Kryeministri Hashim Thaçi, me rastin e 1 Qershorit, Ditës ndërkombëtare të fëmijëve vlerësoi se në shoqërinë e Kosovës, me popullsinë më të re në Evropë, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën njërin prej kërkesave themelore të shtetit.
Thaçi me rastin e kësaj dite theksoi se ofrimi i mundësive të barabarta për fëmijët e vendit tonë, rritja, edukimi dhe krijimi i kushteve për një jetë të lumtur janë parakushte dhe kërkesa të një shoqërie të lirë, demokratike dhe evropiane.
“Kujdesi ndaj fëmijëve fillon nga familja, si vlerë humane dhe parim kryesor i shoqërisë së civilizuar, duke iu mundësuar gjeneratave të ardhshme që të arrijnë vlera kulmore në të gjitha sferat e jetës. Vetëm një shoqëri që ua mundëson gjeneratave të reja mbrojtjen institucionale zhvillon potencialet e veta njerëzore, në dobi të vendit dhe progresit të përgjithshëm”, shprehet Thaçi.
Sipas kryeministrit, Qeveria e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë deri më sot, ka punuar në krijimin e kornizës ligjore dhe institucioneve adekuate për mbrojtjen dhe avancimin e fëmijëve.
Ky përkushtim institucional do të vazhdojë edhe në të ardhmën, në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.