Komunat e reja të Kosovës duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë dhe institucionet tjera qendrore, u tha sot në një konferencë në lidhje me decentralizimi e pushtetit, sipas dispozitave të parapara me planin e Ahtisaarit. Decentralizimi në Kosovë deri më tani ka sjell krijimin e nëntë komunave të reja. Megjithatë, sfida më e madhe tash mbetet formimi i komunës së Mitrovicës veriore.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell tha me këtë rast se me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë edhe nivelet e pushtetit komunal duhet të jenë të gatshëm të ballafaqohet me më shumë sfida dhe përgjegjësi.
“Ky vit shënon një të arritur tjetër në zhvillimin e Kosovës si shtet - fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky proces i tranzicionit në të cilin do të hyni ka një ndikim në komuna, e për juve fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë do të sjellë përgjegjësi më të mëdha, sepse do të duhet që të mbështeteni më shumë në forcat tuaja”, tha ambasadori Dell, raporton Rel.
Ambasadori amerikan ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e zyrës administrative në veri.
Ky vendim sipas tij, flet më së miri për përkushtimin e qeverisë për krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët e saj.
Ndërkaq, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare - ICO, Pieter Faith ka potencuar se formimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut paraqet një nga sfidat e fundit, por edhe më të vështirat që dalin si obligime nga zbatimi i Pakos së Ahtisarit.
“Është e qartë se detyra më e rëndësishme, e cila mbetet në agjendën e decentralizimit, është themelimi i komunës së re në komunën e Mitrovicës”, theksoi Faith.
Ai tha se ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës do të diskutojnë me serbët në lidhje me hezitimet dhe rezervat e tyre rreth zyrës së re që pritet të hapet në veri.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic ka thënë se të gjitha komunat e reja kanë shënuar përparim në përmirësimin e kushteve për qytetarët, por ka potencuar se në veri mbetet sfidë funksionimi i strukturave paralele.
Po, në lidhje me veriun e Kosovës të enjten ka folur edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili para Kuvendit, i është zotuar për formimin e komunës së re të Mitrovicës veriore.
Kundër formimit të komunës së dytë në qytetin e Mitrovicës është shprehur Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk e ka mbështetur në asnjë fazë planin e Ahtisaarit.
Deputeti i saj, Glauk Konjufca, tha se qeveria paralajmëron formimin e një zyrë administrative atje pa shuarjen e strukturave paralele, çka sipas tij pashmangshëm se do ta çojë vendin në negociata që mund të përfundojnë me autonomi apo shkëputje të kësaj pjese nga Kosova.
“Të krijosh atje zyra administrative ndërkohë që Beogradi i ka edhe strukturat e veta të MUP-it, është të eksperimentosh po sikurse Bajram Rexhepi me kontejnerin e plastikës që u shkatërrua nga bandat e Beogradit”.
“Pa shpërbërjen e strukturave të Beogradit në veri, pa shporrjen e punëtorëve të MUP-it atje, pa çarmatosjen e bandave dhe pa arrestimin e strukturave të krimit të organizuar në veri, çdo përpjekje për integrimin e kësaj pjese të Kosovës mund të mbetet vetëm një dëshirë e mirë”, ka thënë Konjufca.
Sidoqoftë, nëse Qeveria e Kosovës dhe ICO ia dalin që të krijojnë edhe komunën veriore të Mitrovicës me gjithë kundërshtimet e shprehura nga serbët e atjeshëm dhe përfaqësuesit e tyre, atëherë përmbyllja e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur që pritet të shpallet këtë vit, do të mund të konsiderohej si mision i kompletuar, sa i përket zbatimit të planit të presidentit Ahtisaari.