Punë e vështirë

Institucionet e Kosovës duhet të adresojnë seriozisht krimin e organizuar, korrupsionin, krimin ekonomik e financiar dhe një varg kushtesh tjera, nëse duan lëvizje pa viza në Schengen. Në Qeveri pajtohen se kjo është edhe pjesa më e vështirë e udhërrëfyesit. Pavarësisht se askush nuk e thotë publikisht, në Bruksel dhe Prishtinë përmendin fundin e vitit 2014 si opsion real kur mund të jepet drita e gjelbër për lëvizjen e lirë të kosovarëve në Evropë.

Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, që do t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës më 14 qershor, ka adresuar përveç tjerash në masë të madhe çështjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila duhet të luftohet dhe parandalohet nga Prishtina, shkruan “Express”.
Kjo pikë zë një vend qendror në udhërrëfyes, derisa Komisioni Evropian ka radhitur një varg kërkesash që duhet t’i kryejnë institucionet në mënyrë që të ecet përpara me heqjen eventuale të vizave.
Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka deklaruar për “Express” në ditën kur u bë i ditur lajmi nga Brukseli se pikërisht çështja e korrupsionit dhe krimit të organizuar është më e vështira për t’u përmbushur në mënyrë që të sigurohet lëvizja e lirë e kosovarëve.
Askush deri më tani nuk ka mundur të flasë se cili është afati kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm, por, sipas disa komunikimeve që ka pasur Express me disa zyrtarë evropianë, një gjë e tillë mund të arrihet në fund të vitit 2014, pavarësisht se një gjë e tillë nuk thuhet me një siguri absolute.
Por, deri atëherë institucioneve u mbetet mjaft punë për të bërë.