E duam UP-në, jo UPDK-në

Aktivistët e Lëvizjes “Studim Kritikë Veprim”, kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
“Universiteti i Prishtinës është kapur nga pushteti. Përmes kontrollit të shtruar nga mekanizmat e vëna si Këshilli Drejtues politik, që zgjedh rektorin politik e i cili shtrinë ndikimin e interesave politike të pushtetit të cilit i takon, UP po mbushet edhe në strukturën e vet akademike me njerëz të pushtetit”, ka thënë aktivisti Qendrim Allaqi.
Sipas tij, agjentët e shërbimeve sekrete po futen si personel akademik në UP.
“Ish agjenti i SHIK-ut dhe aktualisht deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu-Kamishi po futet si profesor-asistent në Universitet, duke mos e plotësuar asnjë kriter statutor të UP-së, por duke plotësuar kushtin kryesor të mekanizmave që e kontrollojnë UP-në: atë të të qenit njeri i pushtetit.
Alliqi thotë se me Këshillin Drejtues të PDK-së, me rektorin e PDK-së, me profesorë si ministra e deputetë të PDK-së, tash me simbolin qesharak të SHIK-ut të PDK-së - Kamishin - UP është bërë UPDK.
“Rruga që keni zgjedhur për në UPDK është rrugë që kalon mbi Statutin, Ligjin dhe normat shoqërore të Republikës. Prandaj, ne do t’ju ndalojmë me të gjitha format e organizimit studentor. Studentët e UP-së, bashkë me shumë profesorë të vullnetshëm për universitet të mirëfilltë do ta mbrojnë UP-në... Studentët e duan UP-në. Nuk e duan UPDK-në. UPDK është e paligjshme. E vetmja mënyrë për të mbërritur te UPDK është duke shkelur në Statutin e UP-së dhe ligjet e Republikës. Kjo rrugë çon në shkatërrimin e sigurt të shoqërisë sonë. Ne, do ta ndalojmë këtë shkatërrim”.

Ranieri të rikthehet te Fiorentina?

Claudio Ranieri është duke u lidhur me detyrën e trajnerit të Fiorentinës.
Viola është duke kërkuar trajner të ri pasi shkarkoi Delio Rossin javën e kaluar pas një përplasje të tij me Adem Ljajic.
Nëse arrihet një marrëveshje, Ranieri do të rikthehej në Firencë pas 15 vitesh, pasi fitoi Kupën dhe Superkupën e Italisë gjatë periudhës nga viti 1993 deri në vitin 1997.
Ish-menaxheri i Chelsea po ashtu ka shprehur interesim të marrë nën drejtim klubin anglez West Bromwich Albion.

Barcelona të zgjedhë Alban në vend të Bale?

Barcelona raportohet se është gjithnjë e më afër për të nënshkruar me mbrojtësin e Valencias, Jordi Alba.
Ish-lojtari i juniorëve të Barcelonës ende nuk ka arritur marrëveshje të re me Valencian, duke lënë kështu derën e hapur për një rikthim në Nou Camp këtë verë.
Anësori i Tottenhamit, Gareth Bale, është caku kryesor i Blaugranëve për pozitën e mbrojtësit të majtë, por vlera e tij prej 30 milionë eurosh është shumë e lartë për klubin spanjoll.
Barca shpreson ta transferojë Alban për rreth 12 milionë funte. 

Vidal: Nuk mendoj për Realin

Arturo Vidal thotë se ai është i fokusuar te Juventusi dhe dëshiron ta fitojë Kupën e Italisë dhe nuk është duke menduar për Real Madridin.
Drejtues të kampionit të ri të Italisë zbuluan së fundi se Madridi ishte interesuar për mesfushorin kilian, por se ata nuk kanë synime ta lejojnë atë të largohet. Tash edhe Vidal ia ka premtuar të ardhmen e tij klubit.
“Jam shumë i kënaqur me gjithçka këtu. Jam pjesë e një skuadre të fuqishme si Juventusi. Nuk mendoj për Real Madridin. Jam në kampionatin italian dhe objektivi im i radhës është ta fitoj Kupën e Italisë me Juventusin”.
“Të fitoj trofe këtu është një realizim ëndrre. Kam treguar se jam një lojtar i madh. Kam fituar tituj me Colo Colo më herët, por të fitoj një titull lige këtu në Evropë, është diçka e veçantë”, ka thënë Vidal për Tuttosport.

Martinez dëshiron të shkruajë histori me Bilbaon

Javi Martinez është duke kërkuar të shkruajë histori me Athletic Bilbao derisa shpreson ta mposhtë Atletico Madridin në finalen e sotme të Europa League që zhvillohet në Bukuresht.
“Ne jemi një prej klubeve më të rëndësishme në ligën spanjolle dhe jo vetëm sepse pak skuadra në botë kanë qëndruar në divizionin e parë gjatë gjithë historisë së tyre”.
“Nëse klubet si ky kurrë nuk e kanë fituar kampionatin evropian dhe ata kanë shans tash, kjo do të ishte një kujtim i mirë për të ardhmen. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kjo është se pse e shohim këtë finale si diçka historike”.
“Atletico është një klub i vështirë të luash kundër tyre pasi që nga arritja e Diego Simeone ata kanë filluar të luajnë me shumë agresivitet. Është vështirë t’i mposhtësh ata”, ka thënë Martinez për faqen zyrtare të UEFA-së.

Prandelli plot lëvdata për Napolin

Përzgjedhësi i Italisë në futboll, Cesare Prandelli, ka lavdëruar skuadrën e Napolit.
Prandelli është duke vizituar secilën fushë të klubeve të Serie A në prag të fillimit të kampionatit evropian Euro 2012, për të biseduar me trajnerët dhe lojtarët.
“Kur një klub arrin rezultate të cilat janë superiore krahasuar me ato që priten, kjo do të thotë se klubi po arrin qëndrueshmëri”.
“Një klub i vërtetë i cili dëshiron të zhvillohet me një projekt fitues është ai i cili përmirësohet vit pas viti. Në këtë aspekt, Napoli ka dëshmuar se është një projekt fitues”, ka thënë Prandelli pas një takimi me trajnerin e Napolit, Walter Mazzari.

Di Matteo mbron formacionin anti-Liverpool

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, nuk është penduar për ndryshimet që ka bërë në skuadër për ndeshjen e mbrëmshme ndaj Liverpoolit.
Blutë u mposhtën 4-1 në Anfield për të humbur shpresat për top katërshe.
“Ne kemi ardhur deri këtu pasi kemi harxhuar të gjithë energjinë dhe të gjithë lojtarët që kemi në skuadër, kjo ishte e vetmja mënyrë për të qëndruar në garë për pozitën e katërt deri tash dhe për t’u kualifikuar për këto dy finale”.
“Nuk kam pendime, Liverpooli është një vend tjetër kur luhet këtu dhe ne takuam një Liverpool shumë të inspiruar”.
“Ne kemi pasur ndeshje shumë të intensifikuara, një të fundit vetëm tre ditë më parë. Për ta bërë këtë çdo tre ditë... është shumë kërkuese për secilin. Mendova se me këmbë më të freskëta dhe energji të re ne mund të kishim shanse më të mira. Por Liverpooli sonte ishte më i mirë”, ka thënë Di Matteo për Sky Sports 1.

Shakira marrëveshje 60 milionëshe me Sonyn?

Shakira dhe promovuesi i koncerteve Live Nation raportohet se janë afër për të arritur marrëveshje të re me Sonyn e cila kap vlerën e 60 milionë dollarëve.
Krijuesja e hitit “Hips Don't Lie” do të vazhdojë të jetë një prej yjeve që fitojnë më së shumti në industrinë e muzikës nëse ajo dhe kompania Live Nation përmbyllin marrëveshjen me Sonyn, e cila do t’i shohë dy kompanitë të punojnë së bashku në projektet e ardhshme të këngëtares, përfshirë edhe tre albume të reja.
Shakira është një prej superyjeve të paktë, përshirë Madonnan dhe Jay-Z, që kanë lënë anash kompanitë e tyre për të nënshkruar kontrata të bujshme me Live Nation, që do të fitojë një pjesë të të ardhurave nga produktet e tyre, sponsorizimet dhe koncertet.
Bukuroshja kolumbiane më herët (në vitin 2008) ishte larguar nga Sony për të nënshkruar marrëveshje dhjetëvjeçare me Live Nation, që vlerësohet të jetë diku nga 70 deri në 100 milionë funte.

Rita Ora, krenare për rrënjët e saj shqiptare

Në një intervistë për The Sun, Rita Ora flet se si prindërit e saj i shpëtuan gjenocidit në Kosovë. Ajo është krenare për familjen e saj dhe popullin shqiptar, madje shpreson ta inkorporojë muzikën e Kosovës në tingujt e saj. "Unë flas rrjedhshëm shqip, sepse e kemi folur në shtëpi”, thotë Rita, e cila mendon të mbajë koncerte në Kosovë dhe ta ndihmojë vendin e saj.
Intervistat e para janë gjithmonë të sikletshme, sidomos kur mega-ylli i muzikës hip-hop, Jay Z, i shtron pyetjet. Por, këngëtarja britanike Rita Ora padyshim se mbeti e impresionuar për takimin me reperin amerikan: ajo nënshkroi kontratë me labelin e tij. Tashti, singli debutues i 21 vjeçares është në rrugën për të arritur në vendin e parë në këtë vikend.
Londinezja me këmbët për toke - e cila ishte vetëm 17 vjeçe kur iu bashkua labelit të Jay-Z, “Roc Nation – thotë: “Këndoja në bare të Londrës dhe në fund dikush më vuri në kontakt me Jay Brown-in, dorën e djathtë të Jay-Z”.
"Ia dërgova ca muzika dhe ai kërkoi të fluturoja për në New York. Ishin dy javë deri te ditëlindja ime e 18-të, por fluturova e vetme deri atje”, thotë Rita Ora për The Sun.
"Kam qenë shumë nervoz. Por, gjëja e mirë ishte se unë nuk e dija se do ta takoja atë natë Jay-Z. Po ta dija këtë do të kisha sulm në zemër gjatë rrugës për në aeroport. Ishte befasi. Më thanë se do ta takoja ekipin e tij. Eca në dhomën e tij e ai ishte aty. Kisha të veshur një fanelle të Run-D.M.C., dhe flokët e këmbët i kisha të lagura, sepse binte shi. Isha e lodhur. Nuk ishte momenti ideal. U futa brenda, e pashë dhe thash: ‘Oh, më duhet ta bëj’. Thash ‘hey’ dhe ia ofrova dorën”.
Drejt majave... Rita Ora
Super-ylli i muzikës hip-hop nuk ishte i shqetësuar nga këmbët e lagura - ai u bë bosi i saj që nga ajo ditë. Dhe ishte Jay-Z që shkoi me Ritën në radion njujorkeze Z1000, kur e ka debutuar singlin e saj të parë për audiencën amerikane, në shkurt të këtij viti.
Rita thotë: "Jay-Z është bos i mahnitshëm. Ai dëshiron që çdo gjë të funksionojë dhe që kompania e tij – “Roc Nation” – të jetë e suksesshme”.
"Ai është përfshirë sa ka mundur. Edhe pse gjithmonë është në turne, ai është në email dhe në telefon. Ndjehem shumë e privilegjuar që ai punon me mua”.
Me bosin e saj... Jay-Z
Por, jeta e Ritës ka mundur të jetë ndryshe nëse familja e saj nuk do të vendoste të largohet nga vendlindja e tyre, Kosova, atëherë kur ajo ishte foshnje. Diktatori brutal serb Slobodan Milloshevic persekutonte shqiptarët, si familjen e Ritës. Kështu që ata ia mësynë Londrës.
Ajo thotë prindërit e saj i kanë shpëtuar gjenocidit: "E lash Kosovën kur isha një vjeçe. Isha e lumtur që nëna dhe babai im ikën herët”.
Prindërit e saj ishin në mesin e dhjetëra-mijërave që ikën në vitet ’90 për të shpëtuar nga konflikti që eskalonte tmerrshëm.
Rita shton: “Kur kemi ardhur në Londër, babai im nisi të punonte në restorante. Nëna ime ishte mjeke në Kosovë, por nuk dinte anglisht. Kështu, është dashur të studiojë sërish gjithçka, ta mësojë anglishten dhe të më rrisë mua, vëllanë dhe motrën. Vërtet e admiroj për këtë. Tani ajo është psikiatre dhe e ka pavijonin e saj në Londër".
Rita është e krenare për rrënjët e saj - aq shumë sa që ajo shpreson ta inkorporojë një ditë muzikën e Kosovës në tingujt e saj.
E kaluara e dhimbshme: Refugjatët shqiptar më 1999.
Këngëtarja shpjegon: "Unë flas rrjedhshëm shqip, sepse e kemi folur në shtëpi”.
"Jam kthyer shpesh herë në Kosovë. Kur dikush bënë diçka jashtë vendit tonë është punë e madhe, sepse fatkeqësisht nuk ka shumë mundësi atje. Kam dëshirë të përkthehet muzika kosovare në albumin tim. Kam mundur, por nuk ka funksionuar ende. Do ta bëj. Dhe definitivisht dua të bëjë koncerte atje në të ardhmen dhe të grumbullojë fonde”.
Rita në koncert
Singli i saj i parë R.I.P. është një pop urban. Është shkruar nga reperi kanadez Drake, përfshinë yllin britanik Tinie Tempah, ndërsa producentë ishin dueti i muzikës dance, Chase And Status.
Duke qenë e “mbrojtur” nga Jay-Z, kjo ia hapi dyert për bashkëpunime me emra të mëdhenj. Dhe, kjo e ka vënë Ritën në situatën të cilën shumë artistë nuk e përjetojnë derisa nuk i fitojnë me vite “gradat” në muzikën pop.
Ajo shpesh përmend emrat kryesor, përfshirë gruan e Jay-Z - Beyonce.
Rita thotë: "Unë pashë Beyonce ditën tjetër dhe ajo kishte vajzën në duar. Ishte e mahnitshme”.
Reperi Kanye West është një tjetër mik i saj.
Ajo thotë: "Kanye është një qen i punës... Kanye i ka hapur sytë e mi drejtë shumë gjërave të reja në muzikë”.
Këtë verë ajo do të mbështesë yjet globale, rok rupin “Coldplay”, në turnetë e tyre evropiane.
Ajo thotë: "E kam takuar Chris Martin-in dhe gruan e tij Gwyneth Paltrhow disa herë përmes Jay-Z. Çiftet janë miq të mirë. Chris gjithmonë flet për muzikë dhe pyet se çfarë bëj. Ai kujdeset".
Por, asgjë nuk e ka përgatitur atë për takimin me heroin më të madh të saj muzikor - Stevie Wonder.
Rita tregon: "Unë kam qenë në dhomën e zhveshjes së Jay-Z në një shfaqje në LA dhe Stevie Wonder erdhi për të thënë 'hi'. Ky ishte një moment epik. Ishte aq e mahnitshme dhe surreale. Unë jam një vajzë nga Londra Perëndimore, e lindur në Kosovë, që e sheh Stevie-n tek thotë ‘Ho’”.
Ishte një vjeçe kur iku nga Kosova... Rita Sahatçiu alias Rita Ora
Stevie nuk ishte arsyeja e vetme pse mbrëmja e koncertit të -Z dhe Kanye West doli të jetë natë e mirë – ajo e takoi aty të dashurin e përfolur, Rob Kardashian, vëllanë e Kim Kardashian.
Rita me mjeshtëri shmanget në pyetjet për lidhjen e mundshme, por nuk i fsheh ndjenjat për Robin.
Ajo thotë: "i takova motrat e Robit në të njëjtën shfaqje në LA. Unë jam një tifoze e madhe shout të kardashianëve. Ju thashë se më pëlqen shfaqja dhe ju thash se janë tërheqës në jetën reale. Rob erdhi në ndejën e pastajme dhe ato më njoftuan me të. Kemi kuptuar se kemi miq të përbashkët... dhe përfunduam të sillemi afër njëri-tjetrit. Është djalë i mirë. Unë veç kam dalë me të”.
Pavarësisht nga miqtë e listës A, Rita, që ka shkuar në shkollën e teatrit Sylvia Young të Londrës, është e thjeshtë dhe normale. Kur ajo hyri në zyrën e The Sun për këtë intervistë, nuk ishte e rrethuar me të tjerë, ndërsa e solli një kuti çokollatash si dhuratë, duke na falënderuar për ftesën që ia kemi bërë.
Gjatë intervistës për ditore The Sun
Por, do të ishte e lehtë për të që të jetonte si një diva, sidomos kur shumica e quajnë “Rihanna britanike”.
Ato të dyja punojnë për Jay-Z, kanë gjithashtu stil të ngjashëm të tingullit dhe janë shumë të bukura. Ka pasur thashetheme për përçarje mes tyre, për gjoja vëmendje më të madhe të mentorit të tyre. Por, nëse ka problem, Rita nuk e shfaq.
Ajo thotë: "Më pëlqen krahasimi. Është kompliment. Është më mirë të krahasohem me të se me dikë tjetër. Është tërheqëse dhe e bukur. E mira është se e kemi parë se si rritet në artiste. Ndërlidhem me rrëfimin e saj. Rihanna ka dalë nga Barbadosi te dominimi botëror. Tash dua ta ndjek rrugën e njëjtë”.

LB: Dialogu për veriun, rast historik për Kosovën Lindore

Lëvizja për Bashkim vlerësoi të mërkurën se dialogu për veriun është i pashmangshëm, mirëpo, sipas tyre, kjo duhet të shfrytëzohet nga institucionet e vendit, dhe Kosova duhet të insistojë që të gjitha të drejtat që mund të kërkohen për serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të plotësohen edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në kumtesën për media, Lëvizja për Bashkim thekson se Kosova ndodhet para një ballafaqimi serioz në veriun e saj: faktorët ndërkombëtarë të përfshirë në veri të Kosovës po e përgatitin dialogun Kosovë-Serbi.
“Ky dialog, në qoftë se jo sot, do të mbahet nesër – ai është i pashmangshëm. Kosova nuk duhet të pres që të detyrohet të hyjë në këtë dialog, por duhet të përgatitet seriozisht dhe ta ketë zgjidhjen për këtë çështje. Dialogu për veriun në vetvete nuk është kundër interesave të Kosovës dhe të popullit shqiptar – por nëse ne e refuzojmë ose hyjmë të papërgatitur në të ai do të paraqes rrezik të madh për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët”, thuhet në deklaratën e LB-së.
Sipas tyre, Kosova duhet të insistojë që të gjitha të drejtat që mund të kërkohen për serbët e Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të plotësohen edhe për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ndërsa, shprehen se Mitrovica veriore dhe fshatrat shqiptare në veri të Kosovës nuk mund të jenë pjesë e dialogut, sepse atje është kryer spastrimi etnik dhe se shqiptarët duhet të kthehen në pronat e tyre.
“Institucionet e Kosovës nuk guxojnë ta humbin këtë rast! Kosova ka mundësi që edhe të mos i prishë raportet me ndërkombëtarët, edhe t’i zgjidhë problemet e saj të brendshme, edhe t’u vijë në ndihmë shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe shqiptarëve në Kosovën Lindore. Kosova me një zgjidhje të mençur dhe largpamëse do t’ia hapte vetes dyert edhe për integrimet e saj kombëtare, edhe për ato ndërkombëtare. Përndryshe, çdo sjellje e papërgjegjshme, Kosovën do ta sjell në një situatë të vështirë dhe të pa perspektivë”, thuhet në deklaratë.

Dalglish i kënaqur me sezonin

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, është i kënaqur me fitoren 4-1 ndaj Chelseat, që ishte edhe ndeshja e fundit e Redsave para tifozëve të vet në Anfield.
“Ne kemi fituar një trofe pas gjashtë vitesh, jemi rikthyer në Evropë, dhe ishim afër për ta fituar finalen e Kupës FA. Nuk është keq për një sezon të parë”.
“Lojtarët i kuptojnë më mirë se unë (pritjet e klubit) dhe ata mbase janë më të edukuar se shumica e njerëzve që kritikojnë. Mendoj se lojtarët do të jenë të lumtur të përfundojnë me fitore në Anfield. Kjo paraqitje ishte e njëjtë si shumë paraqitje ku ne nuk kemi nxjerrë rezultate. Sonte ne e bëmë këtë”.
“Për ne ishte një mbrëmje e kënaqshme. Shpresojmë se tifozët u larguan të lumtur. Shpresojmë se djelmoshat kanë kthyer një buzëqeshje të paktë në fytyrat e tyre”, ka thënë Dalglish

Mancinit t’i ofrohet kontratë e re?

Manchester City është i gatshëm t’i ofrojë menaxherit Roberto Mancini një kontratë të re të vlefshme plot 22 milionë funte.
Marrëveshja katërvjeçare e Mancinit do ta shndërronte atë në menaxherin më të paguar në vend, së bashku me rivalin e Manchester United, Sir Alex Ferguson.
The Sun shkruan se City planifikon t’ia rritë pagën vjetore Mancinit për dy milionë funte, duke e çuar atë në 5.5 milionë funte në vit – edhe nëse “qytetarët” dështojnë ta fitojnë titullin.
Edhe më shtytëse për t’i ofruar rinovim italianit ka qenë rikthimi i mahnitshëm i Cityt prej tetë pikës disavantazh ndaj United deri në lider të tabelës. Dy klubet aktualisht kanë pikë të barabarta, por City ka diferencë më të mirë të golave

Simone dhe Adelina shumë “të afërt”

Ishte shkruar edhe më herët se Adelina Tahiri, e cila është duke konkurruar në “Dancing with the stars”, kishte filluar një flirt me balerin italian Simone.
Në rrjetet sociale janë publikuar disa foto të saj së bashku me Simonen.
Në këto foto, shihet një afri e madhe mes tyre. Adelina nuk duket të jetë bezdisur aspak, përkundrazi duket se e ka shijuar këtë afrim të Simones.
Megjithatë, asnjëri prej të dyve nuk pranon të thotë diçka më shumë në lidhje me këtë histori, por theksojnë se janë vetëm miq. 

Zemra nuk njeh arsye

Këtë e vërtetojnë edhe shkencëtarët dhe thonë: nuk e zgjidhni vetëdijshëm bashkudhëtarin e jetës, këtë e zgjedh trashëgimia juaj gjenetike.
Vetitë e tipit të personit që ju tërheq janë të shkruara në gjenet tuaja. Po ashtu, psikologët e Universitetit të Bufalos janë shprehur se disa njerëz kanë disa gjene që kontrollojnë oksitocinën, e cila është një hormon që bashkon çiftet me njëri-tjetrin, madje dhe nënat me fëmijët e tyre.
Ndaj, personat që i kanë këto gjene janë dukshëm më shpirtmirë e më të këndshëm se të tjerët.
Shkencëtarët nuk dinë sigurt, pse sistemi imunitar i femrave ka aq ndikim në suksesin e tyre me meshkujt, dhe po ashtu nuk dinë saktë nëse janë pikërisht gjenet ato që i bëjnë çiftet të dëshirueshëm.

Cilat janë efektet anësore të zbardhjes së dhëmbëve?

Efektet anësore mund të jenë - rritja e përkohshme e ndjeshmërisë së dhëmbit në të ftohtë dhe të nxehtë, irritimi i indeve të buta të gojës, e posaçërisht i mishit të dhëmbëve.
Këto ndryshime janë të përkohshme dhe zhduken pas disa ditëve. Para procedurës së zbardhjes pacienti patjetër duhet të informohet lidhur me shkaktarin e ndryshimit të ngjyrës, rezultatet e pritura, si dhe me efektet e padëshiruara.
Koha e zbardhjes së dhëmbëve varet nga shkaktari i ndryshimit të ngjyrës, thellësia e lokalizimit të njollës dhe teknikës zbardhuese të aplikuar. Koha e zbardhjes së dhëmbëve, p.sh. nga tetraciklina, është më e gjatë dhe kërkon më tepër seanca, krahasuar me ngjyrosjen e dhëmbëve, p.sh., nga duhani, kafeja, çaji et.. Sa i përket kohëzgjatjes së seancës, ajo merr mesatarisht 30-60 minuta te zbardhja laserike, 60 minuta te zbardhja me dritë/nxehtësi, si dhe 2-4 orë në ditë te zbardhja në shtëpi brenda 2 javëve, apo edhe më shumë, varësisht prej shkallës së errësimit dhe dëshirës për ndriçim të ngjyrës së dhëmbëve.
Rezultatet e deritanishme tregojnë për ndriçim të ngjyrës së dhëmbëve për 3-8 nuanca (nga gjithsej 16) pas përfundimit të procedurës, ndërsa për më shumë se 10 nuanca pas përdorimit të 1aserit. Por, shkalla e zbardhjes nuk është e njëjtë te të gjithë. Ajo varet nga mosha, nga shkalla e diskolorimit të dhëmbëve, nga metoda e aplikuar etj.

Dhia rrëmben veturën

Një austriak është ndier ‘pa lidhje’ kur është dashur ta thërrasë policinë dhe të raportojë se vetura e tij është rrëmbyer nga një... dhi.
Gunther Hauser teksa po voziste nëpër Radkersburg të Austrisë është detyruar të ndalet kur i kishte dalë përpara kafsha.
45-vjeçari ka dalë nga automjeti dhe është përpjekur që ta përzë kafshën nga rruga, mirëpo ajo është hedhur në veturë dhe kishte filluar t’ia hante ulëset.
Pasi e kishte thirrur policinë, ata kishin angazhuar disa fermerë që ta largonin dhinë.
“Më duhej ta bëj një fotografi të dhisë, sepse kompania e sigurimeve asnjëherë nuk do të më besonte”, ka thënë Hauser. 

Ngordh macja më e trashë në botë (Video)

Macja më e trashë në botë, Meow, ka ngordhur si pasojë e pamjaftueshmërisë së zemrës.
Në momentin e ngordhjes macja ka peshuar 18 kilogramë, katër herë më shumë se sa duhej të ishte pesha e saj ideale.
Edhe pse veterinarët u përpoqën që ta shpëtonin në mënyra të ndryshme dhe me dieta të shumta, megjithatë ajo nuk u mbijetoi pasojave të mbipeshës dhe ngordhi nga pamjaftueshmëria e zemrës. 

E kujton si fytyrë por nuk ia mban mend emrin?

Je i lodhur nga situata e sikletshme ku e njeh dikë nga fytyra, por nuk ia kujton dot emrin? Studime të reja nga shkencat psikologjike hedhin dritë mbi këtë fenomen. Shkencëtarët e Universitetit të Indianas në SHBA kanë zbuluar së fundi se tipare të veçanta të fytyrës, më tepër se e tëra, janë çelësa për të rikujtuar emrin e një personi.
Ndërkohë, Howard Scott, autor i librit “Fuqia e Kujtesës” (Memory Power) dhe katër herë kampion kombëtar i kujtesës, shpjegon një teknikë për ta mbajtur mend dhe mos e harruar kurrë një emër të ri.
Mënyra më e mirë për të mbajtur mend emrin e dikujt është lidhja mes emrit dhe një elementi që mbahet mend fare lehtë, thotë Howard Scott. Aliteracioni dhe rima mund të jenë shumë të dobishme, sugjeron ai.
Për shembull, nëse takojmë një Henri të ri, ndërsa njohim dikë tjetër me këtë emër, duhet të përpiqemi të formojmë një lidhje mes tipareve të Henrit të ri dhe atij të vjetrit. Në këtë mënyrë truri nis t’i përdorë këto tipare si pikënisje për të memorizuar emrin e ri.
Ta zëmë, për shembull, se të dy Henrit i kanë flokët të shkurtër. “Duke qenë se stilet e flokëve mund të ndryshojnë shpesh, nuk është ky elementi i duhur për të bërë lidhje”, thotë Scott, duke na shpjeguar një mënyrë më të mirë: “Zgjidh diçka që nuk të pëlqen tek Henri i vjetër. Ndoshta i pari e ka lëkurën të keqe, por i riu mund të ketë një defekt në fytyrë”.
Një mënyrë tjetër për të mos harruar emrin e një personi është edhe shqiptimi me zë të lartë i emrit të tij gjatë bisedës. Kjo mënyrë mund të ndihmojë trurin që të lidhë tingullin e emrit me fytyrën, thotë Howard Scott. Mjafton të mos e teprosh me përsëritjen, pasi në të kundërt lë të kuptohet që bashkëbisedimi është i sforcuar nga ana jote.

Të mërkurën vendimi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Dhoma për krime të luftës e Gjykatës së Lartë në Beograd, të mërkurën e shqipton aktgjykimin për të akuzuarit Sreten Popovic dhe Milosh Stojanovic, në procesin e përsëritur për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, në Petrovo Sello në vitin 1999.
Zëvendësprokurori për krime të luftës, Dragolub Stankovic, në fillim të muajit prill, në fjalën përfundimtare, tha se për veprën penale, për të cilën akuzohen dy pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, parashihet dënimi prej së paku pesë vite burg dhe se, duke pasur parasysh rrethanat e krimit, është i përjashtuar dënimi më i butë.
Procesi gjyqësor për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, ka filluar në vitin 2006 dhe janë dëgjuar 105 dëshmitarë.
Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë të këshillit të dikurshëm për krime të luftës të Gjyqit të Qarkut në Beograd, sipas së cilës të akuzuarit Popovic dhe Stojanovic ishin liruar nga akuzat dhe ka urdhëruar proces të ri, raportojnë mediat beogradase.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Sreten Popovic i njohur me emrin “Pop”, më 8 korrik të vitit 1999, e ka urdhëruar të akuzuarin e dytë, Milosh Stojanovic, që t’i burgos vëllezërit Bytyçi, pas lirimit nga burgu në Prokuple, ku të tre vëllezërit e kishin vuajtur dënimin për shkak të hyrjes ilegale në Serbi nga Shqipëria.
Siç thuhet në aktakuzë, Stojanovic, sipas urdhrit të Popovicit, vëllezërit Bytyçi i ka dërguar në një qendër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Petrovo Sello, ku i ka mbyllur, ndërsa të nesërmen, më 9 korrik 1999, në orët e vona të mbrëmjes, i ka dorëzuar te pjesëtarët e MUP-it të Serbisë, të cilët i kanë vrarë.
Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, janë vrarë me plumb në pjesën e prapme të kokës, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello.
Vëllezërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova. 

Atentatori i Rugovës?

Agim Hoti pretendon se është autor i dy tentim atentateve ndaj ish-Presidentit Ibrahim Rugova. Nga burgu i Dubravës, Hoti thotë se ata që bënë pazar me të për të vrarë janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj. Për këto pretendime thotë se ka fakte që do t’ua tregojë edhe hetuesve. Personat e përmendur, këto deklarime i quajnë shpifje dhe budallallëk
Agim Hoti ka kryer tentim atentatin ndaj ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kështu së paku thotë vetë Hoti, shkruan “Express”.
Derisa po vuan dënimin e tij në burgun e Dubravës, për një atentat tjetër, ndaj Anton Berishës, ish-shefit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Hoti thotë se ka vendosur t’i hedhë në shesh të gjitha ato që ka bërë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Në bisedë telefonike nga burgu për Express, Hoti pretendon se përveç atentatit që ka kryer në vitin 2007 ndaj Anton Berishës, ai vetë ka kryer edhe dy sulme të tjera, njërin në vitin 2004, e tjetrin një vit më pas. Të dy këto tentim atentate ndaj ish-presidentit Rugova.
Hoti pretendon se në këto raste nuk ka qenë i vetëm.
Që të dy sulmet ndaj ish-Presidentit, ai thotë se i ka kryer me urdhër të Xhavit Halitit, aktualisht deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Artan Nimanit, profesor në UP si dhe Agron Haradinajt i cili punon në PTK.
Hoti pretendon se për këto punë, ka marrë 5 mijë euro në janar 2004.
“Unë jam ai i cili e kam gjuajtur bombën më 12 mars të vitit 2004, në oborrin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, me urdhër të Xhavit Halitit, Agron Haradinajt e Artan Nimanit”, thotë Hoti për "Express".
Por ata të cilët i akuzon ky i burgosur se e kanë paguar për të kryer një veprim të tillë, Hotin e quajnë vetëm një njeri që është i sëmurë mentalisht.
I kontaktuar nga “Express”, Artan Nimani, këto akuza të bëra ndaj tij i quan “budallallëqe të porositura nga persona të caktuar”.
Derisa kontakti me Xhavit Halitin ishte i pamundur, Agron Haradinaj thotë se nuk e ka në plan të merret me deklaratat e këtij njeriu.
Pavarësisht kësaj, Agim Hoti me bindje të plotë pretendon se Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj, janë ata që e kanë paguar atë për të dy tentim atentatet ndaj ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

S’ka strategji të re për veriun

Institucionet e Kosovës nuk e kanë ndërmend të hartojnë plan të ri për veriun e vendit. Thirrjet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të ndryshme perëndimore që Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një strategji apo plan konkret për pjesën problematike të vendit, nuk do të përfillen nga qeveritarët e kosovarë.
Ata thonë se nuk e kanë ndërmend që të merren me hartimin e dokumenteve të reja për atë pjesë të vendit, por do ta rishikojnë strategjinë e hartuar së bashku me Zyrën Civile Ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ilmi Zeka, tha për “Zëri” se kjo strategji nuk është hedhur poshtë, ajo do të realizohet vetëm se do të ketë nevojë për rishqyrtime, në mënyrë që të gjenden forma më të pranueshme për të arritur deri tek qytetarët serbë në veri.
Ndërkaq, të hënën përfaqësuesi special i Bashkimin Evropian (BE) në Kosovë, Samuel Zbogar, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të përgatisë një agjendë për veriun.
Zhbogar po ashtu ka kujtuar institucionet e Kosovës që BE është duke kërkuar një plan veprimi qysh në tetor të vitit të kaluar, kur është lëshuar Raporti i Progresit, një plan që do të bënte që serbët në atë pjesë të ndihen më mirë dhe të pranojnë realitetin e ri në Kosovë.
Por, i dyti i MPB-së ka thënë se pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve për strategji për veriun, Qeveria e ka agjendën e vet. “Ne kuptojmë dhe respektojmë kërkesat e ndërkombëtarëve, por Qeveria e Kosovës e ka agjendën e saj për veri, dhe ne tani do ta rishikojmë edhe njëherë planin e veprimit, në mënyrë që të gjejmë forma për të arritur me hapa më të shpejtë në veri të vendit”, tha Zeka.
“Në veri ka nevojë dhe duhet të implementohet vetëm pakoja e Ahtisaarit, e cila është e mjaftueshme dhe paraqet kompromis”, tha në anën tjetër edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Në anën tjetër, Samuel Zbogar, përfaqësuesi i BE-së për Kosovë, saktësoi për “Zëri” se me kërkesën e tij nuk ka menduar të bëhet një plan i ri për veriun, apo listë që do të saktësojë gjërat që duhen të ndërmerren, por thjesht ka kërkuar që Qeveria të gjejë një rrugë me të cilën do të arrijë tek qytetarët në veri.
“BE nuk po kërkon një plan të ri dhe as përgatitjen e një liste e cila do t’ i tregojë Kosovës se çfarë të bëjë me veriun, e as nuk po kërkon që t’i imponojnë Qeverisë ndonjë gjë. Ajo që ka për obligim Qeveria dhe autoritetet e saj është që të mendojnë të gjejnë një rrugë e cila do t’i shpie ata deri tek qytetarët në veri”, u shpreh për “Zëri” përfaqësuesi i BE-së, Zhbogar.
Kërkesë të njëjtë me shefin e BE-së kanë edhe përfaqësuesit e ICO-së. “Ashtu siç ka bërë thirrje përfaqësuesi i BE – së, edhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më tepër për t’u angazhuar që të fillojë një dialog me serbët në Kosovë”, tha në anën tjetër Christian Palme, zëdhënës i ICO-së në Kosovë, zyrë kjo që ka marrë pjesë në përpilimin e strategjisë së Kosovës për integrimin e veriut.
Të pyetur se pse strategjia nuk po gjen zbatueshmëri, Palme tha se “ICO ka konstatuar se konsultimi me komunitetin është kyç për projekte të qëndrueshme dhe për krijimin e lidhjeve mes Qeverisë së Kosovës dhe popullatës në veri të Kosovës”. 

Juve përgatit ofertë për Assou-Ekotto

Juventusi është alarmuar pas deklaratave të Benoit Assou-Ekotto se ai është i gatshëm të largohet nga Tottenhami.
Mbrojtësi i majtë kamerunas thotë se ai nuk dëshiron të luajë në Europa League dhe seriozisht është duke i menduar opsionet e tij.
Juve e ka ndjekur Assou-Ekotton për 12 muaj dhe e sheh atë si një konkurrent ideal të Paolo de Ceglie në krahun e majtë. 

Arsenali arrin marrëveshje për M’Vila?

Arsenali raportohet se ka arritur marrëveshje me skuadrën franceze Rennes për të transferuar mesfushorin Yann M'Vila, por kompletimi i saj do të varet nga kualifikimi i Topçinjve në Ligën e Kampionëve.
London Evening Standard bën të ditur se Arsenali është pajtuar t’i paguajë skuadrës franceze 17.7 milionë funte për M’Vila, por ende nuk ka arritur marrëveshje me lojtarin për kushtet personale me klubin londinez që ende nuk e ka të sigurt kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Mendohet se marrëveshja katërvjeçare me vlerë 60 mijë funte në javë është arritur pjesërisht, por të dyja palët do ta nënshkruajnë atë vetëm pas përfundimit të sezonit në Ligën Premier.
Topçinjtë mbeten në pozitën e tretë që do t’i çonte ata drejtpërdrejt në fazën e grupeve të garës evropiane, por nëse nuk fitojnë këtë vikend kundër West Brom, ata mund të mbeten edhe jashtë top katërshit, me Tottenhamin dhe Newcastle që presin në radhë për të depërtuar në katërshe. 

Allegri: Pato mund të bëhet më i miri në botë

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, dëshiron ta mbajë Alexandre Paton në radhët e veta edhe sezonin e ardhshëm.
Madje Allegri mendon se Pato mund të shndërrohet në lojtarin më të mirë në botë.
“Pato është një lojtar shumë i rëndësishëm. Ai nuk ka qenë i aftë të luajë shumë këtë sezon, por ai është i ri dhe kjo është arsyeja se pse mendoj se ai mund të bëhet më i miri në botë“, ka thënë trajneri italian. 

Ranieri në negociata me West Bromin

Claudio Ranieri raportohet se është duke biseduar me West Bromwich Albion për detyrën e menaxherit.
London Evening Standard shkruan se ish-menaxheri i Chelseat, i cili u bë favorit i tifozëve gjatë katër viteve të tij në Stamford Bridge (2000-2004), është takuar me drejtorin sportiv dhe teknik të West Bromit, Dan Ashworth.
Klubi anglez është në kërkim të një menaxheri të ri për ta drejtuar pas fundit të sezonit, pasi Roy Hodgson nënshkroi kontratë katërvjeçare me përfaqësuesen kombëtare angleze. 

Dafina Zeqiri e fokusuar në karrierën e saj

Këngëtarja Dafina Zeqiri tani më shumë se kurrë është duke punuar në projekte të reja dhe gjatë këtyre muajve pritet të sjellë shumë surpriza për adhuruesit e saj.
Sipas menaxherit të saj Damir Jahir Çekiç i cili tashmë bashkëpunon me të, kanë mbetur vetëm edhe disa javë që Dafina do të lansojë në treg një videoklip atraktiv dhe shumë veror.
"Dafina tashmë është duke punuar me produksionet suedeze dhe suksesi në këngë po i ecën shumë mirë. Tashmë jemi në përgatitje të videoklipit të këngës “Tonight” e cila është pjesë e albumit “Just me”, ka thënë ai për ‘Zëri’.
Përveç kësaj menaxheri i Dafinës ka paralajmëruar edhe disa videoklipe dhe këngë të reja, por me kohë do të flasë për të gjitha, ndërsa sa i përket lidhjes së saj me Ledrin është duke shkuar për mrekulli, por ende nuk flitet për fejesë apo martesë. 

Facebook hyn në bursë, brenda ditësh

Gjiganti i rrjeteve sociale, Facebook.com është duke planifikuar që të shesë aksionet në kompani, duke filluar nga mesi i këtij muaji.
Një prej emrave më të mëdhenj në rrjetet sociale, Facebook, po planifikon që të hyjë në bursë, apo siç e quajnë ndryshe në "ofertë publike fillestare," ose IPO në anglisht.
Hapi i ri të cilin do ta bëjë kompania, për herë të parë, është që t’i jap publikut një shans për të blerë aksione në Facebook.
Kur ata të blejnë aksione, investitorët do të bëhen pronarë të pjesërishëm të kompanisë.
Për tetë vjet me radhë, Facebook ka qenë në pronësi të themeluesit të saj, Mark Zuckerberg, dhe të tjerëve që e ndihmuan atë për të krijuar rrjetin tashmë më të madh social në botë.
Në botën e financave dhe investimeve, Facebook është konsideruar të jetë në pronësi private, por kjo gjë do të ndryshojë pas pak ditësh. 

Behrami mbron Ljajicin (Video)

Mesfushori shqiptar që mbron ngjyrat e Zvicrës, Valon Behrami, i ka dalë në mbrojtje serbit Adem Ljajic, duke thënë se ish-trajneri i Fiorentinas, Delio Rossi, ka gënjyer kur ka thënë se anësori e ka sharë atë për nënën.
Në takimin e të mërkurës ndaj Novaras, trajneri e zëvendësoi serbin, i cili reagoi në mënyrë sarkastike, ndërsa Rossi e sulmoi atë fizikisht.
Trajneri, i cili më pas u shkarkua nga posti, deklaroi se arsyeja për reagimin e tij kishte qenë ofendimi që Ljajic i kishte bërë nënës së tij në gjuhën serbe.
“Të gjithë ishim të trishtuar nga skena me Ademin, por një ditë më pas Rossi tha disa gjëra të pavërteta”.
“Adem na u betua se nuk ia kishte thënë ato fjalë Rossit, plus askush në bankën rezervë nuk dëgjoi diçka të tillë... Është turp që ai (trajneri) ka thënë gjëra të pavërteta”, ka deklaruar Behrami. 

Hakmerret Liverpooli – Chelsea jashtë pozitës së katërt

Me rezultat prej 4-1, Liverpooli e ka mposhtur Chelsean në kuadër të Ligës Premier, për t’iu hakmarrë për atë humbje në finale të Kupës FA.
Në takimin e zhvilluar në Anfield, serinë e golave e filloi Michael Essien, i cili shënoi në portë të gabuar pas gjuajtjes së Luis Suarez (19’).
Pas një gabimi të John Terryt, Jordan Henderson e dyfishoi epërsinë e vendasve (25’).
Tre minuta më vonë, pas një krosimi nga këndi, Andy Carroll asistoi te Daniel Agger, i cili i fundosi edhe më shumë Blutë (28’).
Pas ndërhyrjes së Branislav Ivanovic në Carroll, u akordua penalti në favor të Redsave, mirëpo Stewart Downing e goditi shtyllën (45’+3).
Pesë minuta brenda pjesës së dytë, Ramires e shënoi golin i cili rezultoi i nderit për mysafirët (50’).
Rezultatin përfundimtar e vendosi Jonjo Shelvey, pas një gabimi tjetër të lojtarëve me fanellat e kaltra (61’).
Kjo humbje e lë Chelsean edhe matematikisht jashtë pozitës së katërt, pasi gjendet pesë pikë prapa Tottenhamit, një javë pa përfunduar Kampionati anglez. 

Regjistrimi i mërgimtarëve nis vitin e ardhshëm

Në fillim të vitit tjetër pritet të nisë regjistrimi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në shtetet e huaja, ka bërë të ditur ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.
Duke folur për “Tribuna Shqiptare”, ai ka vlerësuar se ky është interes shtetëror i Kosovës.
Ky llogaritet të jetë ‘ekstra-regjistrim’, prandaj gjatë publikimit të rezultateve finale të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare, nuk pritet të përfshihen edhe të dhënat aktuale për numrin e mërgimtarëve.