Hoxhaj i dërgon telegram homologut japonez

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ministrit të Punëve të Jashtme të Japonisë, Koichiro Gemba, në njëvjetorin e tërmetit dhe cunamit shkatërrues që goditi Japoninë me 11 mars 2011.

Hoxhaj ka shprehur solidaritetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës me popullin e Japonisë, me shpresën që pasojat e kësaj katastrofe natyrore të jenë tejkaluar dhe që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më në shtetin mik, Japoni.
Në telegram thuhet se populli i Republikës së Kosovës ka bashkëndjerë në çdo moment dhembjen me familjet e viktimave dhe të të lënduarve nga kjo katastrofë natyrore.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur konsideratat më të larta për autoritetet japoneze për punën e jashtëzakonshme dhe suksesin e arritur deri më tani në tejkalimin e situatës së krijuar.
Më 11 mars të vitit 2011, Japonia u godit nga një tërmet dhe cunami shkatërrues. Katastrofa shkaktoi humbje të mëdha njerëzore e materiale, si dhe rrjedhje radioaktive në tre reaktorë të energjisë bërthamore në Fukushima.