Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, i cili merr po pjesë në ministerialin e NATO-s në Bruksel, ka takuar homologët e tij të Bashkimit Evropian me të cilët ka biseduar për situatën politike në Shqipëri. Haxhinasto ka folur për plotësimin e kritereve për integrimin evropian, si dhe për mundësinë e marrjes këtë vit të statusit të vendit kandidat në BE.
Edhe pse problemet e sigurisë në rajonin e Ballkanit nuk kanë qenë në rendin e kësaj mbledhjeje, shefi i diplomacisë shqiptare thotë se është folur edhe për ngjarjet e fundit dhe tensionet etnike në veriun e Kosovës si dhe në Maqedoni.
Tirana zyrtare ka shprehur qëndrimin e saj dhe ka kërkuar kapërcimin e kësaj situate shqetësuese në rajon, shkruan Express.
Haxhinasto rikonfirmoi edhe njëherë vizitën zyrtare të Sekretares së Shtetit amerikan, Hillary Clinton në Tiranë, në përgjigje të ftesës së tij të bërë gjatë një takimi me të, në ministerialin e NATO-s në Bruksel.