Kuvendi i Kosovës ka dhënë pëlqimin për ndarje të mjeteve buxhetore për Komunën e Mitrovicës, pa e ditur se një pjesë e atyre mjeteve do të shfrytëzoheshin nga strukturat paralele serbe të dirigjuara nga Beogradi.
Kështu, të paktën, sigurojnë dy udhëheqësit e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, Safete Hadergjonaj e PDK-së dhe Naser Osmani i LDK-së.
Si njëri ashtu edhe tjetri, kanë deklaruar për “Kohën Ditore” se asnjëherë në komision nuk është shtruar çështja e ndarjes në linja të veçanta të buxhetit për veriun apo për Zyrën e UMMIK-ut në veri të Mitrovicës, që ndryshe njihet si UAM, por gjithmonë buxheti për Mitrovicën është trajtuar brenda një tërësie.
Ndryshe nga parlamentarët, zyrtarët komunalë të Mitrovicës, e pranojnë se që nga paslufta kanë qenë të obliguar ta ndajnë 25 për qind të buxhetit të komunës për pjesën veriore të qytetit.