Masa më të “rrepta” për duhanxhinjtë

Me kërkesën e Inspektoratit Sanitar, Ministria e Shëndetësisë ka formuar një komision ku po shqyrtohet mundësia e amendamentimit të Ligjit për duhanpirje. Zyrtarë nga kjo ministri kanë thënë se ligji aktual nuk po zbatohet si duhet. Ata kanë përpiluar një dokument në të cilin parashihet ndalimi qind për qind i hapësirave publike për pirje të duhanit. Ndërkaq, nismën e Ministrisë së e kanë përkrahur edhe Ministria e Ambientit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Edhe pse Ligji për përdorimin e duhanit në hapësirat publike ka hyrë në fuqi nga viti i kaluar, në bazë të rezultateve të prezantuara nga Inspektorati Sanitar dhe ai Shëndetësorë, është vlerësuar se niveli i zbatimit të Ligjit për duhanin nuk është ai i prituri. Për këtë qëllim, Inspektorati Sanitar ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që ligji për duhanin të ndryshohet në ato pjesë që ka të bëjë me dispozitat ndëshkimore dhe me përcaktimin e hapësirave për duhan pirje.
Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe anëtarë i grupit punues, ka thënë për Kosovapress se me kërkesë të Inspektoratit Sanitar, MSH-ja ka formuar grupin punues për hartimin e koncept-dokumentit për amendamentimin e Ligjit për duhanin.
Sipas tij, me ligjin e ri do të mundësohet krijimi i hapësirave publike pa duhan, do të bëhet një monitorim më i rreptë i zbatimit të ligjit për duhanin, si dhe do të fuqizohen dispozitat ndëshkuese për ata të cilët nuk e respektojnë Ligjin për duhanin.
Kryeinspektori Ibrahim Tershnjaku ka pranuar se Inspektorati Sanitar ka hasur në vështirësi në zbatimin e këtij ligji, në raportin e ndarjes së hapësirave 70 me 30, të dedikuara për duhan. Ai po ashtu ka thënë se subjektet afariste nuk kanë qenë të përgatitura për një aplikim të këtij neni. Sipas tij, është dashur të rregullohen të gjitha hapësirat sipas standardeve në ndarje fizike të dedikuar për duhan pirje.
Nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshimin e disa neneve të ligjit për duhanin e ka përkrahur edhe Ministria e Ambientit. Ministri Dardan Gashi ka thënë se edhe pse është vështirë të implementohet një ligj i tillë, duhet së paku të përpiqemi që në hapësirat publike të mos pihet fare duhani.
Skënder Syla, drejtor i OBSH-së, zyra në Kosovë, ka thënë se kjo zyrë edhe më herët ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë për ndryshimin e Ligjit mbi duhanin, me qëllim të zbatimit të mirëfilltë të tij. Ai ka kërkuar që ky amandemantim të bëhet sa më parë që të jetë e mundur, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.