Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës ishte vazhdimësi e asaj që u ndërpre javën e kaluar. Përderisa në seancën e ndërprerë javën e kaluar u fut në rend të ditës në kundërshtim me procedurat një projektligj, ai për Bankat dhe institucionet mikrofinanciare, (i cili u hoq nga rendi i ditës) sot u futën edhe dy të tjerë, projektligji për ndërtimet dhe projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje.
“Këto 3 projektligje, por veçanërisht ai për ndërtimet si dhe ligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, janë tejet të dëmshme për interesin e Kosovës si shtet, si dhe për qytetarët e Kosovës. Për shkak se të dyja këto, në mënyrën më të keqe të mundshme, synojnë t’i legalizojnë dy veprimtari tejet të dëmshme për interesin publik, por jashtëzakonisht fitimprurëse për interesin partikular e grupor të personave të përfshirë në të: veprimtarinë kredidhënëse të institucioneve mikrofinanciare dhe atë të ndërtimit të egër nëpër qytetet e vendbanimet e Kosovës. Ne i kemi kundërshtuar këto ligje dhe vazhdojmë t’i kundërshtojmë ato”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.
“Por javën e kaluar dhe edhe sot, ne e kundërshtuam edhe mënyrën e procedimit të këtyre projektligjeve. Projektligji për ndërtimet dhe ai për ndërmarrjet publike praktikisht iu imponuan Kuvendit. Projektligji për ndërtimet nuk është debatuar fare me ekspertët e fushës, për më tepër këtë projektligj e kanë kundërshtuar edhe ekspertët e Kosovës nga fusha e ndërtimit dhe arkitekturës duke e parë si një projektligj shumë të dëmshëm. Dhe prapë ai u fut në rend të ditës dhe u miratua në parim nga Kuvendi”.
“Bojkotimi i seancës nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ishte bojkot parimor i cili kundërshton imponimin e ligjeve të dëmshme në Kuvend. Në fillim të punimeve të sotme në Kuvend edhe dy grupet tjera parlamentare nga opozita e kundërshtuan ligjin për ndërtimet dhe procedimin e tij në Kuvend. Por pastaj dy grupet tjera vendosën të qëndrojnë”.
“Ne këmbëngulim në ndërtimin e një Kuvendi i cili është i lirë nga çdo trysni, i cili i merr vendimet e veta në bazë të interesit të qytetarëve të Kosovës duke i përfaqësuar ata dhe duke punuar për ta. Ajo çfarë ndodhi sot në Kuvend është pikërisht e kundërta e një Kuvendi të tillë të Republikës. Sot, Kuvendi ra pre e imponimit, me ç’rast vendimi për futjen e ligjit për ndërtimet realisht u mor në zyrën e kryetarit në takim me dyer të mbyllura dhe pastaj u formalizua në seancë. Sot, Kuvendi nuk vendosi vet dhe për Kosovën; sot u vendos për Kuvendin dhe në dëm të Kosovës”.
“Vendi i pavarur dhe demokratik nuk ndërtohet përmes imponimit të varësisë dhe përmes rrugëve jashtëzakonisht jodemokratike. Republika demokratike e sovrane ndërtohet përmes trysnisë së Kuvendit të Republikës, si institucion i popullit, në Qeveri, si pushtet ekzekutiv, e jo përmes ndërhyrjes dhe trysnisë së ambasadorëve të vendeve tjera në Kuvend”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.