Për pesë muaj 1 kg ari i zhdoganuar

Importi i arit në Kosovë vazhdon edhe më tej të futet përmes rrugëve ilegale, pasi që sasia e arit e zhdoganuar nga Doganat e Kosovës, konsiderohet shumë e vogël, në krahasim me arin që gjendet nëpër tregun e Kosovës. për pesë muajve të këtij viti janë zhdoganuar më pak se 1 kilogram ari.

Burime të Gazetës “Lajm” brenda Doganave të Kosovës kanë thënë se brenda pesë muajve të këtij viti janë zhdoganuar më pak se 1 kilogram ari. Edhe viti 2011 nuk ka qenë i mirë për Doganat lidhur me zhdoganimin e këtij produkti, ngase sipas këtij burimi, gjatë këtij viti nëpër pikat doganore janë zhdoganuar vetëm 5 kilogramë ari. Se ka kontrabandë me ari dhe se zhdoganimi i këtij produkti është tepër i ulët, e pranojnë edhe vetë zyrtarë të Doganave të Kosovës.
Në anën tjetër, përfaqësues të Shoqatës së Argjendarëve të Kosovës thonë se nuk qëndrojnë aspak deklarimet se ari po kontrabandohet. Sipas tyre, problemi qëndron tek ligji dhe tek rënia e internimit për ta blerë këtë produkt. “Ne si Dogana mund të ju themi se ari është produkt i cili mund të kontrabandohet më lehtë ,pasi që sasitë më të vogla kanë vlera të mëdha. Por, Dogana e Kosovës është duke punuar me institucionet relevante për të parandaluar këtë dukuri. Ne kemi kapur disa raste në tentim kontrabande me këtë produkt gjatë këtij viti, por gjithsesi se ne jemi duke punuar së bashku edhe me departamentin e metrologjisë pranë MTI-së për të rregulluar importin dhe tregtimin e metaleve të çmuara”, tha zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.
Kurse, kryetari i Shoqatës së Argjendarëve të Kosovës, Enver Pakashtica, tha se problemi kryesor tek importi i arit dhe shitja e tij, është mosmiratimi i ligjit për produktet e çmuara. “Gjithmonë Dogana i ka ato mendime se ari është duke u kontrabanduar. Por, kjo krejt po ndodh në mungesë të ligjit për metale të çmueshme, që po i sjell pengesa argjendarëve”, theksoi Pakashtica.
Ditë më parë, në Stacionin e Policisë së Kosovës në Pejë, janë vjedhur mbi 25 kilogramë ari. Vjedhja e këtij produkti ka ndodhur në dhomën e dëshmive në Pejë dhe se vlera e tij në treg thuhet të jetë 1 milion euro.