Pavarësisht a kanë të kryer fakultet apo master, punonjësit e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë janë të një niveli me punonjësit që kanë të kryer vetëm shkollën e mesme.
Madje, këta të fundit ka raste kur pas trajnimeve që mbajnë, marrin grada përbrenda qendrës korrektuese edhe më të mëdha se ata të cilët për vite të tëra u kanë qëndruar besnikë librave, duke përfunduar kështu fakultete e madje edhe studime master.
Kështu ka ngjarë me punonjësit e kësaj qendre gjatë muajit shkurt, kur është organizuar një konkurs interno për oficerë të Qendrës, me qëllim të avancimit të tyre si instruktorë pas trajnimeve që mbahen në shkollën policore në Vushtrri. Këtij konkursi interno i ishin nënshtruar dhjetë oficerë të kësaj qendre, prej tyre katër me përgatitje superiore në shkollim.
Mirëpo, menaxhmenti i qendrës në fjalë, pa organizuar intervista, por vetëm në bazë të “lëvdatave” kishte përzgjedhur oficerin Bujar Bajrami për të shkuar dhe për të vijuar trajnimin.
Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, të afërta me Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ky i fundit është i afërm i deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajramit.