Ndërroi jetë publicisti Bardh Hamzaj

Të premten ka ndërruar jetë papritmas publicisti Bardh Hamzaj. Ai ka qenë për afro 10 vjet kryeredaktor i gazetës së përditshme Zëri, që nga viti 2000, deri më 2009.
Vite të tëra ka punuar si gazetar dhe redaktor në revistën “Zëri”, ndërsa para se të filloj punën profesionale në këtë revistë, Hamzaj ka punuar në gazetën studentore “Bota e Re”, ku për një kohë ishte edhe kryeredaktor i saj.

Hamzaj së fundmi ka punuar si redaktor edhe në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe kryetari i saj, Prof. dr. Enver Hasani, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Hamzaj për këtë humbje dhe të gjithë atyre që patën rastin dhe fatin e mirë të jenë bashkëpunëtorë të tij.

Bardh Hamzaj u lind në fshatin Gllogjan të Deçanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kishte mbaruar në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filologjik, Dega Letërsi dhe Gjuhë në Universitetin e Prishtinës.