Legale janë vetëm zgjedhjet sipas ligjeve të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë të pesë vendet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta rishqyrtojnë qëndrimin që kanë, thotë zëvendësndihmës-sekretari amerikan, i angazhuar për Ballkanin, Philip Reeker.

Zgjedhjet lokale në veri, që nuk do të mbahen sipas ligjeve të Prishtinës, nuk do të jenë legjitime, shton Reeker.
“Zgjedhjet e tilla nuk duhet të mbahen ", u tha ai gazetarëve në Washington, duke theksuar se njohja e universale e Kosovës është e rëndësishme për stabilitetin në rajon.
Sipas tij, dhënia e statusit të kandidatit për BE është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Serbisë, por e theksoi po ashtu rëndësinë e vendimit për të filluar punën mbi studimin e fizibilitetin për Kosovën, si një hap i parë praktik në integrimin e evropian të Kosovës, nga i cili përfiton tërë rajoni.
Reeker ka thënë se të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, duhet të punojnë në implementimin e marrëveshjeve të arritura, sidomos në menaxhimin e integruar të kufirit.