Kosova do të trajtohet si të gjitha vendet tjera

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, deklaroi të mërkurën se avancimi i perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës me Studimin e Fizibilitetit është hapi i parë konkret, unik në mbështetje të shtetit të Kosovës.

Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Thaçi tha Kosova do të trajtohet si të gjitha vendet tjera, e barabartë, dhe ky hap, ky standard bëhet vetëm për vendet e pavarura dhe sovrane dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Sipas tij, kjo do të bëjë shkurtimin e rrugës për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe do të vazhdohet me marrëdhëniet kontraktuale me BE-në.
Qeveria ka miratuar Draft Protokollin Teknik për zbatimin e konkluzioneve të pajtuara për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (M.I.K) nga Dialogu i 2 dhjetorit 2011.
Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për vitin 2012.
Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë përcakton objektivat dhe interesat strategjike të Republikës së Kosovës, në fushën e sigurisë dhe prioritetet themelore të punës së AKI në kuadër të kompetencave të saj.
Po ashtu sot është miratuar nga Qeveria nisma për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Ky proces i rishikimit sipas ministrit të FSK-së Agim Çeku do të përfundojë deri në vitin 2013, kur pritet që të hiqen të gjitha kufizimet për FSK-n të parapara me planin e Ahtisaarit.
Qeveria ka marrë vendim për themelimin e Komisionit Qeveritar për Rishikimin e akteve nënligjore të miratuara nga Qeveria dhe ministritë. Rishikimi ka për qëllim për të reformuar dhe bërë më të efektshme kornizën rregullatore që aplikohet ndaj aktiviteteve ekonomike private dhe duhet të përfshijë një rishikim të akteve nënligjore të nxjerra nga Qeveria, duke përfshirë edhe aktet nënligjore të nxjerra nga Ministritë.
Ekzekutivi i vendit gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar edhe disa dokumente tjera, si dhe 85,555.00 euro për Ministrinë e Punëve të Jashtme, për Atasheun Ushtarak në misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Washington DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu me qëllim përkrahjen për zhvillimin e projekteve kapitale në Komuna, me qëllim të implementimit të ligjeve dhe Pakos Ahtisaari, Qeveria ka ndarë mjete nga rezerva e buxhetit për Komunën e Shtërpcës, 400 mijë euro, Graçanicës 200 mijë euro dhe qëllim të vazhdimit të disa projekteve kapitale i ka ndarë 400 mijë euro për Komunën e Drenasit.