Përfundoi takimi i forumeve rinore shqiptare

Në organizim të Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike te Kosovës, sot në Prishtinë, u mbajt takimi i forumeve rinore të partive politike shqiptare nga të gjitha trevat etnike shqiptare, që kishte për qëllim përgatitjet për kremten e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në takim u konfirmua se “Lidhja e Forumeve Rinore Mbarëshqiptare” është emri dhe ombrella me të cilën do të shënohen aktivitetet e forumeve rinore shqiptare për shënimin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në takimin e sotëm, ku morën pjesë 12 forume rinore, u biseduan dhe u listuan një numër i aktiviteteve që të rinjtë e partive politike shqiptare do të organizojnë për të shënuar 100 - vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky takim.
Në emër të FR të LDK -së si nikoqir i takimit, kryetari i i këtij forumi, Xhafer Tahiri lexoi një deklaratë në të cilën thuhet se “Në këtë përvjetor të rëndësishëm të rinjtë shqiptar, sot, kanë nevojë të kenë universitete e arsim cilësor të nivelit evropian. Do të jemi ne të rinjtë, që do të zgjedhim se si do të jetojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit. Shënimi i 100- vjetorit të shtetit shqiptar është shkas i këtij takimi, i cili do të vazhdojë përtej shënimit të kësaj date”, thuhet në deklaratë.
“Liria, është e arritura më e madhe e jona në këto 100 vite. Pavarësia e Kosovës, padyshim paraqet arritjen e një qëllimi të lartë për të cilën u sakrifikuan breza të tërë në Kosovë, që sublimohen në figurat e ndritura të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Sot, sfida jonë është të bashkëmoshatarët tanë në Luginë të Preshevës të vazhdojnë të qëndrojnë në tokat e tyre të lirë, dhe të ndihmojmë të rinjtë në Malin e Zi që të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre kombëtar”.
Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike u pritën nga Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ata i bënë vizitë dhe homazhe te varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe u pritën nga Familja Rugova.
Ndërsa takimi i të rinjve të partive politike shqiptare përfundoi me vizitë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz te varri Komandanti Legjendar të UÇK-së Adem Jashari.