Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, gjatë qëndrimit në Gjermani është takuar me diasporën shqiptare, ndërsa ka shprehur përkrahjen për institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë.
Në takimet konsultative që po mbahen në Stuttgard të Gjermanisë, me temën "Gjendja aktuale e mësimit plotësues në diasporë dhe hapat për institucionalizimin e tij”, tha se janë bërë përpjekje që shkolla shqipe e mësimit plotësues në diasporë të institucionalizohet.
“Kemi filluar me Zvicrën dhe do të vazhdojmë me vende tjera", tha ministri Buja.
Ministri tha se MASHT tashmë ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë nr.10.2011, ndërkaq sugjeroi që mësimi plotësues që organizohet në diasporë të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin përkatës të shtetit ku mbahet mësimi.
Buja përmendi faktin se diaspora e Republikës së Kosovës përfshin së paku një të katërtën e qytetarëve të saj, një pjesë e madhe e të cilëve janë fëmijë dhe të rinj të moshës së arsimit të detyrueshëm.
Ndërkohë, përfaqësues të këshillave të mësimit plotësues në Itali, Suedi, Belgjikë, Austri, Zvicër, Gjermani paraqiten gjendjen aktuale të arsimit shqip në shtetet ku ata jetojnë.
Ndryshe, takimet konsultative me diasporën, që organizohen nga Ministria e Diasporës në bashkëpunim me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stuttgard, i paraprijnë organizimit të një konference kombëtare me temën "Institucionalizimi i arsimit në diasporë", që do të mbahet në Prishtinë.