Një grup epidemiologësh, ekspertë nga lëmi i etheve hemorragjike nga disa shtete evropiane e kanë qëndruar të enjten në Malishevë. Në takim me kryetarin e Komunës së Malishevës, ata kanë dhënë shpresa se në një të ardhme të afërt do të bëjnë zbulimin e një vaksine për mbrojtje nga ethet hemorragjike.
Ekspertë të epidemiologjisë nga Gjermania, Belgjika, Suedia, Franca, Turqia, Shqipëria, Sllovenia, e Greqia, në Malishevë janë shoqëruar nga Dr.Isuf Dedushaj, epidemiolog nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Nurishahe Hulaj, drejtoreshë e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Prizren.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, i ka njoftuar mysafirët me situatën rreth etheve hemorragjike.
“Nga viti 2001 në Komunën e Malishevës, nga ethet hemorragjike kanë vdekur 11 persona, ndërsa të infektuar deri tani kanë qenë 217 persona”, i ka njoftuar Kilaj epidemiologët evropianë, ka njoftuar Zyra për Informim Publik e KK të Malishevës.
Një informatë rreth kësaj gjendjeje e ka dhënë edhe drejtori i DSHMS-së në këtë komunë, Skënder Hoti.
Mysafirët janë informuar se një ditë më parë në Malishevë ka filluar spërkatja selektive e zonave endemike, në territorin e Komunës së Malishevës, në kuadër të luftimit të etheve hemorragjike, "e tëra kjo me mjete nga buxheti i komunës".
Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e trajtimit të këtij problemi nacional të Kosovës, në nivele ndërkombëtare.
“Malisheva dhe Kosova e kanë të vështirë të ia dalin të vetme në eliminimin e këtij fenomeni”, është thënë në takim.
Rajoni i Komunës së Malishevës viteve të fundit është i goditur nga epidemia e etheve hemorragjike, që vjen nga pickimi i rriqrës.