Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka emëruar Albert Kuçin në pozitën e zëvendësambasadorit në Çeki, pa shpallur fare konkurs dhe pa i përfillur ligjet në fuqi, të cilat e precizojnë se si duhet të bëhen emërimet e shërbyesve diplomatikë, duke filluar nga shpallja e konkursit, intervistimet e kandidatëve e deri te punësimi i tyre. Por, ai nuk është ndalur me kaq.
Për Kuçin, që më parë nuk ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik, por që e ka drejtuar një restorant në shtetin çek, Hoxhaj është treguar shumë “dorëlirë” duke ia dhënë gradën “Ministër Këshilltar”, gjithashtu pa i përfillur procedurat ligjore në fuqi.
Ndërkaq, sipas të dhënave në internet, Albert Kuçi është një biznesmen në Pragë të Çekisë që drejton kompaninë e patundshmërive “ADAL Grioup s.r.o”, e cila është themeluar më 29 korrik të vitit 2005.
“Sipas ligjit, përkatësisht Udhëzimit Administrativ 3/2009, para se të emëron nëpunës të Misionit Diplomatik, MPJ-ja duhet të shpallë konkurs, pastaj t’i respektojë procedurat e intervistimit, kriteret dhe përzgjedhja e kandidatëve, ndërsa për emërimin e Kuçit nuk është vepruar kështu. Kuçi deri tash ka qenë pronar i një restoranti në Çeki, pa asnjë ditë përvoje pune në shërbimin diplomatik apo në MPJ”, thotë burimi i gazetës “Zëri”.
“Tash jemi në një situatë ku përveç se nuk dihet për fushën akademike e profesionale të kandidatit, në Çeki kemi një zëvendësambasador për të cilin nuk dihet nëse është nën hetime për ndonjë vepër penale, pasi që dokumentet e tij nuk janë dorëzuar në MPJ, për faktin se nuk ka pasur fare konkurs. Në MPJ po thonë se ministri e ka mik të mirë Kuçin, prandaj i ka shpërfillur të gjitha procedurat ligjore për emërimin e tij”.