Brukseli dhe SHBA-të ia kanë bërë të qartë Tomislav Nikolicit, presidentit të sapo zgjedhur serb, se nga ai pritet që të tregojë më shumë kooperativitet lidhur me Kosovën.
Sipas gazetës serbe “Blic”, e cila thirret në burime diplomatike, presidentit të ri serb i është thënë se bashkëpunimi rreth kësaj çështjeje do të jetë vendimtar për ndryshimin e imazhit, të cilin ai tani e gëzon.
Burime të kësaj gazete bëjnë të ditur se Nikolic ka paralajmëruar se e pranon bashkëpunimin dhe këtë do ta dëshmojë qysh në takimet e pra të caktuara në Bruksel.
Udhëtimi i parë i Nikolicit për në Bruksel duhet të jetë takimi me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompey dhe me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton.
Ai këto takime i ka paralajmëruar për 14 qershor, por nga Komisioni Evropian të mërkurën është thënë se data e saktë për këto takime ende nuk dihet.
Iija Arenkilde Hansen, zëdhënëse e Jose Manuel Barrosos, kryetar i Komisionit Evropian, ka thënë se janë duke u konfirmuar datat dhe është duke u përgatitur plani për vizitën e Nikolicit në Bruksel.