Vlerësohet angazhimi i Moisiut dhe Mejdanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të mërkurën ish-presidentët e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, ndërsa vlerësoi angazhimin e tyre në kohën sa ishin në detyrë, në periudhat më të rëndësishme për shtetin shqiptar.

Ajo tha se me angazhimin e tyre gjatë mandatit dhe funksionit të tyre, në periudha të rëndësishme për Shqipërinë, si faktor uniteti, ndikuan në proceset demokratike dhe në avancimin e proceseve për anëtarësim të Shqipërisë në NATO dhe duke e qartësuar agjendën evropiane të saj.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Moisiu dhe Mejdani, duke e përgëzuar presidenten Jahjaga për punën e saj, vlerësuan pozitivisht zhvillimet e deritashme në Kosovë dhe avancimin e saj në proceset e integrimit euroatlantik.