Nuk zbutet opozita, Krasniqi sërish thërret pauzë

Pauza e thirrur nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi nuk ka rezultuar me marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvend.

Shefat e grupeve parlamentare të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së, kanë këmbëngulur që Qeveria ta tërheq Projektligjin për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jo bankare, kurse Ligji për ndërmarrje publike dhe Ligji për ndërtim të procedohen në mënyrë të rregullt në Kuvend e jo më procedurë të përshpejtuar.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka kërkuar nga opozita që të tejkalojnë interesat partiake dhe për interesa të shtetit të qëndrojnë në seancë dhe ta shtyjnë për nesër shqyrtimin e Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jo bankare, kurse sot të shqyrtojnë dy projektligjet që janë futur në rend dite me procedurë të përshpejtuar.
Për miratimin e këtyre ligjeve kërkohen 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend, andaj kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar edhe një herë nga shefat e grupeve parlamentare të shqyrtojnë vendimin e tyre për pjesëmarrje në seancë.
Opozita ka vazhduar me këmbëngulje të refuzojë të shqyrtojë projektligjet e kontestues, ndërsa kryparlamentari Krasniqi ka dhënë edhe një pauzë prej 30 minutash, duke thirrur një takim me nënkryetarët e Kuvendit, për të gjetur një zgjidhje dhe për të dalë nga situata e krijuar.