Ëndrra evropiane e Ballkanit

Ndonëse BE përballet me sfida të ashpra nga ekonomia e dobësuar e përpjekjet për të shmangur katastrofën financiare në Greqi, Portugali e Spanjë, anëtarësimi në konfederatë mbetet një qëllim i rëndësishëm i vendeve në Ballkanin Perëndimor.

Kroacia është caktuar të bëhet anëtari i 28-të i BE-së vitin e ardhshëm dhe Maqedonia po bën fushatë për një ftesë këtë pranverë. Serbia po feston statusin e saj të sapo fituar të kandidatit të BE-së, ndërsa Kosova, e pavarur për vetëm katër vjet, vetëm sa po fillon procesin.
"Nuk ka rrugë më të mirë për vendet tona evropiane dhe rajonin sesa integrimi, ndarja e vlerave e parimeve tona të përbashkëta, lirisë së lëvizjes e mallrave, respektit të të drejtave njerëzore, feve e kulturave", tha për SETimes Tanja Fajon, raportuesja e Parlamentit Evropian mbi liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor.
Ministri serb i Mjedisit, Minierave e Planifikimit Hapësinor, Oliver Dulic tha se anëtarësimi në BE do të thotë një certifikatë e vlerësimit të kredisë së vendit e sigurisë për investitorët.
Danica Popovic, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Beogradit dhe një eksperte në teorinë e modelet makroekonomike, beson se pavarësisht nga kriza me euron, BE është zgjidhja më e mirë për Serbinë; duke ditur sistemin e dobësuar monetar të saj.
Megjithatë të tjerë janë në merak nga pranimi.
"Do të përfundojmë si Greqia. Nuk do të jemi kurrë të lirë nga skllavëria që ata detyrojnë me kreditë e tyre", tha shoferi i taksisë nga Beogradi, Prvoslav Tanaskovic.
Në Maqedoninë fqinje, Antonio Milososki, president i komisionit të politikës së jashtme të Parlamentit, tha se BE nënkupton stabilitet.
“Anëtarësimi është i rëndësishëm për shkak të rritjes së mundësive që do të hapen", thotë zëvendësKryeministrja për Integrimin në BE, Teuta Arifi.
Velimir Simonovic, një student i teknologjisë së informacionit e elektronikës është i një mendje.
"Hyrja në BE do të thotë hapje e tregut për investime nga ndërmarrje të huaja e do të hapë vende pune të reja, si një politikë e drejtpërdrejtë e vendit tonë. Gjithashtu, kjo do të thotë hapje e një mundësie për eksportet maqedonase", tha ai.
Ministrja e Kosovës për Integrimin Evropian, Vlora Çitaku, thotë se historia ka treguar se edhe në të kaluarën ka pas kriza ekonomike.
“Evropa është në një krizë tani, por mund të themi në të njëjtën kohë ka një mirëkuptim e solidaritet mes anëtarëve të saj për të kapërcyer këtë krizë", thotë Çitaku.
Fatmir Curri, koordinator i programit të integrimit në Fondacionin e Shoqërisë Civile të Kosovës, thotë se BE ka ende vlerë sepse ofron siguri e stabilitet në kontinentin e vjetër; ofron mundësi e një treg për të bërë biznes.
“Është një mjedis me standarde të nivelit të lartë të sigurisë e sipërmarrjes dhe pavarësisht sesa i zhvilluar një vend mund të jetë, ai ka nevojë të jetë pjesë e një njësie të tillë si BE".
Për banorin e Prishtinës, Egon Musliu, 25 vjeç, hyrja në BE do të thotë respektimi i disa parimeve që janë të domosdoshme, si shteti i së drejtës e lufta ndaj korrupsionit.
“Kur këto parime të zbatohen, atëherë gjendja ekonomike përmirësohet", thotë Musliu. “Megjithatë, politikanëve të Kosovës u mungon vullneti për të bërë këto gjëra. Për aq sa të jetë ashtu, BE është shumë larg".
Fajon mendon se se pranimi i suksesshëm i Kroacisë vitin e ardhshëm është një mesazh i rëndësishëm se BE është ende e vlerësuar, pavarësisht nga kriza me të cilën përballet.
"Suksesi i pranimit në BE të Ballkanit Perëndimor është i nevojshëm si një pjesë e suksesit të përgjithshëm të Evropës për të vendosur veten si një faktor i fuqishëm e i besueshëm botëror në botën e sotme dhe të nesërme. Integrimi evropian është suksesi më i madh politik e ekonomik në historinë e Evropës".