Secila njohje që ka marrë Kosova gjatë vitit të kaluar, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 1 milion euro. Kjo shumë është nxjerrë nga shpenzimet jashtë shtetit të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, mëditjet e tyre, dhe shpenzimet tjera të udhëtimit. Në këto shpenzime nuk llogaritet kontrata e veçantë e nënshkruar muaj më parë me kompaninë amerikanë “Patton Boggs LLP”, e cila udhëhiqet nga Frank Wisner.
Zyrtarisht nuk raportohen shuma të shpenzuara në këtë drejtim as nga Ministria e Financave, por as nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërkohë, burime të “Zërit” brenda qeverisë kanë bërë me dije se 5 për qind e shumës totale prej 386 milionë eurove sa janë të ndara në linjën buxhetore për paga dhe mëditje për zyrtarët e qeverisë, del që për vitin e kaluar janë shpenzuar 19.3 milionë euro, pjesa më e madhe për vizitat që kanë pasur të bëjnë vetëm me njohjet e shtetësisë së Kosovës.
Kur llogaritet numri i njohjeve dhe paratë e shpenzuara, del se mbi 1 milion euro ka kushtuar një njohje e fituar.