Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministres së Punëve të Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar, pas humbjes tragjike të jetëve të 127 udhëtarëve në fatkeqësinë ajrore që ka ndodhur të premten në afërsi të Islamabadit në Pakistan.
Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Hoxhaj i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta ministres pakistaneze, duke theksuar dhimbjen dhe pikëllimin e qytetarëve të Kosovës për këtë fatkeqësi.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu, ka shprehur solidaritetin e plotë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës me familjarët e viktimave, Qeverinë dhe popullin pakistanez, në këto ditë të vështira, thuhet në telegram.