Zeman trajneri i ri i Romës?

Presidenti i Pescaras, Daniele Sebastiani, ka zbuluar se trajneri Zdenek Zeman do të largohet nga klubi këtë verë për të marrë nën drejtim Romën.
Giallorossët ishin në treg për një trajner të ri për shkak të largimit të Luis Enrique, dhe tash duket se kanë gjetur zëvendësimin e duhur në 65-vjeçarin.

“Zeman do të shkojë te Roma. Gjithçka është vendosur. Kërkesa e Romës ishte shumë e fuqishme që ai të largohet”.

“Ne gjithmonë do të kemi raporte të mira me të. Zdenek ka lidhje të ngushta me qytetin, dhe gjithmonë do të jetë në zemrën e Pescaras”.

“Ne nuk mund ta mbanim atë këtu. Ai ka shumë joshje për qytetin e Romës, dhe për klubin e Romës në veçanti. Zgjidhja e tij ishte e pashmangshme”, ka thënë Sabastiani.

Chelsea 250 milionë për Messin

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është i gatshëm ta blejë superyllin e Barcelonës, Lionel Messi, nëse Pep Guardiola do ta kërkonte atë.
El Confidencial shkruan se Abramovich dëshiron ta sjellë Pep Guardiolën te Chelsea dhe është i gatshëm ta presë ish-trajnerin e Barcelonës të bëjë pushim njëvjeçar.

Edhe mundësia e blerjes së Messi është diskutuar te Blutë dhe raportohet se miliarderi rus nuk do t’i thotë jo nëse Guardiola kërkon të nënshkruajë me argjentinasin.

Klauzola blerëse e Messit kap vlerën 250 milionë eurove, shumë që është e arritshme nga Abramovich, nëse lojtari shprehet i gatshëm të largohet nga Nou Camp.

Liami i BB nis punën si DJ në Tiranë

Ish-banori i “Big Borther 5”, Liami, tashmë i është rikthyer jetës normale. Ai ka filluar punën si DJ në Tiranë.
Pas daljes së tij nga Big Bother, ai ka pohuar se pas kësaj aventure do të kthehet jetës normale në Gjermani, por nëse do t’i propozohen oferta të mira në Tiranë, ai do të merr në konsideratë për të jetuar aty.

Liami fillimisht do të jetë i ftuar special në një klub të natës në Tiranë si DJ, por ofertat për të pritet të shtohen.

Eve vjen në Prishtinë


Tashmë Prishtina është bërë ‘stacioni’ i këngëtarëve me famë botërore. Dhe, për herë të parë në kryeqytetin e Kosovës do të vijë edhe një këngëtare mjaft e njohur në tregun muzikor botëror. Është kjo këngëtarja e zhanrit hip hop dhe r’n’b, Eve.
Eve, një këngëtare me famë botërore, pritet të performojë para publikut prishtinas më pesë korrik. Ky koncert organizohet nga Powow Entertainment.

Eve njihet me këngët e saj si “Who’s that girl”, “Ritch Girl”, “Tamboruine”, etj.

PowowFest do të mbahet në datat 5, 9 dhe 15 korrik. Më 5 korrik performon Eve, më 15 Unikkatili, kurse zyrtarët e Powow kanë refuzuar të zbulojnë artistin që do të performojë më 9 korrik.

Së shpejti do të publikohen edhe informatat tjera rreth biletave për koncertin e Eve.

Paris xheloze në Kim

Paris Hilton është xheloze në ish-mikeshën e saj, Kim Kardashian, për shkak të famës dhe suksesit të saj gjithnjë në rritje.
“Kim gjithmonë do të jetë një plagë për Paris pasi ajo beson se pa të Kim nuk do ta kishte arritur suksesin që ka në jetë”.

“Paris mendon se Kim nuk ishte shoqe besnike ndaj saj dhe vetëm e ka shfrytëzuar atë për të bërë famë dhe se ajo është jofalënderuese për gjithçka që Paris ka bërë për të”.

“Paris është skajshmërisht xheloze në suksesin e Kim me shoun e saj, pasi projekti i fundit i Paris në televizion ishte dështim i plotë. Shtoja kësaj edhe popullaritetin që Kim po e rrit duke dalë me Kanye West”, ka thënë burimi.

Epidemiologët evropianë vizituan Malishevën

Një grup epidemiologësh, ekspertë nga lëmi i etheve hemorragjike nga disa shtete evropiane e kanë qëndruar të enjten në Malishevë. Në takim me kryetarin e Komunës së Malishevës, ata kanë dhënë shpresa se në një të ardhme të afërt do të bëjnë zbulimin e një vaksine për mbrojtje nga ethet hemorragjike.
Ekspertë të epidemiologjisë nga Gjermania, Belgjika, Suedia, Franca, Turqia, Shqipëria, Sllovenia, e Greqia, në Malishevë janë shoqëruar nga Dr.Isuf Dedushaj, epidemiolog nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Nurishahe Hulaj, drejtoreshë e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Prizren.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, i ka njoftuar mysafirët me situatën rreth etheve hemorragjike.

“Nga viti 2001 në Komunën e Malishevës, nga ethet hemorragjike kanë vdekur 11 persona, ndërsa të infektuar deri tani kanë qenë 217 persona”, i ka njoftuar Kilaj epidemiologët evropianë, ka njoftuar Zyra për Informim Publik e KK të Malishevës.

Një informatë rreth kësaj gjendjeje e ka dhënë edhe drejtori i DSHMS-së në këtë komunë, Skënder Hoti.

Mysafirët janë informuar se një ditë më parë në Malishevë ka filluar spërkatja selektive e zonave endemike, në territorin e Komunës së Malishevës, në kuadër të luftimit të etheve hemorragjike, "e tëra kjo me mjete nga buxheti i komunës".

Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e trajtimit të këtij problemi nacional të Kosovës, në nivele ndërkombëtare.

“Malisheva dhe Kosova e kanë të vështirë të ia dalin të vetme në eliminimin e këtij fenomeni”, është thënë në takim.

Rajoni i Komunës së Malishevës viteve të fundit është i goditur nga epidemia e etheve hemorragjike, që vjen nga pickimi i rriqrës.

“Mitrovica e veriut” sfida e fundit e decentralizimit

Komunat e reja të Kosovës duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë dhe institucionet tjera qendrore, u tha sot në një konferencë në lidhje me decentralizimi e pushtetit, sipas dispozitave të parapara me planin e Ahtisaarit. Decentralizimi në Kosovë deri më tani ka sjell krijimin e nëntë komunave të reja. Megjithatë, sfida më e madhe tash mbetet formimi i komunës së Mitrovicës veriore.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell tha me këtë rast se me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë edhe nivelet e pushtetit komunal duhet të jenë të gatshëm të ballafaqohet me më shumë sfida dhe përgjegjësi.

“Ky vit shënon një të arritur tjetër në zhvillimin e Kosovës si shtet - fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky proces i tranzicionit në të cilin do të hyni ka një ndikim në komuna, e për juve fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë do të sjellë përgjegjësi më të mëdha, sepse do të duhet që të mbështeteni më shumë në forcat tuaja”, tha ambasadori Dell, raporton Rel.

Ambasadori amerikan ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e zyrës administrative në veri.

Ky vendim sipas tij, flet më së miri për përkushtimin e qeverisë për krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët e saj.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare - ICO, Pieter Faith ka potencuar se formimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut paraqet një nga sfidat e fundit, por edhe më të vështirat që dalin si obligime nga zbatimi i Pakos së Ahtisarit.

“Është e qartë se detyra më e rëndësishme, e cila mbetet në agjendën e decentralizimit, është themelimi i komunës së re në komunën e Mitrovicës”, theksoi Faith.

Ai tha se ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës do të diskutojnë me serbët në lidhje me hezitimet dhe rezervat e tyre rreth zyrës së re që pritet të hapet në veri.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic ka thënë se të gjitha komunat e reja kanë shënuar përparim në përmirësimin e kushteve për qytetarët, por ka potencuar se në veri mbetet sfidë funksionimi i strukturave paralele.

Po, në lidhje me veriun e Kosovës të enjten ka folur edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili para Kuvendit, i është zotuar për formimin e komunës së re të Mitrovicës veriore.

Kundër formimit të komunës së dytë në qytetin e Mitrovicës është shprehur Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk e ka mbështetur në asnjë fazë planin e Ahtisaarit.

Deputeti i saj, Glauk Konjufca, tha se qeveria paralajmëron formimin e një zyrë administrative atje pa shuarjen e strukturave paralele, çka sipas tij pashmangshëm se do ta çojë vendin në negociata që mund të përfundojnë me autonomi apo shkëputje të kësaj pjese nga Kosova.

“Të krijosh atje zyra administrative ndërkohë që Beogradi i ka edhe strukturat e veta të MUP-it, është të eksperimentosh po sikurse Bajram Rexhepi me kontejnerin e plastikës që u shkatërrua nga bandat e Beogradit”.

“Pa shpërbërjen e strukturave të Beogradit në veri, pa shporrjen e punëtorëve të MUP-it atje, pa çarmatosjen e bandave dhe pa arrestimin e strukturave të krimit të organizuar në veri, çdo përpjekje për integrimin e kësaj pjese të Kosovës mund të mbetet vetëm një dëshirë e mirë”, ka thënë Konjufca.

Sidoqoftë, nëse Qeveria e Kosovës dhe ICO ia dalin që të krijojnë edhe komunën veriore të Mitrovicës me gjithë kundërshtimet e shprehura nga serbët e atjeshëm dhe përfaqësuesit e tyre, atëherë përmbyllja e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur që pritet të shpallet këtë vit, do të mund të konsiderohej si mision i kompletuar, sa i përket zbatimit të planit të presidentit Ahtisaari.

Sulmohet fizikisht kreu i VV-së në Shtime

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot ndaj sulmit fizik, që i është bërë të mërkurën kryetarit të saj në Shtime, Labinot Beqës.

Të mërkurën, më 30 maj, në debatin e organizuar nga emisioni “Jeta në Kosovë” në Shtime, ku u debatua mbi problemet në këtë komunë me përfaqësues të pozitës dhe opozitës, ndodhi një incident, me ç’rast Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Shtime Labinot Beqa u sulmua fizikisht nga Hilmi Aliu, profesor i padiplomuar në shkollën e mesme “Naim Frashëri”, i pranishëm në sallë, thuhet në reagim.

Më tej në reagimin e VV, thuhet se incidenti u shkaktua kur Labinot Beqa reagoi ndaj pranimit në punë të gruas së kryesuesit të Asamblesë Komunale në Shtime, Kujtim Xhelilit, si arsimtare e matematikës në shkollën fillore “Emin Duraku” në Shtime, përkundër që i mungonte kualifikimi, deri sa për të njëjtin vend pune ka aplikuar edhe një person tjetër me kualifikim adekuat. Ndaj kësaj reagoi Hilmi Aliu, i cili përveç sharjeve dhe fyerjeve e sulmoi edhe fizikisht Labinot Beqën.

Lëvizja Vetëvendosje! reagon ashpër ndaj këtij akti, duke vënë në pah se përkundër dallimeve politike apo çështjeve kontestuese, dhuna fizike është e papranueshme. Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që të marrin masa ndaj personave që kryejnë këso akte të papranueshme dhe në të ardhmen të sigurojnë ambient të sigurt për shprehje të lirë, pavarësisht bindjeve personale dhe politike

Vermaelen: Përgjithmonë te Arsenali

Thomas Vermaelen ia ka premtuar të ardhmen e tij Arsenalit, duke thënë se ai do të qëndrojë në Emirates për gjithë pjesën e mbetur të karrierës.
Mbrojtësi belg ka qenë shtylla e Topçinjve që nga transferimi i tij nga Ajaxi në vitin 2009 dhe synon t’i japë fund karrierën në Londër.
“Do të qëndroj përgjithmonë te Arsenali. Nuk do të ketë transferim për mua”.
“Më pëlqen Londra. Kam marrë shtëpi atje, jam i lumtur dhe nuk shoh arsye të largohem ndonjëherë nga klubi”, ka thënë Vermaelen. 

Benitez pret ofertë nga Aston Villa

Rafael Benitez është duke pritur një ofertë nga Aston Villa.
Villa sot pritet të zhvillojë negociata me menaxherin e Norwich Cityt, Paul Lambert, por ata janë në kërkim edhe të një opsioni dytësor.
Daily Mail shkruan se në listën e dëshirave të klubit janë edhe trajneri i Brighton, Gus Poyet, dhe ish-menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez.

Sneijder i ofrohet Cityt?

Interi është duke inkurajuar Manchester Cityn të bëjë ofertë për mesfushorin holandez Wesley Sneijder.
Tuttosport bën të ditur se Interi dëshiron të nënshkruajë me brazilianin Lucas këtë verë, por ka nevojë të shesë për të krijuar fonde dhe synon të joshë Cityn të harxhojë në Sneijder.
Ky i fundit është lidhur edhe me Manchester United së fundi, pasi transferimi i tij në Old Trafford verën e kaluar dështoi.
Interi mendon se mund të jetë i pa-konkurrencë në garën për Lucas, me Chelsean që tashëm ka marrë shërbimet e yllit të Lille, Eden Hazard, dhe me Real Madridin që mendon se i riu nuk është i gatshëm për La Ligën spanjolle

Di Maria: Mund ta mposhtim Barcën kurdo

Anësori i Real Madridit, Angel di Maria, thotë se sezonin e kaluar ata e kanë thyer barrierën psikologjike që kishin ndaj Barcelonës.
Tash që madrilenët e kanë rikthyer titullin e La Ligës, Di Maria thotë se Reali ka epërsinë ndaj Barcelonës.
“Mendoj se pasi fituam Ligën dhe mposhtëm Barcën në Nou Camp, ne kemi edhe më shumë vetëbesim. Tash ne e dimë se mund ta fitojmë çdo ndeshje kundër Barcelonës”.
“Me largimin e Guardiolës, nuk mendoj se ata do të ndryshojnë shumë, pasi Tito do ta vazhdojë punën e Guardiolës. Ne duhet të vazhdojmë të kryejmë punën tonë dhe mendoj se këtë vit ia dolëm vërtet mirë”, ka thënë Di Maria.

NBA: Heat mposhtin Celtics në kohën shtesë

Miami Heat i ka bërë ballë një performance të shkëlqyeshme të Rajon Rando, për të shënuar fitore 115-111 në kohën shtesë ndaj Boston Celtics dhe për të marrë avantazhin 2-0 në finalet e Konferencës Lindore.
Rando shënoi plot 44 pikë, bëri 10 asistime dhe tetë kërcime gjatë 53 minutave në fushë, në një ndeshje mjaft argëtuese, por mbeti pa partnerin e tij Paul Pierce (21 pikë) në kohën shtesë dhe vendimtare, pasi ky i fundit u suspendua për shkak të faulleve.
Miami i dha fund çerekut të dytë me një avantazh 53-46, ndërsa në fund të çerekut të tretë kishte avantazhin 81-75. Por kur publiku priti fitoren e skuadrës vendase, mysafirët morën guximin për të barazuar ndeshjen 99-99, dhe për të çuar në lojën shtesë, e cila megjithatë i takoi sërish Miamit.
LeBron James ishte më i spikaturi te skuadra vendase me 34 pikë të shënuara. Ndeshja e tertë zhvillohet të premten kur sfida për dy ndeshjet e radhës do të zhvendoset në Boston. 

Barca pas Alvaro Vazquez

Barcelona është duke menduar të bëjë ofertë për sulmuesin e Espanyol, Alvaro Vazquez.
Trajneri i ri i Barcës, Tito Vilanova, do të jetë në treg gjatë verës për një mbrojtës të qendrës dhe një mbrojtës të majtë.
Megjithatë, AS shkruan se sulmuesi i ri i përfaqësueses U21 të Spanjës po ashtu është në agjendën e klubit.
Drejtuesit e Barcelonës janë të bindur se i riu është i destinuar për të qenë një yll dhe mendojnë ta transferojë atë më herët për t’i dhënë kohë të përshtatet në klub. 

Milani i bindur se PSG do të insistojë për Paton

Milani pret një ofertë të re të Paris Saint Germain për Alexandre Paton në ditët në vazhdim.
Mediaset shkruan se PSG do të tentojë edhe një herë për Paton, pasi lojtari refuzoi një transferim në janar – pavarësisht se Milani kishte pranuar ofertën prej 35 milionë eurosh për të.
Drejtori sportiv i PSG, Leonardo, tashmë ka biseduar me agjentin e Patos në ditët e fundit për të diskutuar mundësinë e transferimi tët tij në Francë.
Klubi francez, që tash është pronë e investitorëve arab, dëshiron të sjellë emra të nivelit të Patos, për të ngritur profilin e klubit dhe për të bindur yje të tjera të transferohen në Ligue 1. 

Buffon: Conte është i pastër

Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, është i bindur se trajneri Antonio Conte është i pastër pasi ai u bastis me supozimet se ishte i përfshirë në skandalin e montimit të ndeshjeve.
Conte, i cili ia solli Juvnetusit titullin e kampionit këtë sezon, është nën hetime në lidhje me kohën e tij kur ishte trajner i Sienës, sezonin e kaluar.
“Nuk kam frikë se ne do ta humbim Conten. Unë as që e kam menduar këtë, duke marrë parasysh se çfarë ka thënë vetë ai”, ka thënë Buffon.

Man United pas Keitas

Manchester United është duke përcjellë nga afër negociatat e Seydou Keita me Barcelonën.
Marca shkruan se Keita është afër largimit nga Nou Camp, me skuadra si United, Roma, Atletico Madrid dhe Milan që janë të gatshme ta transferojnë 32-vjeçarin nga Mali.
Agjenti i lojtarit, Pascal Boisseau, ka thënë se Keita ende nuk ka vendosur për të ardhmen, por fillimisht planifikon biseda me trajnerin e ri Tito Vilanova.

Reali kthehet kah Isla

Real Madridi është duke kërkuar gjerësisht një mbrojtësi të ri të krahut të djathtë, dhe në listën e opsioneve tash është edhe Maurucio Isla.
Trajneri Jose Mourinho dëshiron të transferojë një mbrojtës i cili do të ishte mbulesë ose konkurrent i Alvaro Arbeloa,.
Tuttomercatoweb shkruan se mbrojtësi i krahut i Udineses, Mauricio Isla, po ashtu është në radarin e madrilenëve.
Real Madridi mendohet se është i gatshëm të ofrojë plot 17 milionë euro për ta transferuar kilianin gjatë afatit kalimtar veror. 

Nora, nuk del pa telefon, kuletë e çelësa

Edhe pse posedon shumë çanta, modelja Nora Asani është e fiksuar vetëm në njërën nga çantat që ka. Tani e disa muaj ajo mban kudo me vete çantën e firmës Michael Kors.
“Nuk jam shumë e dhënë pas çantave, edhe pse kam shumë prej tyre, nuk i përdor shumë. Më shumë jam e fiksuar vetëm në një çantë dhe thuajse në çdo ditë e bartë vetëm njërën prej tyre. E kam edhe si princip që kur të më fiksohet diçka në kokë për gjërat që i kam, mund të kalojë shumë kohë dhe ta bartë vetëm atë që më është fiksuar. Kështu kohëve të fundit po ndodh edhe me një çantë timen”, ka thënë ajo për “Zërin”.
Nora zakonisht bart çantën e madhe për shkak se në të mund të fusë shumë gjëra. Ndërkaq gjërat që nuk mungojnë në çantën e saj janë: kuleta, telefoni, agjenda, çelësat, parfumi, stilografi, shkëlqyesi i buzëve dhe një pasqyrë e vogël.
“Thuajse të gjitha çantat që i kam janë të mëdha, preferoj të jenë të mëdha për shkak se zënë më shumë gjëra dhe jam një tip që bart shumë gjëra në çantë. Nga shumë gjëra që kam në çantë, asnjëherë nuk ndodh të mos i kem me vete telefonin e dorës, kuletën dhe çelësat, këto janë gjërat pa të cilat nuk mundem”, ka shtuar Nora. 

Rona i kthehet Kosovës

Rona Nishliu e cila javën e kaluar përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong me këngën “Suus”, mbrëmë është mirëpritur nga kolegët e saj, pas suksesit që arriti në festivalin evropian.
Një gala mbrëmje është organizuar për nder të këngëtares kosovare, e cila arriti në vendin e pestë në festivalin e Eurovisionit si përfaqësuese e Shqipërisë.
Përveç kolegëve të saj, Rona Nishliu është pritur me duartrokitje edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Mbrëmjen e ka filluar organizatori i ndejës, Erolld Belegu, i cili ka paralajmëruar se kjo do të jetë një mbrëmje befasi për këngëtaren.
“Në momentet e këtilla kam dëshirë që të këndoj dhe jo të fal. Faleminderit për këtë pritje! Faleminderit Presidente që më keni telefonuar që në natën e parë në gjysmëfinale. Ju faleminderit. Kaltrina, Lori, Blero dhe të gjithë të tjerët ju faleminderit!”, ka thënë Rona, transmeton Express.
Ajo ka falënderuar edhe mediat kosovare dhe të gjithë të tjerët, familjen, por edhe Florent Boshnjakun.
“Uroj që këso momentesh të kemi edhe më shpesh. T’i tregojmë botës, t’i tregojmë Evropës që edhe ne mund të tregojmë vlerat tona”, tha kompozitori Boshnjaku.
“Ju, Rona, keni prezantuar një vlerë, sepse rinia e Kosovës ka një vlerë që mund t’ia prezantojë tërë botës”, ka thënë Jahjaga.
I pranishëm ka qenë edhe Martin Lekaj, i cili është përkulur para Ronës dhe ka thënë se ai ndihet shumë i emocionuar. Ai ka evokuar kujtime nga pjesëmarrja në Eurovision, përderisa krejt në fund ka ardhur deri tek prerja e ëmbëlsirës, që Rona e ka bërë bashkë me presidenten Atifete Jahjaga.

Gold AG dhe Zajmina fitojnë “Çelësin Muzikor”

Gold AG dhe Zajmina Vasjari janë fituesit e edicionit të gjashtë të festivalit “Çelësi Muzikor”.
Reperi nga Kosova dhe këngëtarja nga Shqipëria fituan çmimin kryesor në natën e mbrëmshme finale të festivalit, me këngën e tyre “Forever”.
Vendi i dytë në kategorinë e muzikës moderne i takoi Hekuran Krasniqi me këngën ‘Jam i yti’.
Çmimin e parë për zhanrin e muzikës popullore e fitoi Fahrush Azemi me këngën ‘Kush ma falë rininë’, ndërsa i dytë në këtë zhanër doli Rajmond Prenaj me këngën ‘Pa ty’.
Në vazhdim lista e plotë e fituesve: 
Çmimi i parë modern:
Gold AG feat. Zaimina ‘Forever’
Çmimi i parë popullor: 
Fahrush Azemi ‘Kush ma falë rininë’
Çmimi i dytë modern:
Hekuran Krasniqi ‘Jam i yti’
Çmimi i dytë modern:
Siciliana Mazi ‘Magjia e kësaj vere’
Çmimi i dytë popullore:
Rajmond Prenaj ‘Pa ty’
Çmimi i tretë popullore :
Hysi ‘Teper vonë’
Best Interpret:
Hekuran Krasniqi ‘Jam i yti’
Çmimi i publiku:
Dilja ‘Pa ty s’jam gjallë’
Best Pop-Folk: 
Dugi ‘Ekuacion’Best
Pop-Dance:
Njomza Hyseni ‘Ti ki talent’
Best hip-hop:
Gold AG feat. Zaimina ‘Forever’
Best Balada:
Fjolla Morina ‘E di, do kaloj
Best Female:
Shkenda ‘Free’
Best Male:
JetmiR ‘Une tboj high’
Zico TV:
Rina Avdyli ‘Nuk je i vetmi’
Top Kosova Radio:
Baboo Darabuka & Dj Benity ‘Lele’
Paraqitja skenike-Koreografi:
Besnik Peqani - Niki dhe ART Desing
Best New Artist:
Besnik Peqani - Niki ‘Ik’. 

A tradhton çdo njeri?

Fenomeni tradhtia në bashkëshortësi është një fenomen që lirisht mund të analizohet shkencërisht dhe assesi nuk mund të zbulohen arsyet e tradhtisë dhe parandalimi i saj.
Të gjithë thonë se nuk e bëjnë, vetëm ata që zihen në flagrance e pranojnë. Siç duket kjo qëndron në gjenet tona. Njeriu, nga natyra nuk është i krijuar për monogami. Këtë e shpjegon Dr. Hermann Weiss, mjek në Institutin për hulumtime shkencore të njeriut. Bile ai thotë se njerëzit të cilët nuk tradhtojnë në martesë, fejesë apo lidhje dashurie janë shumë të palumtur me partnerin.
Nëpër botë sot ekzistojnë edhe agjenci të cilat tradhtinë ua mundësojnë njerëzve, do të thotë atyre të martuarve, për krejt pak para.
Në anketën e bërë nga një institut në Bonn të Gjermanisë, 66% të meshkujve kanë tradhtuar së pakut një herë në jetë partneren e tyre, kurse 28% e femrave kanë tradhtuar partnerin e tyre së paku një herë.
Këto janë fakte rrëqethëse për njeriun sot. Në botën moderne tradhtia konsiderohet si shumë e rëndomtë dhe normale. 

Qumështi nuk vështirëson frymëmarrjen

Shumëkush beson se qumështi mund të shkaktojë pengesa në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, mirëpo shkencëtarët i hedhin poshtë këto pohime.
Në revistën Medical Hypotheses, në të cilën publikohen teoritë radikale biomjekësore, janë publikuar supozimet, me anë të të cilave shpjegohet se megjithatë një numër i vogël i njerëzve vuajnë nga problemet me frymëmarrje si pasojë e qumështit.
Duke analizuar disa studime, autorët kanë ardhur në përfundim se jo çdo qumësht është i njëjtë.
Një lloj i caktuar i lopëve, prodhojnë qumështin që përmban proteinën e quajtur beta-CM-7, e cila stimulon gjëndrat përgjegjëse për prodhimin e mukusit në sistemin tretës.
Këto gjëndra janë të pranishme edhe në sistemin e frymëmarrjes, ndërsa krahas shfaqjes së inflamacioneve (p.sh. te astma), prodhohet sasi e madhe e mukusit.
Kjo teori krijon lidhshmëri në mes të konsumimit të qumështit dhe sasisë së rritur të prodhimit të mukusit në rrugët e frymëmarrjes, mirëpo shkencëtarët thonë se bëhet fjalë vetëm për një hipotezë.

Lenovo IdeaTab S2109, lirë e mirë?

Muajin e kaluar, Lenovo prezantoi tabletin e saj të fundit Android, Lenovo IdeaTab S2109, dhe tani kompania ka njoftuar se do të dal në shitje në SHBA në qershor dhe çmimi i shitjes me pakicë i këtij tableti do të jetë 349,99 dollarë.
Lenovo IdeaTab S2109 do të vijë me Android Ice Cream Sandwich 4.0 dhe përmban një ekran të ndjeshëm në prekje me 9.7 inç, dhe rezolucion prej 1024 x 768 piksel.
Procesori i këtij tableti është dual core 1GHz TI OMAP 4430, ndërsa i njëjti gjithashtu përmban 1GB RAM, si dhe kamerën e përparme për video komunikim.
Për më shumë, Lenovo IdeaTab S2109 është i pajisur edhe me portin HDMI, mikro USB, mikro SD kartelën për 32GB shtesë, si dhe katër dëgjuese të jashtme për zërim SRS.

Peshku i gjallë në mushkëri

Mjekët në Indi janë detyruar ta operojnë një fëmijë 12-vjeçar për t’ia larguar një peshk të gjallë nga mushkëritë.
Anil Barela kishte gëlltitur një peshk me madhësi prej nëntë centimetrash derisa po luante me shokët në afërsi të një lumi në qarkun Khargone të shtetit Madhya Pradesh.
Sipas mediave në Indi, fëmijët shpesh gëlltisin peshq teksa luajnë pranë lumenjve, mirëpo në këtë rast peshku kishte shkuar në rrugë të gabuar dhe ka përfunduar në mushkëritë e fëmijës.
Pasi ka pasur vështirësi në frymëmarrje, djaloshi është paraqitur në spital, ku i është bërë rëntgeni dhe mjekët vendosën ta operonin. Pas 45 minutash, ata e kanë nxjerrë peshkun.
“Peshku ka qenë i gjallë dhe ka penguar funksionet e mushkërive”, ka thënë kirurgu Dr. Pramod Jhawar, duke shtuar se kjo ka qenë hera e parë në karrierë që sheh diçka të tillë. 

Baristi më i mirë në botë? (Video)

Ukrainasi Alexander Shtifanov konsiderohet si baristi më i mirë në botë, pasi i ka shfaqur aftësitë e tij në një shou televiziv.
Ai e ka demonstruar se çfarë di të bëjë me shishet dhe gotat në një spektakël ukrainas për zbulimin e talenteve, ndërsa pas lansimit në YouTube, videoja është shndërruar në një hit. 

Përmbyllet Berza e Punësimit

Prishtina ka qen destinacioni i fundit për projektin "Berza e Punësimit Kosova 2012" i organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në mbështetje të Qeverisë së Kosovës. Berza ka pasur për qëllim rritjen e punësimit nëpër kompani private. Në Prishtinë morën pjesë mbi 70 kompani të cilat kanë ofruar oferta për punësimi.
Kryetari i AKB-së Agim Shahini, tha se përpjekjet tona për punësim nuk do të ndalen. ”Berza e Punësimit Kosova 2012’, ka një rëndësi të veçantë sepse po realizohet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, theksoi Shahini.
Behxhe Gaxhiqi, zyrtar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se e dhe projektet e tjera që kanë për synim punësimit do të mbështetën. “Kërkojmë nga bizneset që të punësojnë të papunët sidomos të rinjtë”, tha Gazhiqi.
“Berza e Punësimit Kosova 2012” ka nisur më 17 maj. 

Banka Kombëtare Greke humb 537 milionë euro

Banka Kombëtare e Greqisë (NBG), instanca e parë bankare në vend, njoftoi se kishte pasur një humbje neto prej 537 milionë eurosh gjatë tremujorit të parë 2012, për shkak të recesionit.
''NBG-ja regjistroi humbje neto prej 537 milionë eurosh për shkak të zhvillimeve negative në sektorin financiar dhe rritjes vjetore prej 47 për qind", theksoi banka në një komunikatë.
Në vazhdën e tre bankave të tjera kryesore greke, NBG regjistroi humbje masive në vitin 2011 duke u rritur me 12.3 miliardë euro, prej të cilave 11.7 miliardë euro nga humbjet si pasojë e ristrukturimit të borxhit të vendit

Çmimet e naftës me rritje te lehtë

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtarë, po mbizotërohen edhe nga tregjet e aksioneve mbi shqetësimet për Eurozonën dhe pjesa më e madhe e investitorëve institucionalë po tërhiqen nga stoqet me risk për shkak të frikës për të ardhmen e financave të Spanjës një ekonomi që konsiderohet si shumë e madhe për të falimentuar dhe shumë e madhe për tu ndihmuar.
Nafta bruto Brent e Londrës për korrikun u rrit 13 cent në 103.60 dollarë për fuçi. Kjo kontratë mbyll këtë muaj me rënie më shumë se 13 për qind dhe është rënia më e madhe që nga maji i vitit 2010.
Nafta bruto amerikane për korrikun u rrit 25 cent në 88.07 dollarë për fuçi. Kjo kontratë po mbyll këtë muaj me rënie më shumë se 16 për qind dhe është më e madhja që nga fundi i vitit 2008.

OJQ-të: Ministria e Drejtësisë injoron shoqërinë civile

Një grup i Organizatave jo qeveritare janë tërhequr nga Grupi punues për Ligjin për Konfiskimin e pasurisë , pasi sipas tyre, Ministria e Drejtësisë ka injoruar qëndrimet e shoqërisë civile.
Në kumtesë thuhet se organizatat që përbëjnë Forumin Këshillues të OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion kanë qenë pjesë e grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, vetëm formalisht.
Organizatat që përbëjnë Forumin Këshillues të OJQ-ve janë: Asociacioni i Kriminalistëve të Kosovës (AsKK), Organizata ÇOHU, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Lëvizja FOL, Instituti GAP, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), Iniciativa për Progres (INPO),Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA).
“Deri më tani janë mbajtur vetëm tre takime, një konstituiv, dhe dy takime të llojit të seminarit, ku kanë prezantuar një ekspert italian dhe një gjerman dhe asnjë takim pune. E vetmja formë e komunikimit me MD-në ka qenë në formë elektronike, ku Forumi i OJQ-ve ka dërguar qëndrimet në lidhje me përmbajtjen e ligjit më 1 mars të këtij viti. Nga ana tjetër, MD ka premtuar se do të organizojë takime punuese, me qëllim të shkëmbimit të ideve, por që kjo nuk ka ndodhur asnjëherë”, thuhet më tej në komunikatë.
Ndërkohë, sipas tyre, në strategjinë legjislative ishte paraparë që Ligji në fjalë të arrij në Kuvend gjatë muajit maj.
“Duke qenë dëshmitarë se është shkelur edhe ky afat, MD më 29 maj ka dërguar tek ne një draft të dytë të Ligjit që ata e quajnë për Konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale dhe ka kërkuar që për dy ditë, përkatësisht më 1 qershor të kthehen komentet tona. Kjo nënkupton se MD nuk i ka marrë parasysh qëndrimet tona rreth ligjit. Tani, duke parë se MD ka injoruar qëndrimet e shoqërisë civile, është qëndrim i Forumit Këshillues të OJQ-ve që përbëhet nga dhjetë OJQ, që të tërhiqemi nga grupi punues dhe çdo aktivitet i mëtutjeshëm i Qeverisë, nuk e ka mbështetjen e shoqërisë civile”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave. 

Kosova do t’i përmbush obligimet e Udhërrëfyesit

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, të enjten para ligjvënësve ka falënderuar Bashkimin Evropian, i cili ka dhënë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, duke thënë se Kosova do të përmbush të gjitha ato obligime që dalin nga ky udhërrëfyes.
Ndërkohë ka vlerësuar lartë tri vendime që janë marr brenda një viti, siç është momenti i 25 korrikut, organizimi i zgjedhjeve serbe nga ana e OSBE-së në Kosovë, si dhe momenti i tretë, vendimin për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës.
Këtë të fundit, hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e ka kritikuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se themelimin e ndonjë institucioni, në veri, duhet ta bëjnë institucionet e sigurisë dhe jo Qeveria e Kosovës, njofton “KosovaPress”.
“Ky është lajm i vonuar, por i shumëpritur. Dje u hapë një etapë e re me BE-në. Të gjitha që dalin nga ky proces, Qeveria do t’i trajtojë me seriozitet, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në BE. I falënderoj kryetarët e komunave, gjithë partitë politike për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin këtij procesi, OJQ-të dhe mediat”, ka theksuar Thaçi, duke thënë se Kosova do t’i plotësojë të gjitha obligimet që dalin nga udhërrëfyesi, qoftë në legjislacion, ekonomi apo politikë.
Duke folur për vendimin për hapjen e Zyrës Administrative, në veri të Mitrovicës, ai tha se ajo zyrë do të jetë funksionale në veri, do të ketë rol ekzekutiv dhe do të ketë 7 drejtori dhe 90 punëtorë.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se këto ditët e fundit u prezantua me shumë bujë hapja e Zyrës Administrative në veri, përpjekje kjo që u duartrokit edhe nga disa parti opozitare.
Konjufca ka thënë se krijimi i kësaj zyre është gabim, pasi që siç ka thënë ai qeveria po mundohet të bëjë integrimin për këtë pjesë, nëpërmjet garës me Beogradin se kush mund të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët e asaj pjese.
“Nëse ka nevojë për themelimin e ndonjë institucioni në veri, këto janë institucionet e sigurisë së Kosovës. Të krijosh zyre atje, kur edhe Beogradi ka institucionet e MUP-it është sikur Bajram Rexhepi që vendosi kontejner plastike”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, pa shpërbërjen e strukturave paralele, çdo përpjekje për integrimin e kësaj pjese do të mbetet vetëm dëshirë.
Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është një lajm i mirë për Kosovën. Por, sipas tij, udhërrëfyesi ka me përmend dukurinë e korrupsionit të lartë në vend, papunësinë dhe dukuri të tjera.
“Udhërrëfyesi definitivisht ka me të thënë: uleni korrupsionin, uleni papunësinë, uleni krimin e organizuar, ndreqni spitalet, ndreqni shkollat, punësoni njerëzit. Kjo është rruga, ky është udhërrëfyesi”, ka theksuar Gjini. 

MUP-i serb vendos kontejner afër Jarinjës

Pjesëtarë të MUP-it serb të udhëhequr nga një strukturë komanduese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë shtuar prezencën e tyre edhe afër pikës kufitare në Jarinjë të Leposaviqi.
Burime të “Kosovapressit”, kanë njoftuar se ata kanë vendosur, ditë më parë, një kontejner në këtë vend dhe po i përcjellin me vëmendje të gjitha zhvillimet tek kjo pikë kufitare.
“Vënia e kontejnerit dhe prezenca jonë këtu është një nga planet operacionale të efektivit të veprimtarisë së MUP-it serb në veri të Kosovës”, citon burimi ynë një pjesëtar të MUP-it. 

I paqartë fati i administratës së UNMIK-ut

Misioni i OKB-së në Kosovë nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me administratën e vet në Mitrovicë. Shtetet mbështetëse të pavarësisë së Kosovës dhe Qeveria i kanë kërkuar misionit që udhëhiqet nga Farid Zarif që të shuajë administratën e këtij misioni, e cila nga viti 2002 ka administruar pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Krahas shuarjes së administratës (UAM), UNMIK-ut i është kërkuar edhe transferimi i të gjitha dokumenteve të kësaj administrate te Zyra administrative për veriun e Mitrovicës, e cila pritet që të funksionalizohet brenda javësh, shkruan Koha Ditore.
Një javë pas vendimit të Qeverisë për të krijuar zyrën e përkohshme në veri, UNMIK-u ende nuk ka vendosur nëse do ta mbyllë UAM-in.
“Është ende herët të përgjigjemi. Presim kontakte me autoritetet e Kosovës dhe me aktorët e tjerë”, ka përsëritur zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado.
Burime brenda Qeverisë së Kosovës kanë shpjeguar se po analizohet një mundësi e shuarjes dhe e kalimit të kompetencave gradualisht nga UAM-it te Zyra administrative, por një gjë e tillë do të zvarriste funksionalizimin e Zyrës administrative. 

Nikolic do të bashkëpunojë lidhur me Kosovën

Brukseli dhe SHBA-të ia kanë bërë të qartë Tomislav Nikolicit, presidentit të sapo zgjedhur serb, se nga ai pritet që të tregojë më shumë kooperativitet lidhur me Kosovën.
Sipas gazetës serbe “Blic”, e cila thirret në burime diplomatike, presidentit të ri serb i është thënë se bashkëpunimi rreth kësaj çështjeje do të jetë vendimtar për ndryshimin e imazhit, të cilin ai tani e gëzon.

Burime të kësaj gazete bëjnë të ditur se Nikolic ka paralajmëruar se e pranon bashkëpunimin dhe këtë do ta dëshmojë qysh në takimet e pra të caktuara në Bruksel.

Udhëtimi i parë i Nikolicit për në Bruksel duhet të jetë takimi me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompey dhe me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton.
Ai këto takime i ka paralajmëruar për 14 qershor, por nga Komisioni Evropian të mërkurën është thënë se data e saktë për këto takime ende nuk dihet.
Iija Arenkilde Hansen, zëdhënëse e Jose Manuel Barrosos, kryetar i Komisionit Evropian, ka thënë se janë duke u konfirmuar datat dhe është duke u përgatitur plani për vizitën e Nikolicit në Bruksel.

Tadic ia lë Nikolicit përgjegjësitë për Kosovën

Boris Tadic duket se do të jetë kryeministri i radhësh serb. Ai ka marrë mbështetjen edhe nga këshilli drejtues i Partisë Demokratike të Serbisë që të pranoj postin që i është ofruar nga Partia Socialiste e Serbisë. Ndërsa përgjegjësitë për Kosovën, Tadic ia ka lënë kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolic.
Në mbledhjen e Këshillit drejtues të partisë së tij Tadic ka thënë se është i gatshëm që ta udhëheq Qeverinë edhe me kushtin që Partia Demokratike në qeverinë e re të ndajë përgjegjësinë e vet, të punojë në grup dhe të qëndrojë në mbështetje të tij.
Tadici përgjegjësitë për Kosovën ia ka lënë kreut të shtetit. “Nikolic të paraqes planin për Kosovën dhe Ekonominë”, ka thënë Tadic, raportojnë mediat serbe.
Ai ka shtuar se nuk pret që Nikolic të udhëheq bisedimet teknike, por duhet që të marrë iniciativë që ta realizojë premtimin që e bëri gjatë zgjedhjeve.

“Grupi i Mitrovicës” akuzohet për pastrim parash

Përfitimet materiale gjatë një dekade nga tregtia e karburanteve, e cila për Prokurorinë është kriminale, e kanë bërë Mentor Beqirin njërin prej njerëzve më të pasur në Kosovë.
Prokurori i EULEX-it, Olivier Beauvallet, dyshon se milionat e përfituar nga veprimtaria kriminale e Beqirit kanë nisur të investohet në ndërtimin e banesave në Mitrovicë e Fushë-Kosovë. Madje, sipas tij, ndërtimi po kryhet nga një kompani e paregjistruar.
Mentor Beqiri (1979) bashkë me Albert Beqirin, Jahë Osmanin, Halil Hasanin, Vesat Imerin dhe Enver Tahirin janë duke u hetuar nga ky prokuror për kontrabandë të mallrave, shmangie nga tatimi, shmangie mashtruese nga taksat e importit dhe akcizës krim të organizuar dhe pastrim parash, shkruan sot Koha Ditore.
“Dimensionet e biznesit kriminal të udhëhequr nga Mentor Beqiri duket të jenë të mëdha. Prova e marrë nga regjistrimi dhe përgjimi i telekomunikimeve të tij ka zbuluar se Mentor Beqiri është gjithashtu i përfshirë në veprimtari lidhur me ndërtimin dhe shitjen e pronës së paluajtshme në emër të kompanisë ‘Project Energineering’, firmë kjo e paregjistruar... në Fushë-Kosovë dhe dy të tjera në pjesën jugore të Mitrovicës”, ka përshkruar prokurori veprimtarinë e tij.
“Kjo veprimtari ka mundur të jetë kanal përmes të cilit janë pastruar përfitimet e ardhura nga shitja e karburantit të kontrabanduar”.
Mirëpo, Beqiri i ka mohuar këto. Gjatë intervistës që ka dhënë të martën në orët e vona në kampin “Alfa Bravo” në Fushë-Kosovë ka thënë se të dyshuarit e tjerë janë punëtorë të tij të regjistruar. Ai ka thënë se të gjitha pagesat i kryen nëpërmjet llogarive bankare, derisa për ndërtimin e banesave ka ortakëri me biznesmen nga Kuvajti.

Fusnota forcoi UNMIK-un

Asnjë ndryshim të rëndësishëm nuk e ka sjellë marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, madje nuk ka arritur të ndryshojë as emrin e përfaqësimit të Kosovës. Kjo marrëveshje ishte konsideruar shumë e mirë, pasi që, siç patën deklaruar përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë, e heq përfaqësimin e Kosovës me UNMIK.
Megjithatë, siç bëhet e ditur tani, tre muaj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kosova vazhdon të përfaqësohet me UNMIK dhe jo me fusnotë (1244 dhe GJND), shkruan “Zëri”.
Të paktën kështu deklaruan deputetët të Kuvendit të Kosovës që përfaqësojnë Komisionin për Ekonomi.
Teuta Sahatçia, nënkryetare e këtij komisioni, tha se nga përfaqësuesit e agjencive qeveritare ka marrë vesh se fusnota nuk po aplikohet në përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Siç bën të ditur ajo, në këtë komision raportojnë në mënyrë të rregullt agjencitë si ajo e Aviacionit, Hekurudhave, Zyra e Rregullatorit Energjetikës (ZRRE) e disa të tjera, përfaqësuesit e të cilave gjatë raportimit kanë bërë të ditur për këtë.
“Unë i kam pyetur përfaqësuesit e këtyre agjencive, se si po përfaqësohen nëpër takimet e tyre rajonale pas arritjes së marrëveshjes për fusnotë dhe ata më kanë thënë se po përfaqësohen njëjtë si më parë me fjalën UNMIK”, tha Sahatçia.
Gazeta ka bërë përpjekje të kontaktojë me të gjitha këto agjenci, ndërsa nga ato që ka marrë informacione është thënë se “akoma nuk kanë zhvilluar ndonjë takim rajonal pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje”. 

Aquilani pret trajnerin e ri të Liverpoolit

Mesfushori italian, Alberto Aquilani, ka pranuar se e ardhmja e tij do të zgjidhet pasi që Liverpooli ta finalizojë angazhimin e trajnerit të ri.
Aquilani e kaloi sezonin e kaluar në formë huazimi te Milani, mirëpo Rossonerët nuk janë të interesuar që ta blejnë atë.

“Po pres që Liverpooli të vendosë rreth emrit të trajnerit të ri dhe të riorganizohet. Pastaj do të duhet të takohemi, në mënyrë që të kuptoj planet e tyre”.

“E vetmja gjë që mund të bëj, është që të marr vendimin e duhur. Për mua është me rëndësi që të më jepet mundësia për të kontribuuar, të luaj mirë dhe rregullisht”, ka thënë mesfushori për La Gazzetta dello Sport.

Kaka drejt Sao Paulos?

Mesfushori i Real Madridit, Kaka, besohet se është takuar me drejtuesin e lart të Sao Paoulos, Marco Aurelio Cunha, jo më larg se javën e kaluar për të biseduar mbi një rikthim të mundshëm në Brazil.
30 vjeçari është prekur nga problemet me lëndimie gjatë periudhës sa ka qëndruar te Real Madridi, ndërsa tani kërkon të shpëtojë nga konkurrenca, e cila po e vret karrierën e ish-superyllit të Milanit.

Sao Paulo si duket është interesuar për Kakan dhe tashmë ka mbajtur një takim me brazilianin, por klubi brazilian nuk ka 25 milionë euro për të paguar, përderisa PSG mezi pret ta shfrytëzojë rastin.

Ozil krenar me titullin

Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, ka pranuar se ai është kënaqur shumë më triumfin në La Liga, pasi kështu e kanë bërë Barcelonën të jetë prapa tyre dhe të vihet në ndjekje të Los Blancos pas dominimit trevjeçar.
“Çelësi i suksesit këtë sezon ishte qëndrueshmëria. Përndryshe, ne nuk do të kishim qenë në gjendje për të arritur këto rekorde. Pa dyshime, ne jemi shumë krenarë me të arriturat tona dhe me faktin se kemi lënë Barcelonën nëntë pikë prapa nesh”.

“Elinimi nga Bayerni ishte dush i ftohtë. Por, nuk ishte problem. Jemi mësuar kështu dhe më pas fituam La Ligën, që ishtë objektivi im primar. Jam absolutisht krenar me këtë”, është shprehur spanjolli.

Dzeko i ofrohet Bayernit?

Agjenti i sulmuesit të Manchester Cityt, Edin Dzeko, i ka ofruar shërbimet e klientit të tij klubit gjerman Bayern Munich, gjithnjë sipas Goal.
26 vjeçari, i cili nuk është në formacionin startutes të Cityt që prej kalimit te Agueros te klubi anglez, është në qendër të mediave për një kalim te klubi gjerman Bayern Munich.

Besohet se Dzeko do të mund të kalonte për 15 milionë euro te Bayerni i Munichut në një marrëveshje që pritet të realizohet në ditë në vijim. Pos Dzekos, Bayerni ka kontaktuar edhe me mesfushorin holandez, Nigel De Jong, por pa ndonjë gjë konkrete të arritur nga këto bisedime.

Milani të shesë sulmuesit për yjet

Gjiganti italian, Milan, besohet se është i gatshëm të shesë një prej katër sulmuesve, Boateng, Cassanon, Paton ose Robinhon, për të evituar shitjen e Zlatan Ibrahimovic apo të Thiago Silvas.
Goal raporton se Adriano Galliani është duke e menduar shitjen e një prej sulmuesve, për të gjeneruar fonde për transfere të reja dhe nëse kjo nuk ndodh me njërin prej Boateng, Cassanos, Patos ose Robihos, atëerë do të duhet që të pranohej një shumë ofertave për Zlatan Ibrahimovicin ose për Thiago Silvan.

Klubi Rossoner po përballet me një periudhë të vështirë, ku po flitet për largimin e superyjeve si Ibrës drejt Cityt, Thiago Silvës drejt Barcelonës dhe Boatengut drejt Manchester United, ndërsa transferet e reja nuk janë shpresëdhënëse.

Interi, dy lojtarë për Lavezzin

Interi ende nuk është dorëzuar në luftën për transferimin e sulmuesit të Napolit, Ezequiel Lavezzi, duke dashur kështu që t’ia ofrojë klubit napolitan dy lojtarë për sulmuesin argjentinas.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, tashmë është pajtuar me shitjen e Lavezzit dhe me PSG që është favorit absolut për firmën e tij, është La Gazzetta dello Sport që në mënyrë të befasishme zbulon se Nerazzurët kanë planifikuar goditjen përfundimtare.

Zikaltrit besohet se janë në gjendje të ofrojnë shërbimet e Goran Pandev dhe të 19 vjeçarit Juan, në mënyrë që Napoli ta lejojë kalimin e Lavezzit te Interi.

Nga ana tjetër, Tuttosport shkruan se Interi si alternativë për Lavezzin e ka një prej lojtarëve më të mirë të Catanias, Alejandro Gomez, i cili është në radarin e shumë klubeve evropiane.

Martinez refuzon Liverpoolin

Roberto Martinez e ka refuzuar ofertën për ta menaxhuar Liverpoolin, për shkak të planeve të pronarëve të klubit nga Anfield për të lënë menaxhimin e klubit në dorë të tri drejtorëve.
Martinez, i cili ka qenë favorit për pankinën e Liverpoolit, ka zhvilluar bisedime me pronarët e klubit nga Anfield në Boston gjatë javës dhe nuk ka dashur që të pranojë ofertën për të drejtuar klubin prestigjioz anglez, për shkak të planeve të pronarëve për të ristrukturuar stafin drejtues me tri drejtorë që do të menaxhonin klubin dhe tansferet.

Kështu, favorit i ri për stolin e Liverpoolit është shndërruar Brendan Rodgers, i cili edhe pritet të zëvëndësojë ish-menaxherin Kenny Dalglish, nën të cilin Liverpooli ka dështuar përsëri që të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.

Hulk gjithnjë e më afër Chelseat

Sulmuesi i Portos, Hulk, është 90 për qind lojtar i Chelseat, bën të ditur Telegraph-i britanik.
Braziliani tashmë një kohë është cak i gjigantit nga Stamford Bridge dhe shumë besonin se 25-vjeçari do të ndiqte ish-menaxherin e Chelseat, Andre Villas-Boas, një vit më parë.

Megjithatë transferimi i tij nuk u realizua vitin e kaluar. Por Blutë kanë reaguar herët këtë vit, duke arritur një marrëveshje me Porton, që raportohet se do të përfitojë plot 50 milionë euro nga shitja e lojtarit.

Hulk shijoi një sezon të suksesshëm te Porto, duke shënuar 21 gola në 38 ndeshje dhe ndihmoi skuadrën të ngrejë trofeun e dytë radhazi të ligës.

Reali ta shesë Kakan dhe Diarran

Real Madridi është duke u përgatitur të humbë një shumë të madhe të parave duke shitur Kaka dhe Lassana Diarra.
ABC shkruan se Reali ia ka ofruar dy mesfushorët klubit të pasur francez PSG për një shumë prej 30 milionë eurosh, që është gati 60 milionë euro më pak se që ka investuar në ta.

Vetëm Kaka i kushtoi Realit plot 66 milionë euro kur u transferua nga Milani, derisa Diarra erdhi nga Portsmouth për afro 20 milionë euro.

Kanoute: Messi është prej tjetër planeti

Sulmuesi i Sevillas, Frederic Kanoute, ka lëshuar lëvdata në adresë të Lionel Messi duke thënë se beson se ylli i Barcelnoës nuk ka rival as në mesin e baskëlotjarëve të tij në Camp Nou.
“Ai nuk është njeri; ai është nga një planet tjetër. Kam luajtur kundër tij në disa raste dhe ai është i jashtëzakonshëm – ai nuk është lojtar normal”.

“Në të njëjtën mënyrë si është Barcelona me pjesën tjetër të botës, ashtu është Messi dhe pjesa tjetër e lojtarëve të Barcës. Ai bën gjëra të cilat vetëm ai është në gjendje t’i bëjë. Ai është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Kanoute për Fifa.com.

Di Maria mendon për trofetë e ardhshme

Anësori i Real Madridit, Angel di Maria, tashmë ka hedhur shikimin kah titujt e sezonit të ardhshëm.
“Jam shumë i lumtur që e kam fituar titullin e ligës në vitin e dytë me ekipin. Është impresive. Shpresoj të vazhdojmë të zhvillohemi dhe të fitojmë tituj edhe vitin e ardhshëm”.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ne e fituam La Ligën dhe i kemi bërë tifozët të lumtur. Shpresoj ne ta fitojmë edhe titullin e dhjetë (të Ligës së Kampionëve) vitin e ardhshëm”, ka thënë argjentinasi për Marca.