I paqartë fati i administratës së UNMIK-ut

Misioni i OKB-së në Kosovë nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me administratën e vet në Mitrovicë. Shtetet mbështetëse të pavarësisë së Kosovës dhe Qeveria i kanë kërkuar misionit që udhëhiqet nga Farid Zarif që të shuajë administratën e këtij misioni, e cila nga viti 2002 ka administruar pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Krahas shuarjes së administratës (UAM), UNMIK-ut i është kërkuar edhe transferimi i të gjitha dokumenteve të kësaj administrate te Zyra administrative për veriun e Mitrovicës, e cila pritet që të funksionalizohet brenda javësh, shkruan Koha Ditore.
Një javë pas vendimit të Qeverisë për të krijuar zyrën e përkohshme në veri, UNMIK-u ende nuk ka vendosur nëse do ta mbyllë UAM-in.
“Është ende herët të përgjigjemi. Presim kontakte me autoritetet e Kosovës dhe me aktorët e tjerë”, ka përsëritur zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado.
Burime brenda Qeverisë së Kosovës kanë shpjeguar se po analizohet një mundësi e shuarjes dhe e kalimit të kompetencave gradualisht nga UAM-it te Zyra administrative, por një gjë e tillë do të zvarriste funksionalizimin e Zyrës administrative.