Fondi i privatizimit i “varur” nga tenderi për likuidimin e ndërmarrjeve

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) obligohet që brenda dy javësh të përcaktohet për njërën nga kompanitë, të cilat kanë hyrë në garë për tenderin e likuidimit të portofolios së ndërmarrjeve shoqërore. Shuma e përgjithshme e mjeteve të përfituara nga procesi i privatizimit arrin mbi 584 milionë euro.

Derdhja e këtyre mjeteve në buxhetin e shtetit do të varet drejtpërdrejt nga procedura e likuidimit të ndërmarrjeve tashmë të privatizuara, dhe pagesat që pritet të kryhen për kreditorët potencialë. Më 10 shkurt kjo agjenci ka hapur ofertat e pranuara nga dy kompanitë private, derisa 28 kompani kanë shprehur interesin për pjesëmarrje në tender.
Oferta e kompanisë “Deloitte Central Europe” kap çmimin prej 4 milionë e 912 mijë eurove për tarifën fikse për shpenzimet operative, shkruan Koha Ditore.
Derisa oferta e kompanisë tjetër, asaj “Roland Berger”, kap çmimin prej 5 milionë e 800 mijë eurove për vlerën e tarifës fikse, që nënkupton shpenzimet operative gjatë ofrimit të shërbimeve profesionale për AKP-në.