Kuçi shfajëson veten për Kodin Penal

Ministria e Drejtësisë, si sponsoruese e Projekt Kodit Penal të Kosovës, njofton opinionin publik se miratimi i këtij Kodi, ku është përfshirë neni 37, në të cilin parashihet përgjegjësia penale e kryeredaktorëve, botuesve, shtypëseve dhe prodhuesve, si dhe nenin 38, ku parashihet mbrojtja e burimit të informatës, është vendim i Kuvendit të Kosovës, përkundër punës se vazhdueshme të Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht Ministrit Hajredin Kuçi, që këto dy nene të largohen nga ky Projekt Kod Penal.

Në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë (MD) thuhet së në një takim të zhvilluar me 3 shkurt, në mes të Ministrit Kuçi dhe përfaqësuesve të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, palët u pajtuan që këto dy nene të largohen nga Projekt Kodi Penal.
Po më 3 shkurt, ministri Kuçi më anë të një letër drejtuar Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga ta që nenet 37 dhe 38, të hiqen nga Projekt Kodit Penal.
Ndërsa, me 7 shkurt, në dëgjimin publikë të ftuar nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, lidhur me Projekt Kodin Penal, ministri Kuçi ka bërë publik qëndrimin e tij për heqjen e neneve 37 dhe 38 nga ky projekt-kod.
Miratimi i Kodit Penal në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës, është kompetencë e këtij institucioni, ngase në këtë fazë Qeveria apo MD, si sponsoruese e këtij projekt-kodit, nuk ka asnjë kompetencë.
Andaj, çdo interpretim që hedh fajin në Qeveri apo Ministrinë e Drejtësisë, për mbetjen e neneve 37 dhe 38 në Kodon Penal, pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, është interpretim joprofesional, thuhet në njoftimin e MD.