Anëtarët e Komisionit për Punëve të Jashtme kanë kërkuar të mërkurën tekstin origjinal të marrëveshjes për prezantimin e Kosovës në nismat rajonale, si dhe përkthimin zyrtar të atij teksti.
Ndër pikat që duhet të përmbushen gjatë muajit mars janë theksuar edhe raportimi në Komisioni i ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, si dhe raportimi i zv.kryeministres, Edita Tahiri, lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë.
Është thënë gjithashtu që kërkesa për raportim në Kuvend t’i përsëritet zv.kryeministres Tahiri, e cila do të duhej ta kishte bërë këtë gjatë muajit shkurt, por e cila, siç u theksua, madje as që i është përgjigjur fare Komisionit.
Anëtari i Komisionit, Shaip Muja, ka ngritur edhe një herë çështjen e shkarkimit të Albin Kurtit nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme.
Kurti, nga ana e tij, ia ka cituar Mujës normat e Rregullores së Kuvendit se si zgjidhen kryetarët e komisioneve, duke përjashtuar mundësinë e shkarkimit, pos nëse kështu dëshiron subjekti politik, i cili e ka deleguar.
Një pjesë e takimit të sotëm i është kushtuar bashkëpunimit me përfaqësuesit e organizatave mbështetëse të komisioneve parlamentare, të cilët kanë raportuar për mundësitë e mbështetjes së Komisionit për Punë të Jashtme.