në Veri është e paqëndrueshme dhe për mendimin tim po përkeqësohet. Çdo këndvështrim realist mund të mbërrijë në përfundimin se atje gjerat janë duke u përkeqësuar”, shprehet Pettifer.
“Beogradi nuk do të pranojë realitetin e sotëm pasi duan ta trajtojnë veriun e Kosovës sikur të ishte një pjesë e Bosnjës, që sikurse edhe ambasadori britanik e ka thënë, nuk është e tillë pasi situata ligjore është krejt e ndryshme. Fatkeqësisht qeveria e Kosovës ka bërë disa gabime serioze duke bërë lëshime që nuk duhet të kishin ndodhur. Siç mund ta dini unë kam qenë një mik i zotit Thaçi për shumë vite dhe kemi publikuar edhe një libër. Jemi përballë një problemi siç është ai i Fusnotës që ishte një gabim i madh strategjik për Kosovën”, tha analisti amerikan.