UNMIK-u i shqetësuar me numrin e të lënduarve

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, është i shqetësuar me raportimet për numrin e të lënduarve në radhët e civilëve dhe ushtarëve të KFOR-it, me rastin e aksionit të paqeruajtësve ndërkombëtarë për heqjen e barrikadës në fshatin Rudarë të Zveçanit.
“Ne do të presim qartësime shtesë mbi ngjarjet e sotme, jemi në kontakt me të gjitha palët, në përpjekje për të qetësuar situatën dhe po vëzhgojmë zhvillimet nga afër”, ka thënë zyrtari i UNMIK-ut, Leonid Markarian.

“KFOR-i ka një mandat për të përmbushur dhe duhet t’i mundësohet liria e lëvizjes. UNMIK-u fton për vetëpërmbajtje dhe qetësi dhe trimëron vazhdimësinë e dialogut”, thuhet në reagimin e këtij misioni.

Gjatë aksionit të sotëm për heqjen e barrikadës në Rudarë, janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë.