Partitë opozitare, të cilat kishin bërë zhurmë rreth Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, të cilin e kishin quajtur jokushtetues, nuk kanë pasur gatishmëri të kërkonin interpretimin e tij nga Gjykata Kushtetuese.
Deputetët ishin përkrahur për inicimin e kësaj çështjeje edhe nga shoqëria civile, mirëpo ishin tërhequr me arsyetimin se ka kaluar afati kohor për ta proceduar Ligjin përkatës në Gjykatën Kushtetuese.
“Me gjithë gatishmërinë fillestare që partitë opozitare e shprehën në takimet me ne, me arsyetimin e afatit të shkurtër kohor për ta përgatitur lëndën, duket që Ligji për bankat..., përfundimisht nuk do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Taulant Hoxha nga organizata joqeveritare, KCSF, transmeton Koha.net.
Megjithatë, ky mosveprim i deputetëve ka aktivizuar shoqërinë civile, e cila ka vendosur që nëpërmjet institucionit të Avokatit të Popullit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.