Përurohet stacioni jugor i policisë në Mitrovicë

Në Mitrovicë është përuruar stacioni jugor i Policisë së Kosovës, ndërsa është vendosur edhe gurthemeli i ndërtimit të Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Në ceremoninë e përurimit të objektit mori pjesë Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, i cili tha se pas shumë peripecive në punë, stacioni jugor i policisë në Mitrovicë tani do të ketë objektin e vet.

“Ky objekt ka kushtuar rreth 600 mijë euro dhe i plotëson të gjitha standardet evropiane për punë të policisë. Edhe dhomat e ndalimit janë të standardeve më të larta, me ç’rast plotëson edhe një kusht për integrime në BE”, ka thënë Rexhepi, raporto Kosovapress.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se policia, përkatësisht stacioni jugor, ka pasur probleme të mëdha në funksionimin e saj, pikërisht për shkak të mungesës adekuate të një objekti.
Sipas tij, tani policia do të ketë objektin e vet adekuat dhe do të ketë kushte shumë më të mira për punë.

Ai theksoi se këtu do të vendoset stacioni jugor dhe policia e trafikut rajonal, ndërsa në këtë pjesë të qytetit ku ndodhet ky objekt, policia do të ketë edhe lëvizje më të lehtë, sepse kufizohet me rrugët kryesore për veri dhe jug të qytetit.

Ministri Rexhepi bashkë me kryetarin e komunës Avni Kastrati dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, sot poashtu kanë vënë gurthemelin e Komandës Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Ky objekt do të jetë i përshtatshëm për punë dhe do të kushtojë rreth 850 mijë euro, ndërsa pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.