Fusnota forcoi UNMIK-un

Asnjë ndryshim të rëndësishëm nuk e ka sjellë marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, madje nuk ka arritur të ndryshojë as emrin e përfaqësimit të Kosovës. Kjo marrëveshje ishte konsideruar shumë e mirë, pasi që, siç patën deklaruar përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë, e heq përfaqësimin e Kosovës me UNMIK.

Megjithatë, siç bëhet e ditur tani, tre muaj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kosova vazhdon të përfaqësohet me UNMIK dhe jo me fusnotë (1244 dhe GJND), shkruan “Zëri”.
Të paktën kështu deklaruan deputetët të Kuvendit të Kosovës që përfaqësojnë Komisionin për Ekonomi.
Teuta Sahatçia, nënkryetare e këtij komisioni, tha se nga përfaqësuesit e agjencive qeveritare ka marrë vesh se fusnota nuk po aplikohet në përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Siç bën të ditur ajo, në këtë komision raportojnë në mënyrë të rregullt agjencitë si ajo e Aviacionit, Hekurudhave, Zyra e Rregullatorit Energjetikës (ZRRE) e disa të tjera, përfaqësuesit e të cilave gjatë raportimit kanë bërë të ditur për këtë.
“Unë i kam pyetur përfaqësuesit e këtyre agjencive, se si po përfaqësohen nëpër takimet e tyre rajonale pas arritjes së marrëveshjes për fusnotë dhe ata më kanë thënë se po përfaqësohen njëjtë si më parë me fjalën UNMIK”, tha Sahatçia.
Gazeta ka bërë përpjekje të kontaktojë me të gjitha këto agjenci, ndërsa nga ato që ka marrë informacione është thënë se “akoma nuk kanë zhvilluar ndonjë takim rajonal pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje”.