Gjysmëfinalet e këtij edicioni në Europa League janë pushtuar nga ekipet e kampionatit më të fortë në botë, atij spanjoll, pasi ekipet respektive, Atletico Madridi, Valencia dhe Bilbao, të gjitha kanë siguruar biletën kualifikuese, teksa atyre do t’u bashkohet dhe fqinji portugez, Sporting Lisbona.
Athletic Bilbao është kualifikuar me një barazim prej 2-2 ndaj Schalkes në San Mames, ndërsa pas ndeshjes së parë e cila përfundoi me rezultat 4-2, baskët në gjysmëfinale shkojnë me një diferencë prej 6-4 ndaj rivalit të tyre gjerman.
Edhe një skuadër spanjolle la në shtëpi një skuadër tjetër gjermane. Është Atletico Madridi që me një fitore prej 2-1 në transfertë te Hannoveri, ka arritur të kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Sporting Lisbona pas fitores në Lisbonë, arriti që me një barazim 1-1 te Metalisti në Kharkov të Ukrainës të kalojë tutje, me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Pas disfatës në ndeshjen e parë, Valencia e deklasoi tërësisht ekipin holandez AZ Alkmaar me rezultat 4-0 dhe e ktheu në Holandë ekipin modest me rezultat të përgjithshëm 5-2.
Në gjysmëfinale do të takohet Bilbao me Sporting Lisbonën, përderisa Valencia do të ketë punë me Atletico Madridin, skuadra këto që do të luftojnë për finalen e Bukureshtit.