Këtë vit kompania fituese për Kosovën e Re

Gjatë këtij viti pritet të shpallet kompanie fituese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pas kundërthënieve të shumta që janë ngritur kohëve të fundit në shoqërinë kosovare, se a do ta përkrahë Banka Botërore realizimin e këtij projekti.

Beqaj tha se përfaqësues të Bankës Botërore, tashmë kanë konfirmuar përkrahjen për ndërtimin e projektit “Kosova e Re”. Sipas tij, me realizimin e këtij projekti synohet stabiliteti në furnizimin me energji elektrike, pagesa e faturave të shpenzuara dhe ruajtja e ambientit.
“Gjatë kësaj jave, jo si shumë herë në vendet tjera, kemi pasur vizitën e tre zëvendës-presidentëve të grupit të Bankës Botërore, të cilët kanë dhënë në parim përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’. Ata tani janë duke proceduar për të na ndihmuar për financimin e një projekti të tillë, sepse flasim për një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të komplikuar për t’u realizuar në kushte kur ekonomia e tregut është relativisht në gjendje të rëndë financiare në nivel evropian dhe në nivel më të gjerë”, tha Beqaj.
Aktualisht, në garë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, janë katër konsorciume ndërkombëtare, për të cilat thuhet se i kanë përmbushur kriteret për realizimin e projektit.
Në anën tjetër, Et’hem Çeku, ish-ministër për Energji dhe Miniera, tha se institucionet qeveritare duhet të jenë të kujdesshme gjatë negociatave të kontratave për “Kosovën e Re”, sepse ashtu siç është hartuar pakoja tenderuese, Çeku konsideron se shteti i Kosovës, i vë në gatishmëri investitorit potencial të gjitha asetet. “Ne besojmë fuqishëm se Ministria, Komiteti Drejtues të përzgjedhin kompaninë më të mirë për ndërtimin e Kosovës së Re, sepse Kosova ka pasur shumë këshilltarë dhe kemi mbetur vendi më i varfër në Evropë. Kemi bërë shumë studime, por që kemi mbetur qe 12 vite, pa e ndërtuar asnjë megavat të ri të energjisë elektrike”, theksoi Çeku.