Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka shprehur lëvdata për ushtarët e KFOR-it dhe mënyrën se si e kanë zhvilluar operacionin e heqjes së barrikadave të premten e kaluar në veri të Kosovës.
Shefi i NATO-s, ka shprehur keqardhje për shkak të dhunës që ndodhi. Duke folur për konfrontimin e ushtarëve të KFOR-it me radikalët serbë, Rasmussen ka thënë se “trupat tona kanë vepruar në vetëmbrojtje”.
Ai ka siguruar se KFOR-i do të zbatojë mandatin për të ofruar liri të lëvizjes për të gjithë, ndërsa nuk ka dashur të komentojë nëse NATO-ja duhet të jetë edhe më e kujdesshme në Kosovë pas zgjedhjes së kryetarit të ri serb, Tomislav Nikolic.