Dita e hënë mund të jetë e fundit për Mujë Rugovën si Rektor i UP-së. Disa anëtarë të Këshillit Drejtues, në mbledhjen e sotshme, pritet të kërkojnë sqarime për gjendjen në Universitet dhe për blerjen e një çmimi ndërkombëtar. Në këtë mbledhje mund të iniciohet procedura e shkarkimit të Rektorit Rugova.
Mujë Rugova pritet ta nisë një javë jo shumë të rehatshme. Furtuna e pakënaqësive ndaj tij, ditëve të fundit, ka mundësi t’i përplaset të hënën. Rugova, rektor i Universitetit të Prishtinës, sot rreth orës 15:00 do të dalë para kolegëve të tij. Ai pritet të japë shumë sqarime.
Por për të shkuar në punë e në këtë mbledhje, atij do t’i duhet së pari të kalojë nëpërmjet shumë studentëve, të cilët pritet të protestojnë para Rektoratit.
Më vonë gjatë ditës, para nëntë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, që do të mblidhet në orën 15:00, Rugova duhet të rrëfejë edhe dyshimet më të fundit se çmimin për cilësi që e ka marrë në emër të këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend, e ka paguar me para dhe jo siç është prezantuar, si e arritur e UP-së.
Ndërkohë, shumë prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, duket se janë goxha të mllefosur me këtë çfarë besohet se ka ndodhur.
Jo zyrtarisht është kuptuar nga disa anëtarë të Këshillit Drejtues, të cilët për shkaqe etike nuk preferojnë të dalin paraprakisht me emra, për mundësinë që në këtë mbledhje, Rugovës t’i kërkohet dorëheqja, shkruan Express.
Së paku sipas njërit prej tyre, ky do të ishte minimumi, një akt moral nga ana e tij. Kjo për faktin se edhe ashtu, mandati i Rugovës mbaron në muajin tetor.
E nëse kërkesa për dorëheqje nuk do të realizohet, atëherë ka mundësi që të propozohet futja në rend të ditës, të inicimit për shkarkimin e tij.
Sipas statusit të UP-së, përveç ministrit të Arsimit, i cili ka fuqi ligjore që automatikisht ta shkarkojë një rektor, me shumicë votash, atë mund ta shkarkojnë edhe nëntë anëtarët e Këshillit Drejtues.
Zyrtarisht, mundësia e inicimit të shkarkimit të rektorit Rugova, nuk konfirmohet.
Zyrtarë të Rektoratit, të dielën nuk deshën të thonë asgjë, duke u arsyetuar se për gjithçka, duhet pritur e hëna, që është ditë e punës.
Por bazuar në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Drejtues të UP-së, mund të ndodhin të papritura.
Express ka siguruar rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, e cila përbëhet prej katër pikave.
E para do të jetë një raport i gjendjes dhe punës në UP, që pritet të mbahet nga vetë rektori Mujë Rugova.
Pika e dytë do të jetë ndryshimi i rregullores së punës të Këshillit Drejtues, ndërkohë që pas saj, pritet të flitet për iniciativën për implementimin e pensioneve suplementare të profesorëve të UP’së.
Krejt në fund, sipas rendit të ditës, do të jetë ajo për çështje të ndryshme, pikë ku edhe mund të kërkohet futja në rend e inicimit për shkarkimin e rektorit.
Nuri Bexheti, një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues, thotë se nuk mund ta dijë se çfarë do të ketë në mbledhjen e së hënës.
“Do të mbahen mbledhjet siç mbahen gjithmonë. Unë nuk kam ndonjë informatë se çka do të ndodhë, përveç me pikat e rendit të ditës”, thotë Bexheti.
Sipas tij, Këshilli Drejtues ende nuk e ka takuar rektorin.
“Besoj që do ta takojmë së shpejti, tash pas kthimit nga Amerika”, thotë profesor Bexheti.
Por pavarësisht se një javë më parë, hyrja e Rektoratit të UP-së ishte bllokuar për dy ditë nga Lëvizja Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), të hënën, një organizatë tjetër do të protestojë.