Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot (e hënë) ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftime. Kjo nënkupton lëshimin e letërnjoftimeve biometrike, në mënyrë që të kalohet edhe në shtetin e Maqedonisë me një dokument të tillë. Në mbledhjen e qeverisë sot janë miratuar edhe disa propozimvendime, siç është ai për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, rregullohet procedura e lëshimit të letërnjoftimit biometrik sipas standardeve ndërkombëtare.
Ai ka thënë se me shtetin e Maqedonisë është arritur një marrëveshje parimore për kalim vetëm me letërnjoftim, por sipas tij, duhet të lëshohen së pari letërnjoftimet biometrike.
“Ne kemi arritur një marrëveshje parimore që qytetarët të lëvizin me letërnjoftime dhe ka mbetur parakusht që ne t’i prodhojmë letërnjoftimet biometrike dhe në momentin që prodhohen edhe aty kalojnë lirshëm pa pasaporta”, ka theksuar Rexhepi, transmeton Kosovapress.
Kjo deklaratë e Rexhepit e ka gëzuar kryeministrin Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar nga ai që ta bëjë një gjë të tillë me të gjitha shtetet fqinje.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar sot janë miratuar edhe disa propozim-vendime, siç është Propozim-vendimit për themelimin e Grupit Punues Ndërministror për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin.
Po ashtu është miratuar Projekt-rregullorja e Punës së Komisioni Qeveritar për persona të zhdukur, Projekt-udhëzimit administrativ për formën dhe përmbajtjen e legjitimacionit.