Kosova duhet të japë shembuj konkretë të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëse dëshiron përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave. Ky vlerësim ka dalë nga debatet e së hënës për procesin e liberalizimit të vizave.
Në këto debate u tha se krahas politizimit të këtij procesi në rastin e Kosovës, për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së, sundimi i ligjit është vendosur tashmë si një prej sfidave, krahas kushteve të njëjta që kanë vlejtur për vendet e tjera siç janë: siguria e dokumenteve personale, riatdhesimi dhe ri-integrimi, menaxhimi i integruar i kufijve dhe çështje tjera.
Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli tha se vendet e rajonit e kanë kaluar këtë proces kualifikues brenda 18 deri në 30 muajve.
Por, Kosova, sipas tij, i ka plotësuar tashmë shumë aspekte teknike, kështu që tash e tutje, sipas tij, mbeten për t’u tejkaluar aspektet politike si dhe ato të luftimit të krimit e korrupsionit.
“Pa dyshim që çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si fenomene dhe dukuri të cilat nuk janë vetëm të Kosovës, por janë për të gjitha vendet e rajonit dhe që ne në masë të madhe tashmë pjesën teknike e kemi plotësuar dhe duhet ta adresojmë edhe aspektin politik.
Nëse për shumicën e vendeve të rajonit ka qenë proces pak më shumë teknik, në rastin e Kosovës është një proces shumë më tepër politik”, ka thënë Kasapolli.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se për Kosovën BE-ja do të aplikojë një kujdes të shtuar.
Dinamika e procesit deri te liberalizimi i vizave, sipas deputetit Haziri, do të varet kryekëput nga puna e institucioneve të Kosovës.
“Mos të harrojmë se lufta kundër të gjitha llojeve të krimit dhe matja e këtyre rezultateve do të jenë parametrat kryesor që Kosova të përfitojë në këtë proces”, është shprehur Haziri.
Ai i ka cilësuar si shumë optimiste pritjet e disa zyrtarëve nga qeveria, se kosovarët do të udhëtojnë pa viza brenda 6 muajve.
Ndërkohë, zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, tha se Komisioni Evropian i ka lënë mundësitë hapur që të kthejë procesin prapa, nëse në Kosovë shënohen zhvillimet që cenojnë rendin dhe ligjin.
Sipas saj, politizimi i skajshëm i procesit mund ta bëjë atë mision të pamundur.
“Ju e dini shumë mirë se me një Serbi çfarë e kemi ne fqinje, e cila ka struktura paralele ilegale përbrenda Kosovës, sidomos ato të sigurisë, destabilizimi i situatës në Kosovë në mënyrë substanciale mund të ndodhë në çdo çast. Prandaj këto janë disa nga sfidat që unë i shoh se e bëjnë këtë proces të vështirë e po thuajse të pamundur”, ka vlerësuar Demaku.
Më 14 qershor, Brukseli pritet t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për vizat, kurse takimi i radhës me Komisioni Evropian pritet të mbahet në vjeshtë, pas publikimit të raportit të progresit.
Kosova dhe qytetarët e saj aktualisht mbeten më të izoluarit në Evropë, sa i përket lirisë së lëvizjes, kurse një faktor që ka ndikuar në këtë aspekt ka qenë edhe droja e vendeve evropiane se nëse i heqin vizat për kosovarët, shumë të rinj do t’ia mësynë Evropës për strehim dhe punë, për shkak të kushteve të rënda ekonomike në vend.
Rrugë e vështirë deri në liberalizimin e vizave
16:15
Liridon